Curri, kontratë 3-vjeçare me Gençlerbirligi
Debatik Curri ka vendosur rrugën që do të ndjekë në të ardhmen si futbollist profesionist. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare ka nënshkruar kontratë 3-vjeçare me klubin turk Gençlerbirligi, skuadër të cilës do t’i bashkohet prej fillimit të sezonit të ardhshëm. Në këtë mënyrë, 26-vjeçari i dha fund aventurës me ukrainasit e Vorskla Poltavës, ngjyrat e të cilëve i ka përfaqësuar për afro 5 vjet. Vetëm pak ditë më parë “dashuria” ndërmjet Currit dhe klubit të Vyscha Ligas kishte marrë një goditje të fortë. Lojtari nuk pranoi të rinovonte kontratën me Vorsklan, e cila i skadonte në janar të vitit 2011, ndërsa trajneri Nikolai Pavlov e kishte kërcënuar se për këtë vendim nuk do ta përfshinte në planet e skuadrës. Tensioni i krijuar e bindi mbrojtësin që të ndërronte ambient, për ta vazhduar karrierën në futbollin turk. Vetë Curri dukej i kënaqur me zgjedhjen që ka bërë: “Kam nënshkruar kontratë për tre vjet me Gençlerbirligin, deklaroi ai për kosovaren ‘Express’. Kushtet që më ofroi ky klub më bindën se kjo ishte zgjedhja më e mirë. Isha i bindur se kishte ardhur koha që largohesha nga Vorskla dhe të ndërroja ekipin. Për më tepër, kërkoja të luaja në një ekip europian që ndodhej më afër shtëpisë. Natyrisht që në vendimin tim ndikoi edhe niveli i futbollit turk, i cili është mjaft i lartë”. Lojtari kuqezi kishte edhe gjashtë muaj kontratë me Vorsklan, por Curri konfirmoi se palët kanë gjetur konsensusin dhe ai do t’i bashkohet menjëherë Gençlerbirligisë.
#