Java XVI Tirana shkatërron Apoloninë dhe i rrëmben vendin
Autori i Lajmit: RedaksiaTiranë – Tirana ka bërë rokadën me Apoloninë në vendin e tretë, pasi e ka mundur thellë skuadrën fierake, 4-1, në stadiumin “Qemal Stafa”. Në një terren të rënduar, bardheblutë kanë ditur të aplikojnë më së miri kundërsulmin, me topin e gjatë dhe krosimet nga krahët, prej nga kanë ardhur plot katër gola. Në fakt Apolonia e ka nisur më mirë ndeshjen, teksa ka rrezikuar brenda 10 minutave të para dy herë me Bërkiç dhe Haxhibuliç. Por, vetëm kaq ka zgjatur “qëndresa” fierake, pasi më pas gjithçka e ka marrë nën kontroll Tirana. E cila e ka mbyllur pjesën e parë me fitoren 2-0, me golat e Abilaliajt dhe Muzakës. Kjo i ka krijuar qetësinë e duhur skuadrës vendase, për ta kontrolluar lojën në pjesën e dytë, ku Apolonia dukej e rënduar psikologjikisht. Për pasojë, bardheblutë kanë kaluar në epërsi të përkohshme 3-0, pas golit të Hajdarit, ndërkohë që më pas ka shënuar golin e nderit për miqtë Dhrami, pas një sllaomi të bukur individual. Në fund, kjo ndeshje kishte rezervuar edhe një penallti, të fituar nga i riu Hajdari, të kthyer në gol nga Memelli, i cili “zhbllokohet” më së fundi, në javën e 16-të të kampionatit. Si Abilaliaj ashtu dhe Muzaka u ngjitën në kuotën e katër golave secili në këtë sezon. Kësisoj, Tirana ka fituar pastër 4-1 ndaj Apolonisë, duke i marrë skuadrës fierake vendin e tretë në renditje. Po dje, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, Vllaznia ka mundur 2-1 Teutën e Durrësit. Një ndeshje që ka regjistruar golin e parë me anë të të riut të talentuar kuqeblu, Bala, por është barazuar përkohësisht nga Muçollari për Teutën. Duhej një goditje e bukur e Alikajt, që Vllaznia të fitonte këtë ndeshje, me vështirësi, në një terren të rënduar, por duke marrë 3 pikë të çmuara. Që premtojnë për vazhdimësinë e mëtejshme të garës, ku Vllaznia duket se do të jetë edhe më ambicioze, duke filluar që në merkaton e janarit.
Mungesat e bardhebluve
Ashtu si në ndeshjet e tjera, edhe dje bardheblutë luajtën me mungesa të shumta në formacion. Krahas Dabullës dhe Abrahamit, dëmtimet e të cilëve janë afatgjata, ndaj Apolonisë, që drejtohet nga i mirënjohuri Hasan Lika, stafi kryeqytetas nuk kishte në dispozicion jo pak, por katër titullarë. Bëhet fjalë për pika kyçe në formacionin e Alban Tafajt, që pas ndeshjes me Besën është parë me dhimbje koke. Duke filluar që nga porta, me “gardianin” Blendi Nallbani, i cili javët e fundit po kalonte një formë mjaft të mirë, mbrojtësin e kombëtares Andi Lila, qendërmbrojtësin Ditmar Bici dhe mesfushorin Jetmir Sefa, stafi ishte i detyruar ti hidhte syta nga stoli për të gjetur zëvendësuesit e tyre. Ndryshe nga Lila, që ka mbetur i dëmtuar në sfidën e së enjtes me Besën, “Tata”, Bici dhe Sefa ndaj verdhezinjve janë ndëshkuar me kartonë, çka i detyroi të mos ishin të gatshëm kundër myzeqarëve, edhe pse për stafin kjo ndeshje konsiderohej vendimtare.
Bora shtyn Skënderbeu-Besa
Një nga ndeshjet e javës së 16-të nuk është zhvilluar dot, për shkak se stadiumi i Korçës ka qenë i mbuluar në dëbora. Për pasojë, sfida Skënderbeu-Besa është shtyrë për një datë tjetër, ngaqë fusha e Korçës nuk i plotësonte kushtet për një lojë futbolli. Por janë luajtur dy ndeshjet e tjera, të së dielës. Kujtojmë se të shtunën ishin luajtur tri ndeshjet e para të javës së 16-të të superligës. Më në fund ndalet dhe Dinamo. Madje pëson një humbje shokuese, të thellë dhe që e ngatërron jo pak situatën psikologjike të kryesuesve të kampionatit. Natyrisht, terreni i stadiumit të Peqinit ka qenë tepër i rënduar dhe mund të përdoret nga Dinamo si shkak për këtë humbje 4-0, por rezultati i thellë nuk lë shumë vend për diskutime. Shkumbini i ka bërë “dhuratën” më të bukur të fundvitit kampionatit, kur dukej se titulli kampion ishte punë e kryer tashmë, e kishte fituar Dinamo. Megjithatë, java e 16-të ka thyer një “mit”, apo “tabu”, sikurse mund ta quajmë. Dinamo ka pësuar humbjen e parë, e cila është mjaft e hidhur, pasi është e thellë dhe nuk lë asnjë vend për justifikime. E ka merituar Shkumbini i Peqinit, i cili, edhe me një “dorë kavajase”, atë të trajnerit të sapoemëruar, Përparim Daiut, ka shënuar katër gola, falë luftës burrërore sportive, shpirtit të lartë të garës, çka ka bërë edhe diferencën. Dinamovitët nuk e kanë superuar dot terrenin e vështirë të fushës së Peqinit, ndaj kanë re pre edhe e ndërhyrjeve të gabuara, në dëm të kundërshtarit, gjë që është shoqëruar me një penallti dhe një karton të kuq për Kulin. Nëse shikon autorët e golave të Shkumbinit, dy prej tyre janë “ish”-ë të Dinamos. Caushaj dhe Bakiu kanë provuar të luajnë me fanellën blu, por kësaj here kanë shërbyer si “Hamza” për blutë. Te fitorja, shumë e çmuar, dhe që jep shpresë për vazhdimësinë e garës, është kthyer Flamurtari. Në ndeshjen e luajtur në Vlorë, skuadra e drejtuar nga Gugash Magani ka fituar 2-0 ndaj Gramozit të trajnerit Canaj. Në njëfarë mënyre, Flamurtari është hakmarrë për eliminimin që i bëri Gramozi nga Kupa e Shqipërisë, qysh në 1/16 finale. Dy gola “të huaj” për vlonjatët, i pari me penallti nga Junior, i dyti me kokë nga Djukiç, i kanë siguruar 3 pikët e arta skuadrës kuqezi, e cila tashmë nuk është e vetme në fundin e renditjes, pasi i bën shoqëri edhe skuadra korçare, me nga 14 pikë të dyja, ndërsa ajo kolonjare ka një pikë më shumë. Frenohet kësisoj edhe skuadra nga Erseka, Gramozi, i cili kishte dy-tri javë që nuk humbte, madje i kishte marrë barazim edhe Tiranës kampione në kryeqytet. Në derbin e Laçit me Kastriotin ka vendosur kapiteni vendas, Julian Brahja, që ka kthyer në gol një goditje dënimi. Gol i shënuar qysh në pjesën e parë, por që ka mbetur në fuqi deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit Peza, i cili ka drejtuar një sfidë të luftuar fort nga të dyja palët. Diferencën e ka bërë loja e grupit, ku bazohet Laçi, ndërkohë që individualitetet e Kastriotit, edhe pse kanë krijuar raste të volitshme, nuk kanë qenë produktivë. Tri pikë me shumë vlera për Laçin, që në shtëpi nuk lëshon pe ndaj askujt, por ka ditur të marrë pikë edhe në transfertë, ndërsa Kastrioti kthehet “me këmbët në tokë”, pas një fitoreje të bujshme javën e shkuar, në shtëpi, 4-1 ndaj Shkumbinit.
KATEGORIA SUPERIORE
Java 16-të (19.12.2009)
FLAMURTARI-GRAMOZI 2-0
Shënues: Junior 10′, Djukiç 80′
Gjyqtar: S.Cekaj
LAÇI-KASTRIOTI 1-0
Shënues: Brahja 14
Gjyqtar: E.Peza
SHKUMBINI-DINAMO 4-0
Shënues: Sekseri 11′, Caushaj 22′, Bakiu 58′, Gjoreski 77′
Gjyqtar: A.Janku
(Dje)
TIRANA-APOLONIA 4-1
Shënues: Abilaliaj 15′, Muzaka 29′, Hajdari 73′, Memelli 90 / Dhrami 85
Gjyqtar: R.Sadiku
VLLAZNIA-TEUTA 2-1
Shënues: Bala 19′, Alikaj 58 / Muçollari 29
Gjyqtar: S.Jareci
SKËNDERBEU-BESA (e shtyrë)
Ky lajm është publikuar: 21/12/2009