E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdes në minierën private 42-vjeçari

• BULQIZE – Ndërron jetë tragjikisht minatori 42-vjeçar Haki Kotja. Babai i katër fëmijëve, lindur e banues në komunën e Martaneshit ka mbetur viktimë në minierën private ku ishte i punësuar, të njohur si zona e re, Batër.

 Burime të sigurta informacioni sqarojnë se , rreth orës 14:00, kur minatori Kotja po punonte me kolegë të tij, ka humbur ekuilibrin dhe ka rrëshqitur në furnel. “I ra si të fikët, - thonë kolegët e tij. Na iku nga sytë si me magji. Ishim së bashku dhe ai ra poshtë, afro 10 metra thellësi. Nxituam shpejt ta nxirrnim nga honi ku kishte rënë, por ishte pa ndjenja”. Megjithëse të tronditur thellë për ngjarjen që kishte ndodhur, minatorët kishin një farë shprese se ai do t’i shpëtonte vdekjes. Ashtu të veshur keq, siç ishin me pluhur e baltë kanë gjetur një mjet transporti dhe kanë zbritur në kohë rekord në spitalin më të afërt, atë të Bulqizës. Bluzat e bardha të këtij qyteti kanë pohuar se nuk merrnin dot përsipër ndihmën ndaj minatorit që ishte në grahmat e fundit. Mungesa e mjekut kirurg i detyroi minatorët të nisin udhëtimin drejt spitalit të Burrelit. Gjendja e rëndë e Kotes, largësia e madhe nga miniera deri në Burrel, mjeti jo i përshtatshëm e përkeqësuan të aksidentuarin. Rreth orës 18:00 Kotja ka mbërritur në spitalin “Xhavit Mara” Burrel, por ai kishte ndërruar jetë. Kolegët minatorë, me lot në sy e dhimbje të pamasë i kanë mbyllur Haki Kotes sytë. Trupi i pajetë i minatorit është dërguar në morgun e Burrelit dhe është kërkuar ekspertiza e mjekut ligjor. Nga të dhënat e para rezulton se minatori kishte dëmtime serioze në kokë, për shkak të përplasjeve me trimozhën e kromit. Të afërmit dhe familjarët e Kotes e kanë pritur me dhimbje humbjen e njeriut të tyre të dashur, i cili vdiq papritur në galeri.               e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›