“Golden Compass”, sot premiera në Millenium II
Kush nuk e ka lexuar, sikundër edhe ata që e njohin trilogjinë e britanikut Philip Pullman “His Dark Materials” kanë shancin ta shikojnë këtë botë fantastike në filmin që kompanitë amerikane dhe angleze kanë ngritur mbi romanin e parë të këtij bestselleri, “Golden Compass”, (Busulla e artë). Bota e Lirës është shumë e ngjashme me botën tonë, por gjendet në një univers paralel. Pjesa më e madhe e saj është familjare për të gjithë ne; oqeanet, Britania, Norvegjia, Poli i Veriut. Por një gjë është pabesueshmërisht e ndryshme nga bota jonë. Në botën e Lirës, shpirti i një njeriu jeton jashtë trupit të tij, në formën e një demoni, një kafshë që flet dhe që të shoqëron gjatë gjithë jetës. Por demoni i një fëmije mund të ndryshojë formë duke iu përshtatur imagjinatës së pakufishme të mendjes tipike fëmijërore. Kush nuk mund ta imagjinojë dot këtë mund ta besojë kur ta shikojë me sytë e tij në ekranin e madh të kinema Millenium II duke nisur që sot me shfaqjen e Oskarit të efekteve vizuale të vitit, “Golden Compass”. Skenari i produksionit “Busulla e artë” është shkruar nga regjisori Chris Weitz, i cili e lexoi për herë të parë trilogjinë e Pullman në vitin 2000, kur ishte në Angli për xhirimet e filmit “About a boy”. Ai shprehet: “Kisha dëgjuar për një seri librash me fantazi që mund të të ndryshonin jetën dhe mbeta krejtësisht pa fjalë nga imagjinata, guximi e inteligjenca e këtyre librave. Sipas mendimit tim, flitet për një krijimet më të mëdha të shekullit 20. Unë jam rritur me Tolkien, por kjo vepër, shprehem sinqerisht që e tejkalon pastër atë përsa i përket ambicies dhe thellësisë filozofike” “Busulla e artë” është një film epik me një lojë kinematografike mbresëlënëse, me efekte speciale të mrekullueshme dhe me substancë intelektuale. Në qendër të filmit është një vajzë 12 vjeçare, Lira Belakua, e cila jeton në një univers paralel, fantastik, ku mbretëron një teokraci dogmatike e quajtur “Magisterium”, që synon të dominojë gjithë botën. Kur miku i Lirës rrëmbehet, ajo udhëton në të gjithë Veriun për ta shpëtuar. Në këtë udhëtim do ta ndihmojë një ushtri e pazakontë, por mbi të gjitha busulla e saj e artë. Fillimi i filmit është poterian; Vërtet që nuk flitet për magjistarë, por kemi të bëjmë me një institut ku edukohen fëmijë që kanë diçka të veçantë. Më tej prezantohet koncepti i demonit, një shfaqje e shpirtit të çdo fëmije që ndryshon formë vazhdimisht. Gjithçka shpjegohet në pak minuta. Demoni është kyçi i gjithë historisë. Filmi arrin që të tërheqë shikuesit për detajet e tij dhe personazhet e shumtë të përfshirë në të. “Busulla e artë” sheh për protagonistë emra mjaft të njohur të kinemasë. E para vjen padyshim Nicole Kidman, ylli që nuk del asnjëherë nga objektivi i shtypit. Në rolin e zonjës Coulter, Kidman është një grua pabesueshmërisht joshëse, por edhe potencialisht e rrezikshme. Magjepsëse dhe e ftohtë, Nicole Kidman thotë se “Mu desh të përpiqesha për të kuptuar motivin që e shtyn zonjën Coulter të bëjë atë që ajo mendon se është e drejtë, me shpresën se do të gjeja brenda saj një farë karakteri njerëzor.” Roli i zonjës Coulter për Kidmanin është caktuar që para filmit, duke e bërë kështu yllin e kinemasë të renditet ndër të paktat aktore që e fiton një rol pa bërë asnjë kinoprovë, e ndoshta pa qenë aspak në dijeni për të. Thuhet se skenaristi Philip Pullman diskutonte qysh më vitin ’96 për emrin e Nicole Kidman, si aktorja më e përshtatshme për rolin e Marisa Coulter. Fillimisht aktorja nuk e pranoi rolin në fjalë, por pas një letre personale të Pullman ajo vendosi të thoshte “Po”. Një tjetër yll që shkëlqen në këtë film është 007-a aktual, Daniel Craig, i cili interpreton Lordin Asriel, një aventurier i vendosur, studiues i të shkuarës dhe mistereve të saj, xhaxhai i personazhit kryesor në film. Në fakt, Craig i kishte nisur xhirimet e “Busullës” menjëherë pas aventurave të Xhejms Bondit në “Casino Royale”. Madje agjenti 007 e ka shoqëruar aventurën e Lirës edhe në teatër, ku rolin e Lordit Asriel e ka luajtur një ish-007, Timothy Dalton. Daniel Craig është shprehur në shtyp se ai ka qenë një fans i romanit të Philip Pullman që para se t’i propozohej për të luajtur një nga rolet kryesore të filmit.
Skeda e filmit
Titulli: Golden Compass
Regjisor: Chriss Weitz
Skenari: Chriss Weitz, Philip Pullman
Premiera: 6 dhjetor 2007
Gjinia: Aventurë, fantashkencë, dramë familjare, triller
Çmimet: 1 Oskar, 3 çmime të tjera dhe 15 nominime
Aktorë: Nicole Kidman, Daniel Craig, Dakot Blue Richards, Ben Walker, Eva Green, Kim Carter, etj.
Muzika: Alexandre Desplat
Kohëzgjatja: 113 min
Buxheti: 180 milionë dollarë
Box office (deri më 23 mars 2008): 350 983 908 mln. Dollarë
5 Prill 2008