E Diel, 1 Nëntor 2026

Qëlloi kryekomunarin, burg pa afat 32-vjeçarit

• FIER - Dashnor Kapaj, 32-vjeçari që katër ditë më parë qëlloi me një armë drejt kryetarit të Komunës së Frakullit, do të qëndrojë në qeli.

Gjykata e Fierit ka dhënë dje për të masën e sigurisë “arrest me burg” për akuzat e “vrasjes së mbetur në tentativë në rrethana të cilësuara”, si edhe ajo e “armëmbajtjes pa leje”. Në seancën e djeshme prokurori i çështjes Petrit Vukaj, ka kërkuar vlerësim të ligjshëm të arrestimit në flagrancë të Kapajt, si dhe masën e sigurisë arrest me burg. Gjithashtu, akuza ka hedhur dritë mbi fakte të reja të dala gjatë procesit hetimor. Sipas saj, “mëria” mes 32-vjeçarit Kapaj dhe institucionit të komunës ka lindur 10 vjet më parë kur Kapaj, edhe pse nuk kishte paguar taksën e tokës, ka kërkuar firmosjen e një shkrese që do të vërtetonte pagimin e taksës së saj. Edhe pse nuk ka arritur ta marrë vërtetimin, pas 10 vitesh Kapaj ka kërkuar një tjetër vërtetim në komunë. Meqë ka hasur sërish në refuzimin e institucionit, pasi figuronte debitor, katër ditë më parë ai ka qëlluar me armë drejt oborrit të komunës, ku ka lënë të plagosur katër vetë. m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›