E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta me “kodin” e Gërdecit

• Martin Leka

Sa më shumë afrohet koha e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, aq më e paqartë bëhet situata në Partinë Socialiste. Ndërsa “shoferi” i socialistëve vijon turet e tij në bazë (siguria kombëtare është tema e radhës), “pasagjerët” duken gjithnjë e më të dremitur e më të lodhur nga kjo tollovi që ka mbërthyer partinë e tyre, lidershipin kryesisht.
Nuk është e vështirë të kuptosh se në këtë parti ka humbur orientimi mes lidershipit të saj nga njëra anë dhe, për rrjedhojë, mes këtij të fundit e bazës nga ana tjetër. Kjo nuk ndihet thjeshtë nga ndonjë deklaratë, qëndrim apo opinion i ndonjërit prej drejtuesve të kësaj partie, por mungesa e rezonancës mes liderishipit duket më e thellë se kaq. Javën e kaluar, një prej figurave të udhëheqjes socialiste “nuk linte gjë pa thënë” kundër kryetarit Rama, ose si i thonë në zhargon, “e bëri copë-copë”, kur vetëm një javë më parë, në një intervistë, po kjo “figurë”, nuk linte gjë të mirë e lavdëruese pa thënë për kryetarin?! E sollëm këtë shembull për të treguar me pak fjalë krizën e brendshme që ekziston në këtë parti, përkundër asaj të shfaqjes në publik: krizë që shëmbëllen me ambalazhin e fishekëve që shkonin në Gërdec për demontim…
Pas dy ditësh, socialistët kanë paralajmëruar (edhe përmes një reklame të shtrenjtë) një protestë, e cila, përtej fasadës, duket mjaft absurde, të paktën për momentin. Por jo vetëm kaq. I gjithë aksioni politik i PS-së kundër qeverisjes së Berishës duket se ka vetëm një “kod”, Gërdecin. Por për paradoks, Shqipëria ka plot “Gërdecë” të tjerë, të cilëve socialistët u kanë harruar “Pin”-in?!... Një kryeministër apo një qeveri mund të “detyrohen” të lërë pushtetin edhe nga një “Gërdec”, pasi po të ndodhte kjo në një tjetër vend evropian, me siguri qeveria do të kishte ikur vetë… Por kjo qeveri e Berisha nuk janë si ata... As opozita e këtyre vendeve nuk është si socialistët e Tiranës… Sepse këtu në Shqipëri, nuk i flitet as “shoferit” të qeverisë, as “shoferit” të opozitës.
Protesta e lajmëruar, në mungesë të një qëndrimi e vizioni të qartë për një sërë problemesh, duket se do të jetë konsumimi i xhiros së radhës së lidershipit soc-socdemokrat, siç ndodhi me një protestë të heshtur, nën kujdesin shpotitës të disa policëve, të cilëve u ka rastisur turni i ditës?! Për më tepër, një protestë e tillë që vjen menjëherë pas marrjes së ftesës për pranimin e Shqipërisë në NATO, të shkakton vetvetiu një ndjenjë “ilariteti” dhe mosserioziteti e dinjiteti politik. Sepse nga njëra anë flitet për konsensus, për marrëveshje, mirëkuptim e reforma, nga ana tjetër ftohen njerëzit në rrugë?!... Nëse socialistët e kanë seriozisht dhe nuk e njohin Berishën për kryeministër, (e vetmja alternativë që kanë shpalosur sot për sot) bëjnë mirë që ta “bllokojnë” në Rinas sot, bashkë me gërdecasit që provuan në tmerrin e shpërthimeve të 15 Marsit…    
Kur flasim për qëndrim të qartë opozitar, kemi parasysh faktin se ende asnjë socialist nuk e di se cila është strategjia e lidershipit socialist: strategjia politike afatshkurtër, afatmesme, afatgjatë për marrjen e pushtetit. Po cilin pushtet do të marrë lidershipi socialist, kur brenda tij e brenda të majtës ka kaq shumë mosmarrëveshje, nga parimoret gjer te banalet? Kush i beson me të vërtetë dhe kush socialist do të marrë mundimin të besojë lidershipin e vet, kur ky i fundit, nga njëra anë thotë “Berisha ik”, nga ana tjetër gjen konsensus e marrëveshje me Berishën më parë se me aleatët e tij të koalicionit të majtë, Metën, Cekën, Milon për reformën zgjedhore?! 
E vetmja gjë që dinë ata, socialistët, me gojën e kryetarit të tyre, është “të ikë Berisha”. Por ai nuk mund të ikë me gjasme, apo me parulla folklorike “Përmetarë e Gërdecarë/, Qeveria u jep predha e s’ju jep farë”?!....
“Triptikun” socialist në formë fjalëkryqi: “Dialog me Shqipërinë; Dialog me Berishën; Berisha ik”, nuk besoj se ka socialist që mund ta zgjidhë, edhe matematikan të jetë...! 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›