Vdes nga gripi i derrave 18-vjeçarja shtatzënë
TIRANË - Një vajzë 18 vjeçare e prekur nga gripi i derrave ka ndërruar jetë sot pasdite në spitalin Infektiv të QSUT-së. E reja, ishte shtatzënë.
Ministria e Shëndetësisë konfirmoi lajmin, ndërsa pritet të japë edhe një informacion më të detajuar për këtë rast.
*****
e diel, 13 dhjetor
Sot një person tjetër ka ndërruar jetë pasi u prek nga gripi i derrave, duke e çuar kështu në katër numrin e viktimave nga virusi i rrezikshëm në vendin tonë. Ndërkohë konfirmohet nga Ministria e Shëndetësisë se katër persona të tjerë janë në gjendje të rëndë, mes tyre edhe një grua shtatzënë.
Viktima e katërt ishte vetëm 31 vjeç dhe u soll me urgjencë në Tiranë para një jave. Ai kishte pasur një gjendje gripale ku është trajtuar në kushtet e shtëpisë dhe kur është përkeqësuar është shtruar me urgjencë në spital, por nuk mundi të mbijetojë. Mësojmë se i riu me incialet E.M, nga Vlora, nuk kishte pasur probleme shëndetësore më parë, siç kanë qenë rastet e tjera me sëmundje kronike.
Nderkohe dje (e shtunë) Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar vdekjen e dy personave, që kuroheshin në spital nga virusi i rrezikshëm, njohur si gripi i derrit.
Burimet spitalore bëjnë me dije se të dy viktimat janë nga Shkodra, një burrë dhe një grua. Dje paradite ka humbur jetën një grua 47-vjeçare me iniciale Xh.T, e cila prej pesë ditësh trajtohej në Sanatorium.
Gjendja e saj ka qenë kritike, pasi mësohet se gruaja përpos se ishte prekur nga virusi i gripit të derrit papasur edhe probleme të tjera shëndetësore, pasi ajo vuante edhe nga mushkëritë. Sipas mjekëve, gruaja edhe pas trajtimit nuk ka shënuar përmirësim, e për pasojë ka ndërruar jetë në spital.
Vetëm pak orë pas saj, një tjetër viktimë shënohet po nga ky virus. Një burrë 53-vjeçar, po nga Shkodra me iniciale R.SH ka humbur jetën nga gripi i derrit. Sipas të dhënave paraprake, mësohet se ai trajtohej në spitalin e Shkodrës, ndërkohë që ka pasur edhe patologji të tjera.
Viktima e pare ishte një burrë 57-vjeç nga Sukthi i Durrësit qe ndërroi jetë ne 3 dhjetor në Sanatorium ku ishte i shtruar pas komplikacioneve që shfaqi nga prekja me virusin A/H1N1.
Personi që ndërroi jetë kishte marrë analizat ku rezultoi pozitiv me A/H1N1. Ndërkohë Pipero shpjegoi se mjekimi i tij me Tamiflu kishte filluar ditë më parë, pasi mjekët kishin dyshuar se ai mund të ishte i prekur nga gripi i derrave.
Më tej, Pipero sqaroi se ky person vuante nga sëmundje kronike të zemrës si dhe kishte një sëmundje të pashërueshme në prostatë. Prekja nga A/H1N1 i ka krijuar komplikacione me organet e frymëmarrjes duke i marrë edhe jëtën. Kjo ështe viktima e pare nga gripi i derrave ne vendin tone, ndersa numri i të prekurve eshte mbi 200 persona.