E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdes nga overdoza një 26-vjeçar

Një 26-vjeçar nga qyteti i Fierit ka gjetur vdekjen në orët e para të mëngjesit të së hënës, pas marrjes së një overdoze heroine. Ai është çuar nga të afërmit në urgjencën e spitalit të Fierit, ku mjekët deklarojnë se ka mbërritur i vdekur. Familjarët thonë se tri ditë më parë 26-vjeçarin e kanë shtruar në spital, por mjekët e kanë nxjerrë me pretendimin se nuk kishin medikamente dhe shërbim për ta trajtuar. Ermal Shehu quhet 26-vjeçari që ka vdekur në orën 06:30 të mëngjesit të djeshëm, pas marrjes së një overdoze. Burimet policore dhe ato nga spitali i Fierit deklarojnë për gazetën "Shqip" se familjarët e Ermalit, pasi kanë parë situatën e rëndë shëndetësore të tij, e kanë transportuar drejt spitalit të Fierit. Edhe pse mbërritja në spital ka qenë e shpejtë, sipas mjekëve të repartit të urgjencës, 26-vjeçari ka mbërritur i vdekur dhe mendohet se ka ndërruar jetë gjatë rrugës. "26-vjeçari Ermal Shehu ka ardhur pa asnjë shenjë jete në spital. Pulsi dhe zemra e tij kishin pushuar. Ne kërkuam ndërhyrjen e mjekëve specialistë, të cilët pas trajtimit të parë kanë dalë në përfundimin se overdoza ka qenë shkaku i vdekjes. E dërguam më pas në morgun e spitalit të Fierit", thonë mjekët e urgjencës. Në regjistrin e shtrimeve është shkruar se Ermal Shehu është paraqitur pa shenja jete. Ndërkohë që në morgun e spitalit të Fierit Ermal Shehu nuk i është nënshtruar autopsisë, pasi familjarët nuk kanë pranuar. Mjeku ligjor dhe ekspertët e policisë kanë bërë këqyrjen e trupit të viktimës dhe mësohet prej tyre se në krahun e djathtë dalloheshin qartë shenjat e injektimit të drogës. Ekspertët e policisë deklarojnë gjithashtu se nga trupi i pajetë i 26-vjeçarit janë marrë mostra gjaku, të cilat janë dërguar për analiza më të specializuara në Institutin e Kriminalistikës në Tiranë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›