Elbasan, shpallen në kërkim tre ish-drejtorë të elektrikut
Tre ish-drejtorë të Ndërmarrjes Elektrike të Elbasanit janë shpallur në kërkim, një inxhinier është arrestuar, dy të tjerë janë lënë në arrest shtëpie dhe dy me detyrim paraqitje. Gjykata e Elbasanit ka marrë dje rreth orës 20:00 këto masa të kërkuara nga prokuroria e rrethit për tetë zyrtarë. Akuza për të gjithë ka qenë për shpërdorim detyre në trajtimin e fondeve buxhetore gjatë zhvillimit të tenderëve për tetë vjet me radhë. Ka qenë një investigim i gjatë dhe tepër sekret i sektorit të luftës kundër krimit ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Elbasanit. Hetimet e specialistëve kanë qenë intensive muajin e fundit për veprimtarinë e ish-drejtorit të kësaj ndërmarrjeje, Artan Topi, por dosjet për korrupsion janë hapur që tetë vjet të shkuara, duke përfshirë në hetime drejtues të emëruar nga PD dhe PS. Sipas burimeve policore, informacionet janë siguruar në rrugë operative nga burime të ndryshme brenda dhe jashtë stafit të kësaj ndërmarrjeje, pa u nënvleftësuar edhe letrat e shumta nga qytetarë të ndryshëm. Aksioni antikorrupsion i koduar "Indikatori" është zhvilluar shpejt dhe është mbajtur top-sekret, derisa ai ka përfunduar me shoqërimin në polici të pesë personave, ndërsa tre krerët kryesorë janë shpallur në kërkim, pasi nuk ndodhen aktualisht në qytetin e Elbasanit. Nën akuzë janë vënë të gjithë ish-drejtuesit e Ndërmarrjes Elektrike të tetë viteve të fundit, kur ka drejtuar edhe inxhinieri elektrik, Nikolla Tupe. Ky i fundit, në postin e drejtorit të Ndërmarrjes Elektrike për afro 4 vjet, i emëruar nga PS, do të zëvendësohej nga Ndriçim Banja, i PD-së. Nga PD janë emëruar edhe Artan Topin, i cili pasi punoi tre vjet, u pushua nga puna për abuzime abuzimeve dhe u rikthye përsëri për një periudhë të shkurtër. Sipas komunikimit zyrtar të policisë së Elbasanit, prokuroria ka marrë masën e arrestit me burg pa afat për Nikolla Tupen, Ndriçim Banjën dhe Artan Topin, që janë shpallur në kërkim dhe vendimi është marrë në mungesë. I vetmi i arrestuar është Shpëtim Lamçja, me detyrë pjesëmarrës i enteve të prokurimit, ndërsa masa e arrestit të shtëpisë është marrë për Ilir Dervishhasanin dhe Qamil Meminuin. Natasha Gjorga dhe Eduart Garunja hetohen në gjendje të lirë. Mbi të gjithë rëndon akuza e shpërdorimit të fondeve gjatë prokurimeve dhe zhvillimit të tenderëve të ndryshëm, shuma e të cilëve shkon në miliona lekë dhe përkon me periudhën 2002 - 2008. Hetimet vazhdojnë, ndërsa policia është duke kërkuar tre ish-drejtorët, për të cilët është marrë masa e arrestit në mungesë.