E Diel, 1 Nëntor 2026

Poliçan, sot asgjësohen 113 kg lëndë plasëse të rrezikshme

Plotë 113 kilogramë lëndë të rrezikshme të mbetura në Uzinën e Armëve në qytetin e Poliçanit do të asgjësohen nesër në depot ku ndodhen. Lajmi bëhet i ditur nga burime të Uzinës dhe Bashkia e Poliçanit. Me gjithë kundërshtitë e shfaqura hapur nga kreu i kësaj bashkie, Adriatik Zotkaj, në lidhje me rrezikun që paraqet për jetën e banorëve eliminimi në vend i lëndëve plasëse, sot autoritetet më të larta të ushtrisë do të përqendrojnë vëmendjen drejt Poliçanit. Përfundimi i të gjithave procedurave ligjore dhe marrja e masave për zhvillimin e këtij operacioni ka bindur drejtuesit e bashkisë që jo vetëm të miratojnë zhvillimin e tij, por dhe të jenë pjesë për zhvillimin me sukses. Kështu, sipas udhëzimit të Ministrisë së Mbrojtjes, për asgjësimin e 113 kilogramëve lëndëve të rrezikshme iniciale si fulminante, zhivë, etj., janë plotësuar të gjitha kërkesat e bashkisë për nisjen e këtij operacioni që do të zhvillohet në orët e para të mëngjesit të së martës. Sipas një plani të detajuar, pjesë e këtij procesi që parashikon shkatërrimin e lëndëve të rrezikshme së bashku me depot ku ndodhen, mësohet se do të bashkëpunojnë Bashkia Poliçan, Drejtoria e Policisë Qarkut Berat, Sektori i Emergjencave Civile Berat, Sektori operacional i Policisë Ushtarake Berat, Drejtoria e Policisë Pyjore, Reparti Ushtarak 4303/2 Vërtop. Kështu, sipas drejtorit të uzinës, Myqerem Xheferri, plani është detajuar menjëherë pas përfundimit të të gjithave procedurave ligjore për zhvillimin e tij. Sot, që në orët e para të mëngjesit mësohet se zona do të izolohet nga uniformat blu, ku do të krijohet një kordon rreth uzinës së Poliçanit. Një pjesë e banorëve që jetojnë më afër uzinës do të evakuohen për shmangien e rreziqeve. Për zhvillimin e operacionit janë njoftuar që prej disa ditësh banorët e Poliçanit, me qëllim shmangien e qarkullimit rreth uzinës. Operacioni pritet të zhvillohet sot, pasi parashikohet dhe një ditë me shi, me qëllim neutralizimin e lëndëve helmuese që do të shpërndahen në natyrë. Sipas drejtorit të uzinës, janë marrë të gjitha masat, pasi operacioni do të ndiqet nga specialistët më të mirë të ushtrisë për këtë fushë, ndërkohë që zhvillimi i tij është konsideruar si mënyra e vetme për eliminimin e këtyre lëndëve të rrezikshme. Problemi rreth kësaj sasie lëndësh të rrezikshme ushtarake doli pas inspektimit të bërë në ambientet e uzinës për demontimin e municioneve ushtarake.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›