E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për xhelozi:Vret me armë dy vëllezër, rëndë i treti

Tre vëllezër në moshë të re janë qëlluar me armë nga një person, ku për pasojë dy prej tyre kanë gjetur vdekjen. Policia ka identifikuar autorin e krimit, i cili është 32-vjeçari Besim Karaj, ndërsa ngjarja dyshohet paraprakisht se ka ndodhur për motive xhelozie. Sipas burimeve zyrtare, viktimat në këtë ngjarje janë Taulant e Xhiljon Mulliri, 20 e 23 vjeç. Ndërkohë që është plagosur dhe ndodhet në gjendje të rëndë vëllai i tyre më i vogël, Eldi Mulliri, vetëm 18 vjeç. Autori i ngjarjes, pasi ka kryer krimin, ka terrorizuar fshatin Thumanë, ku kreu edhe vrasjet. Ndërkohë që më pas, ai është larguar nga vendi i ngjarjes, i ndjekur nga policia, duke u fshehur në kufirin me Greqinë. Nëna e tre vëllezërve të sulmuar para shtatë vjetësh u dënua për vrasjen e një fëmijë nëntëvjeçar, nip i personit me të cilin ajo kishte pasur lidhje.
Ngjarja
Rreth orës 14:00 të ditës së djeshme, një person ka qëlluar me breshëri ndaj tre vëllezërve Mulliri në një nga rrugët e fshatit Thumanë të rrethit të Devollit. Më pas, ai ka filluar të qëllojë në ajër, duke ngjallur frikë tek banorët e zonës. Autori i krimit është larguar më pas nga fshati Thumanë, duke u drejtuar për në kufirin grek. Ndërkohë që pas informimit me ngjarjen, menjëherë shkuan forca të shumta të policisë. Si pasojë e sulmit me armë, humbën jetën dy prej vëllezërve, ndërkohë që 18-vjeçari Eldi Mulliri paraqiste ende shenja jete. Menjëherë, ai është dërguar për në spital për të marrë ndihmën e parë mjekësore, ndërkohë që trupat e dy vëllezërve të tij u nisën drejt morgut. I riu ka marrë dëmtime të rënda në trup, si pasojë e sulmit me armë zjarri. Ai ndodhet nën mbikëqyrjen e mjekëve, por ende nuk e ka kaluar gjendjen e vështirë.
Policia
Pas marrjes së informacionit për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Thumanë të Devollit, menjëherë në vendngjarje shkoi Policia e Qarkut të Korçës. U rrethua e gjithë zona në të cilën mendohej se fshihej autori. Ndërkohë që në ndihmë të forcave të policisë i nis edhe një helikopter me forca të RENEA-s. Autori i identifikuar si Besim Karaj ishte drejtuar për në kufirin grek, ndërkohë që u fsheh në një pyll në zonë. Për të arrestuar autorin u angazhuan edhe forca të policisë greke. Sipas burimeve nga policia, në fillim u dyshua për një hakmarrje, pasi nëna e tre djemve të sulmuar, kishte vrarë një fëmijë vetëm nëntë vjeç dhe e kishte hedhur më pas në pus. Por më pas, sipas policisë, ngjarja kishte ndodhur nga xhelozia. Njëri prej tre vëllezërve të vrarë kishte pasur një lidhje jashtëmartesore me gruan e autorit të krimit, nga e cila ajo kishte ngelur shtatzënë. Ishte kjo arsyeja që ka çuar autorin e krimit drejt vrasjes së dy vëllezërve dhe plagosjen e një të treti.

E ëma e viktimave, e dënuar për vrasjen e një 8-vjeçari

E ëma e viktimave, Liljana Mulliri, është shpallur fajtore nga gjykata shqiptare me akuzën e vrasjes së një fëmije vetëm 8-vjeçar. Për të fshehur më pas gjurmët e krimit, ajo e copëtoi të miturin Alberto Xhihani, duke e hedhur në një pus. Ngjarja e rëndë dihej edhe nga ish-i dashuri i saj, që ishte edhe xhaxhai i fëmijës, i cili u dënua për moskallëzim krimi. Eshtrat e viktimës janë gjetur në vitin 2005. Pas ekspertizës së kryer, rezultoi se ishin pikërisht eshtrat e minorenit të vrarë. Dy bashkëmoshatarët e viktimës A.L. dhe E.M. deklaruan në polici se kanë parë për herë të fundit shokun e tyre në lokalin e Liljana Mullirit, së bashku me të. Pas punës së kryer nga grupi hetimor u provua autorësia e Liljana Mullirit për vrasjen e kryer.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›