E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdes satirizuesi i pop artit

Influenca e Polke-s në artin perëndimor të pjesës së dytë të shekullit 20 mund të barazohet me atë të artistëve si Robert Rauschenberg, Jasper Johns dhe Andy Warhol për shkak të shumëllojshmërisë së dukshme të veprës së tij dhe kërkimit të tij të ngulët për të zbuluar materiale inovative dhe për t’i përdorur në mënyra të jashtëzakonshme.

Karriera e tij ka qenë një përrua i vazhdueshëm i eksperimentimit; ai ka bërë gravura dhe skulptura në rininë e tij; e ka satirizuar pop artin amerikan të viteve gjashtëdhjetë; ka eksploruar fotografinë në vitet e shtatëdhjeta; është rifokusuar në pikturat me masë të madhe në vitet e tetëdhjeta dhe vazhdimisht i është kthyer pikturës gjatë jetës së tij.

Polke i ka skalitur vetës një identitet që rri pezull ndërmjet alkimistit dhe shkencëtarit të çmendur, duke krijuar vepra të paharrueshme që përbëhen nga pikturat e dyfishta; sipërfaqet transparente të bëra nga plastika; baruti; fotografitë e parregullta; piktura që janë shuar nga drita e diellit; dhe imazhe të ndërtuara nga pizhame të qepura së bashku.

Në shumë mënyra eklektizmi i Polke-s ka qenë funksion i kapriçiozitetit të gjendjes së tij shpirtërore. I gjatë, me një prezencë komanduese, paparashikueshmëria ka qenë ‘modus vivendi’ i Sigmar Polke-s – ai zakonisht ka refuzuar t’u përgjigjej telefonatave për muaj të tërë dhe në fund kur pyetej jepte përgjigje provokuese. Ai kënaqej në të qenit koprrac sharmant.

Sigmar Polke është lindur më 13 shkurt të vitit 1941 në Oels, atëherë pjesë e regjionit silesian të Gjermanisë lindore që tani është në Poloni. Familja e tij ishte larguar për në perëndim në vitin 1945 derisa ushtria ruse kishte avancuar dhe kishte arritur në Gjermaninë lindore në fund të Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1953 ata prapë ishin në lëvizje, kësaj radhe drejt Berlinit lindor para se të kalonin nëpër Berlinin perëndimor në një vagon treni.

Në vitin 1963, derisa ende po studionte në Dusseldorf, Polke organizon një ekspozitë bashkë me studentët Gerhard Richter dhe Konrad Lueg. Ekspozita ishte titulluar në mënyrë tallëse ‘Realizmi kapitalist’, një ngacmim ndaj realizmit socialist që asokohe ka qenë arti zyrtar i Bashkimit Sovjetik, ndërsa gjithashtu duke parodizuar ‘doktrinën’ konsumuese të kapitalizmit perëndimor.

Ka qenë roli i Polke-s si një satirizues i hershëm i pop artit amerikan që ka filluar ngritjen e qëndrueshme të tij në dominim në botën e artit. Sikurse pop artistët, Polke është fokusuar në objekte të përditshme – çorape meshkujsh, shufra çokollatash, salsiçe, bukë – dhe i ka kombinuar ato me imazhet nga masmedia.

Megjithatë, në vend që të krijojë kremtime të shkëlqyeshme të kulturës bashkëkohore apo piktura të artikujve të përdorimit të gatshëm që kërkonin amerikanët, siç kanë bërë zakonisht Warhol dhe James Rosenquist, Polke e ka shkatërruar optimizmin piktoresk, konsumues me materiale vulgare.

Show i parë i Polke-s ka qenë në vitin 1966 në Galerie René Block në Berlinin perëndimor dhe në vitin 1970 ai ka hapur ekspozitën e tij të parë personale në Galerie Michael Werner, që më pas do të prezantonte artistin përgjatë tërë jetës.

Gjatë viteve të fundit të jetës së tij, arritjet artistike të Polke-s u njohën në ekspozita të mëdha rreth e rrotull botës, me shfaqjet personale në Tate Modern në vitet 2003-2004, Ueno Royal Museum në Tokio në vitin 2005 dhe në Getty Center në Los Angeles në vitin 2007. Veprat e tij filluan të shiten me çmime më të larta së kurrë më parë, me një vepër të viteve gjashtëdhjetë e cila ishte shitur në vitin 2007 për më shumë se pesë milionë dollarë.

Sigmar Polke ka lënë mbrapa tij bashkëshorten Augustina von Nagel dhe dy fëmijë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›