Vdes tre ditë pas vetëhelmimit e reja, dyshime për mjekimin
Vdekja në spital e një 28-vjeçareje që ishte vetëhelmuar ka ngritur hije dyshimi mbi profesionalizmin e mjekëve të spitalit të Lushnjës. Mimoza Dervishi, 28-vjeçarja që banonte në fshatin Karbunarë të Lushnjës, e kishte kryer aktin e vetëhelmimit ditën e shtunë. Ajo kishte konsumuar një lloj herbicidi që përdorte familja dhe është ndier keq rreth mesditës, duke detyruar familjarët e saj ta dërgojnë në spitalin e Lushnjës. Duke qenë se herbicidi ka një efekt të ngadaltë dhe shkakton një gjendje më të lehtë intoksikimi se pesticidet apo fostoksina, nga ana e mjekëve ky rast është parë me optimizëm, duke e konsideruar atë të parrezikshëm për jetën. Por pas tri ditësh, gjendja e 28-vjeçares është rënduar së tepërmi dhe ndërhyrja e mjekëve ka qenë e kotë. Pas vdekjes së vajzës së re, mjekët kanë sqaruar se ajo nuk mund të shpëtohej pasi dhe helmi që kishte përdorur e kryen efektin e tij helmues në mënyrë graduale, duke mos lënë mundësi kurimi apo stabilizimi. Por ndryshe janë shprehur të afërmit e vajzës, të cilët kanë fajësuar mjekët. Ata janë shprehur se mjekët e kanë parë si një rast jo shumë të rëndë dhe kanë bërë përpjekje të pakta, duke mos e konsideruar si rast të rrezikshëm. Kur ata kanë parë gjendjen e rrënduar të saj kanë ndërhyrë por ka qenë vonë. Gjithsesi, familjarët e vajzës kanë vendosur që të mos e komentojnë shumë këtë ngjarje. Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për shkaqet e vetëvrasjes së 28-vjeçares. Sipas burimeve policore, qëndrimi për 28 vjet në derë të prindërve pa asnjë rast për martesë e ka detyruar Mimoza Dervishin të marrë këtë vendim fatal.