E Diel, 1 Nëntor 2026

Investimet e huaja, 850 ha park industrial në Durrës

Vendimi i qeverisë për ndërtimin e parkut industrial në Spitallë të Durrësit, i hap dritë jeshile shtimit të kapitaleve të huaja. Për këtë qëllim, Ministria e Ekonomisë në konferencën e djeshme ku morën pjesë mbi 20 investitorë të huaj, promovoi parqet industriale në Shqipëri, me fokus të veçantë parkun industrial të Spitallës, Durrës. Me një sipërfaqe prej 850 ha, Spitalla është parashikuar të jetë një projekt me vlera të konsiderueshme si në aspektin e investimeve të huaja që do të tërheqë në Shqipëri, ashtu edhe në përmirësimin e kushteve ekonomike dhe sociale të banorëve të zonës përreth duke parashikuar hapjen e rreth 30 mijë vendeve të reja pune. Parku ndodhet shumë pranë Portit të Durrësit dhe vetëm 15 km larg aeroportit ndërkombëtar "Nënë Tereza", në këtë pikë, Kryeministri Berisha ka sqaruar arsyet e ndërtimit të parkut në Durrës. Sipas tij, prania e parkut në autostradën Durrës-Kukës, e bën dhe më të rëndësishëm zbatimin e projektit. Për hartimin e projektit të parkut industrial janë dashur rreth 6 muaj. Në fjalën e tij, ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, tha se, "Projekti i Parkut Industrial në Durrës është shumë i rëndësishëm, jo thjesht sepse është sipërfaqja më e madhe që i alokohet zhvillimit të një parku, por sepse pozicionimi gjeografik, e bëjnë këtë projekt mjaft tërheqës dhe ekonomikisht të qëndrueshëm". Më tej ministri ka shpjeguar disa detaje të ligjit për zonat ekonomike, e cila përmban dy pjesë: atë të parqeve industriale dhe atë të zonave të lira ekonomike. Lidhur me parkun industrial të Durrësit, mësohet se, së shpejti do të fillojë ndërtimi i rrugës që lidh infrastrukturën kryesore të vendit me atë të parkut. Po ashtu, do të ndërtohen linjat e furnizimit me energji elektrike dhe ujësjellësit, duke përfshirë dhe rrjetin hekurudhor. Parku do të ofrohet me 1 euro për 35 vjet me koncesion.

Parku Energjetik

Në kufi të Parkut Industrial, një tjetër park do të ngrihet në funksion të sektorit energjetik. Kjo sipërfaqe është afërsisht 870 ha dhe do të përmbajë rafineri, fabrikë të prodhimit të biokarburanteve, depozita të gazit dhe naftës, termocentral etj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›