E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, prangoset pas dhjetë vitesh i kërkuari për vrasje

Arrestohet pas gjashtë vjetësh në kërkim një i dënuar për vrasje. Petrit Azemi është arrestuar nga forcat e operacioneve speciale gjatë një operacioni në Tiranë, pasi akuzohet për një vrasje të ndodhur në vitin 1998. I arrestuari është dënuar me 14 vjet burg për vrasjen e Bujar Hasanit në kryeqytet. Burimet policore të Tiranës bënë të ditur se dje në mëngjes është zhvilluar një operacion i forcave policore për kapjen e një të kërkuari për vraje. Sipas të dhënave zyrtare, specialistët e sektorit të operacioneve speciale dhe kërkimit realizuan kapjen e shtetasit në kërkim, Petrit Isuf Azemi, 29 vjeç, lindur e banues në Tiranë. "29-vjeçari Azemi u kap përgjatë orëve të para të mëngjesit, falë një pune profesionale disamujore për kërkimin e tij. Pas gjetjes së vendndodhjes, ai është mbajtur nën vëzhgim nga specialistët e këtij sektori, duke mundësuar lokalizimin e tij në Laprakë, në afërsi të Spitalit Ushtarak Tiranë", tha policia. Sipas tyre, pasi janë bërë verifikimet se ai ishte personi i shpallur në kërkim, forcat operacionale kanë organizuar operacionin për kapjen e tij, duke ndërhyrë që në mëngjes, kur ai po dilte nga banesa. Policia ka shpjeguar se ndaj tij, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendim të datës 19 dhjetor të vitit 2002, e ka dënuar me 14 vjet heqje lirie, pasi akuzohet për vrasjen e shtetasit Bujar Hasani. Grupi hetimor ka sqaruar se kjo ngjarje ka ndodhur për motive të dobëta më datë 16 prill të vitit 1998, në afërsi të Rrugës së Elbasanit në Tiranë. Fillimisht, policia nuk ka pasur prova për implikimin e tij dhe pas një hetimi afatgjatë ka mundur të dokumentojë këtë ngjarje, duke e dërguar në gjykata, ku edhe është dënuar në mungesë Petrit Azemi. Gjykata e ka shpallur fajtor atë për konsumim të veprave penale të "vrasjes me dashje" dhe "mbajtjes pa leje të armëve luftarake e municioneve". Nga të dhënat e dosjes penale mësohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti mes viktimës dhe autorit. Në dosje shkruhet se viktima kishte ngacmuar një kushërirë të autorit dhe në këto kushte, Petrit Azemi ka kryer ekzekutimin e tij.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›