Hetim policit, keqtrajtoi bashkëshorten
Një punonjës policie nuk ka të drejtë t‘i afrohet bashkëshortes, pasi është marrë në mbrojtje nga kolegët e tij, për arsye se kishte ushtruar dhunë mbi të. Fakti bëhet i ditur nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, e cila ka treguar se është lëshuar urdhri i mbrojtjes për Yllka K., e cila ka denoncuar se bashkëshorti i saj, Ibrahim K. kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike. Por, kur punonjësit e policisë janë vënë në dijeni të këtij rasti kanë mbetur të shtangur se dhunuesi nuk ishte një qytetar, i cili nuk njeh ligjin, por ishte një koleg i tyre, që aktualisht është me detyrë në Drejtorinë e Policisë së Dibrës. Sipas të dhënave nga policia, disa herë Yllka K. ishte paraqitur në komisariat për të denoncuar dhunën e ushtruar nga burri i saj polic. Por, përballë efektivëve të policisë kishte hezituar për të denoncuar të shoqin deri para pak ditësh, kur nuk ka duruar më. Ajo ka shkuar në polici dhe ka treguar se bashkëshorti ushtronte ndaj saj dhunë fizike dhe psikologjike. Në këto kushte, grupi i punës ka regjistruar denoncimin e gruas së kolegut të tyre dhe e ka marrë në mbrojtje atë, sipas ligjit për dhunën në familje. Nga ana tjetër, punonjësi i policisë është thirrur në Drejtorinë e Policisë, ku ka dhënë deklarimet e tij në lidhje me këtë denoncim dhe nuk e ka pranuar akuzën. Megjithatë, kjo nuk e ka shpëtuar atë nga shtrëngimi që mos t‘i afrohet të shoqes dhe nisjen e procedimit penal për të, i cili do të ndiqet në gjendje të lirë.