E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i BE, progres apo regres

Po bëhet një javë që nuk mbarojnë sherret midis mazhorancës dhe opozitës lidhur me atë nëse raporti i komisionit të BE-së ishte pozitiv apo negativ ndaj qeverisë, nëse ai tregonte se kemi bërë progres apo regres. (Më duhet të them se, teksa shkruaja këtë artikull, ndodhi shembja e pallatit në Gjirokastër, që, siç ndodh rëndom tek ne, u dha fund sherreve të “progres-raportit”, për të hapur sherret e “progres- ndërtimit”, sipas teorisë tashmë të njohur “skandali mbulon skandalin”. Megjithatë, sipas meje, edhe shembja e atij pallati duhet integruar në debatin nëse kemi progres apo jo).Mund të ketë shumë kritere për të matur progresin apo regresin e një shoqërie. Në fakt, në botën e pasur të ideve e në mendimin filozofik të vendeve prej të cilëve është hartuar raporti ka mjaft kritikë edhe ndaj vetë konceptit të “progresit”, ashtu sikurse edhe më tepër ndaj atij të “zhvillimit”. Ka madje që i ndajnë njërin nga tjetri. Pier Paolo Pazolini thoshte: “Jam për progresin, por kundër zhvillimit”. Dhe nuk mund të mos i japësh të drejtë kur sheh të quhet “zhvillim” kthimi i bukurive natyrore, të trashëgimisë kulturore  në shëmtira betoni, apo ndotja e ajrit me tym qymyri e makinash deri në atë shkallë, sa ta sëmurë njeriun.Por këtu nuk po merrem me çështjen e dallimit midis progresi e zhvillimit. E përmenda vetëm sepse kam bindjen se, në emër gjoja të “progresit” apo “zhvillimit” si sinonim të tij, vërtet po na përgatitet një katastrofë, ndoshta edhe më e madhe sesa ajo që na bëri Enver Hoxha me bunkerët e me metalurgjikët e superfosfatët e tërë monstrat që mbolli në truallin shqiptar. Nëse projektet për parqet energjetike e TEC-et me qymyr e naftë ambasadorët evropianë i quajnë sukses, siç duket në raport dhe siç tha ministri Ruli kur vuri në dukje se raporti flet për përparim në sektorin e energjisë, mund të them me bindje se ky është një sukses për ambasadorët që kanë arritur të përdorin babëzinë e korrupsionin e Rulit me shokë për të na mbjellë në këtë vend TEC-e me qymyr e TEC-e me naftë që nuk i mbjellin dot në vendet e tyre e për të na përdorur si koshin e plehrave të tyre. Dyshoj shumë se disa nota pozitive që kishte raporti lidhen pikërisht edhe me këto allishverishe, ndaj të cilëve tashmë kemi vënë re se nuk janë të imunizuar edhe perëndimorët që i kemi idealizuar aq shumë, duke i konsideruar si shpëtimtarët tanë.Por në këto komente mbi progres-raportin dhe debatin mbi të desha të vë në dukje veçanërisht një kriter apo pikë referimi që mund të përdorej edhe si tregues progresi apo regresi. Dhe kjo, ndryshe nga TEC-et apo nga ligjet e aprovuara, besoj se është jashtë çdo dyshimi se vlen të merret si pikë referimi e padiskutueshme për të matur progresin. E kam fjalën për atë se sa kemi arritur ne të ndërtojmë në këtë vendin tonë e në këtë shoqërinë tonë vetëmjaftueshmëri për sa i përket aftësisë për të gjykuar vetë nëse kemi arritur progres, apo jemi në regres. D.m.th., sa kemi ne institucione të besueshme, fjala e të cilëve të merret për bazë, siç merret e ajo e të huajve. Sepse a nuk është qesharake që kemi një javë që merremi me raportin e BE-së, sikur shqiptarët të jenë të gjithë të shtruar në spital me sëmundje sysh e veshësh dhe me turbullira mendore të papara që nuk i lënë të masin progresin apo regresin e shëndetit të tyre. Pra, sikur të kenë ardhur mjekët nga Perëndimi për të na matur temperaturën, për të na bërë analizat e për të na thënë nëse jemi shëndoshë apo sëmurë dhe nga se vuajmë? Në fakt, shqiptarët e dinë gjendjen e vetes, e shohin dhe kanë vlerësimet e tyre për këtë, por nuk ka institucione tek të cilët ata të besojnë se po shprehin të vërtetën që ata shohin me sy e dëgjojnë me veshë. Si ka mundësi, që gjithë këto media që kemi - më shumë se në të gjithë Evropën po të llogaritet në raport me numrin e popullsisë - të mos arrijnë të na japin një gjykim të saktë? Sepse disa i ka blerë Edi Rama me pallate, disa i ka blerë Berisha me tenderë, të thotë mileti, prandaj nuk besohen. Po si ka mundësi që ne nuk kemi institucione të tjera të shoqërisë civile që të jenë të besueshëm? Sepse edhe ato janë të blerë apo janë thuajse inekzistente. Prandaj na kanë mbetur vetëm raportet e BE-së, apo fjala e ambasadorit amerikan. A nuk është kjo shenjë se nuk kemi bërë progres? Sipas meje, po. Madje di të them se sot, sipas meje, ka regres në këtë drejtim, sepse ka më pak se dje institucione të tillë të pavarur, pasi dy partitë kryesore që janë të dyja në pushtet sot, dora-dorës që e rrisin pushtetin e tyre, kanë ndërtuar një sistem të tillë korruptimi e klientelizmi, kur o duhet t’i shërbesh njërës, o tjetrës, përndryshe ngordh për bukë, gjë që ishte bërë më pak e zhvilluar disa vite më parë, kur intelektualët dhe OJQ-të e me radhë jetonin shumë më të pavarur (fatkeqësisht në sajë të ndihmave të Perëndimit, që sot ose nuk ekzistojnë më, ose janë pakrahasimisht më të pakta sesa mundësitë që ka mafia politiko-ekonomike për të korruptuar). Por ka edhe një shenjë tjetër që tregon se jo vetëm nuk kemi bërë progres, por ndoshta kemi bërë edhe regres. Një nga kriteret kryesore të matjes së progresit, sikurse besoj se mund të bien dakord edhe evropianët, është ai që lidhet me atë se sa jemi pjekur si shoqëri, si klasë politike gjithashtu. Dhe një nga shenjat e pjekurisë së klasës sonë politike është edhe mënyra sesi reagojmë ndaj një raporti të tillë, ku duket sheshit se ka edhe mjaft kritika. Po të lexosh raportin me kujdes, do të vesh re se atje për shumë nga çështjet më problematike të vendit, si lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, trafiqeve të drogës e prostitucionit, të ndotjes së ambientit është përdorur togfjalëshi “limited progress”. Fjalë për fjalë ky do të përkthej “progres i kufizuar”, por më shqip duhet përkthyer “progres i pakët” apo “progres modest”, siç përdoret në ndonjë paragraf tjetër. Për këdo që njeh gjuhën diplomatike, është e qartë se këtu kemi të bëjmë me një mënyrë eufemike për të kritikuar, për të thënë se nuk jemi të kënaqur, pasi kërkohet shumë më tepër. E këtu dua të ngulmoj se, veçanërisht mazhoranca në pushtet, por edhe opozita, nëse do të gëzonin pjekurinë për të cilën bëj fjalë, do të duhej të reagonin ndaj këtyre vlerësimeve jo duke i injoruar ato, sikurse bën mazhoranca, dhe as duke i mbitheksuar ato si kritika vetëm ndaj qeverisë, siç bën opozita, por duke reflektuar mbi to, duke vënë gishtin mbi përgjegjësitë vetjake, e duke falënderuar për to. Kush bën një punë dhe synon ta vazhdojë atë duke e përmirësuar, kërkon të dijë se çfarë ka bërë mirë dhe çfarë keq, në mënyrë që të korrigjojë veten. Kurse këta tanët kapen tek ndonjë fjalë e mirë për t’ua tundur atë si flamur fitoreje shqiptarëve, apo tek ndonjë fjalë e keqe për ta përdorur si stërkëmbësh për kundërshtarin. Në këtë aspekt, klasën e sotme politike e shoh jo më të pjekur, por gjithnjë e më të degraduar, sepse është gjithnjë e më të paaftë për të dëgjuar kritikën, prandaj me shpresa “modeste” për të na sjellë progres.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›