E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diplomacia, ofensivë kundër homofobisë

Ambasadorët Withers dhe Borchard, në Lezhë: Tregoni se dini të respektoni pakicat

Reagimet homofobike të disa të rinjve lezhjanë kanë nxitur ambasadorin amerikan, John Withers, dhe atë gjerman, Bernd Borchard, të organizojnë një takim me pushtetarë dhe qytetarë të Lezhës.
Takimi u zhvillua në mesditë në ambientet e bibliotekës së qytetit, ku të pranishëm ishin edhe zv/ministrja e Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Filloreta Kodra, prefekti i Lezhës, Pal Dajçi, drejtori i Policisë së Qarkut, Muharrem Furriku, përfaqësues të bashkisë së qytetit dhe intelektualë të ndryshëm. Siç ishte lajmëruar, tema e diskutimit ishte homofobia, e shfaqur në këtë qytet me protestat e disa të rinjve dhe me një prononcim në televizion të dy prej tyre, ku Klodian çela, kandidati homoseksual i “Big Brother Albania” dhe familja e tij, kërcënoheshin me jetë.
Takimi ka nisur i qetë, por më pas ka pasur debate, pasi sipas të pranishmëve, familja çela kishte pesë vite që nuk jetonte në këtë qytet, por në Durrës. Kjo ka ngjallur reagimin e nënës së Klodian çelës, por edhe të dy ambasadorëve, të cilët janë shprehur se një njeri duhet të jetojë jashtë kërcënimeve qoftë për një ditë në qytetin ku ai qëndron.

Sekretari i Bashkisë së Lezhës, Pashk Smaçi, i cili hapi këtë takim, theksoi se “Lezha shquhet për harmoninë mes banorëve të ardhur nga zona të ndryshme të vendit, për harmoninë mes komuniteteve fetare dhe për një klimë të qetë politike”. Në këtë logjikë, Smaçi tha se lezhjanët duhet të përcjellin me të njëjtën maturi të gjitha proceset.

Pas tij e ka marrë fjalën përfaqësuesja e qeverisë, Filloreta Kodra, e cila i ftoi lezhjanët të distancohen nga “këto iniciativa sporadike”.

Ndërsa nëna e Klodian çelës, Lume çela, tha se edhe ajo nuk e kishte pritur me gëzim lajmin se i biri ishte homoseksual, por si nënë e mbështeti atë. Pasi falënderoi ambasadorin amerikan për mbështetjen që në momentet e para, zonja çela u bëri thirrje të gjitha nënave që kanë problemin e saj, të mbështesin bijtë e tyre dhe të kërkojnë ndihmën e autoriteteve nëse është e nevojshme.
Ambasadori Withers, iniciator i këtij takimi, vuri theksin te rëndësia e respektimit të të drejtave të njeriut. Ai tha gjithashtu se edhe e drejta e protestës duhet respektuar, por askush nuk duhet të ndihet i kërcënuar. “Pak javë më parë, një i ri i guximshëm, i quajtur Klodi çela, deklaroi publikisht në televizion, në programin e njohur ‘Big Brother’, që është homoseksual. Pak kohë më pas, kjo grua e jashtëzakonshme që është ulur pranë meje, doli publikisht për të mbështetur djalin e saj me një prej fjalimeve më prekëse që kam dëgjuar ndonjëherë. Unë e përshëndes për kurajën e saj. Familja e saj është nga Lezha. Në këtë qytet pati disa njerëz që pas këtyre ngjarjeve reaguan në mënyrë homofobike. Unë e respektoj, nuk e sfidoj, të drejtën e atyre personave për të shprehur mendimet e tyre lirisht. Gjithmonë do ta respektoj fjalën e lirë. Por kur këta persona kalojnë nga shprehja e mendimeve në veprime armiqësore dhe në kërcënime për veprime kundër familjes çela, kësaj familjeje të mirë, duke i detyruar ata me gjithë këtë trysni që të braktisin shtëpinë e tyre – nuk kemi më të bëjmë me shprehje të mendimeve, por me diskriminim”, tha Withers.

Withers tha gjithashtu se ligji shqiptar mbron të drejtat e njeriut dhe kjo përfshin të drejtën për të jetuar në paqe dhe liri, pavarësisht nga orientimi seksual. “Klodi e ka këtë të drejtë, znj.çela e ka këtë të drejtë, për të jetuar këtu pa frikë, në shtëpinë e tyre dhe të ecin lirisht në këtë qytet ashtu si çdo qytetar tjetër shqiptar. Ajo ka jo vetëm të drejtën dhe mbrojtjen ligjore për ta bërë këtë, por ka edhe të drejtën morale bazuar mbi vullnetin e mirë të të gjithë atyre njerëzve që besojnë te liria e drejtësia, qofshin shqiptarë apo të huaj”, tha ambasadori amerikan. Duke qenë se një pjesë e madhe e banorëve të Lezhës janë të besimit katolik, ambasadori Withers u kujtoi atyre edhe qëndrimin e papa Benediktit XVI ndaj homofobisë. “Më lejoni, tha ai, t’ju lexoj atë çfarë ka thënë Papa Benedikti mbi këtë çështje pak vite më parë: është e mjerueshme që personat homoseksualë kanë qenë dhe janë shënjestër e keqdashjes së dhunshme në fjalë apo veprime. Një trajtim i tillë meriton dënim nga priftërinjtë e kishës, kudo që të shfaqet… Dinjiteti thelbësor i çdo njeriu duhet respektuar gjithmonë me punë, me vepra dhe në ligj.”

Ndërsa ambasadori gjerman, Bernd Borchardt, u tha lezhjanëve se homoseksualët duhen trajtuar si të gjitha pakicat e tjera, sepse të tillë janë dhe se shqiptarët shquhen për tolerancë ndaj pakicave. “Shqiptarët janë pakicë në shumë vende ku jetojnë. Të gjitha këto grupe shqiptarësh ankohen për diskriminimet që u bëjnë. Të njëjtën indinjatë kanë edhe anëtarët e pakicës së homoseksualëve, që trajtohen në këtë mënyrë diskriminuese”, tha Borchard. Më tej ai tha se “gjatë jetës time kam pasur dhe kam shumë miq, por edhe të njohur me prirje të tilla, por janë me të vërtetë njerëz të respektuar dhe shumë të mirë. Unë nuk e di nëse Klodi është njeri i mirë, por di që është një njeri i guximshëm në mbrojtje të të drejtave të pakicave”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›