Vejusha e Arkanit dhe kultura shqiptare
Emin Azemi
Rënia e ngadalshme e barrierave kufitare në kuptimin e këmbimit të ideve, vlerave e kapitalit, është një favor që duhet vënë në lëvizje. Maqedonia ka të nënshkruara disa protokolle bashkëpunimi me shtete të ndryshme, duke përfshirë edhe ato të rajonit. Por, nga ajo që mund të shohim në praktikë, pak po bëhet që këto dokumente bashkëpunimi të bëhen realitet.
Ekzistimi i një hapësire kulturore te shqiptarët, ka qenë me vite të tëra një ëndërr. Të qenit të ndarë në pikëpamje shtetërore-administrative, shqiptarëve nuk ua mohon ambicien që të ngrenë në një nivel më të lartë bashkëpunimin kulturor.
Jo se atyre ua ka ndaluar dikush, por fitohet përshtypja sikur shqiptarët, sidomos ata në Maqedoni, janë bërë peng të politikave ditore që prodhojnë koniunkturat politike, ato që janë tash në pushtet dhe ato që dikur ishin.
Një diplomat i huaj që shërben në Shkup ishte mahnitur nga performanca artistike e një grupi muzikor nga Tirana, të cilin kishte pasur rast ta shikojë në verën (e shkuar) të Ohrit. Por, atij i ishte dashur të shkojë në Ohër që të bindet se te forcat krijuese shqiptare ka vlera të krahasueshme edhe me ato botërore.
Lajmet e fundit nga Tirana e Prishtina tregojnë për disa paraqitje dinjitoze të artistëve të teatrit, muzikës e pikturës, në metropolet e ndryshme të botës. Ndonjë prej tyre madje është kthyer edhe i shpërblyer brenda një konkurrence të rreptë vlerash e afinitetesh krijuese të përmasave të përbotshme.
Në Shkup, si më dendur, na rastis të shohim pllakate që lajmërojnë ardhjen e ndonjë ylli të folkut nga hapësirat e ish-Jugosllavisë. Madje, thuhet se dhjetëra taksi të Shkupi kishin bartur tifozë të çmendur nga Kosova, që kishin ardhur për ta dëgjuar vejushën e Arkanit, Ceca Razhnjatoviq.
Që të jetë absurdi më i madh, ishte Ministria e Kulturës e Maqedonisë ajo që ndau një shumë marramendëse parash për organizimin e këtij koncerti. Për vejushën e Arkanit u çua në këmbë tërë një ministri dhe mijëra shqiptarë për ta mbajtur gjallë frymën e një arti të deplasuar dhe të mykur. Aferim!
Në Shkup kemi harruar kur është organizuar ndonjë koncert i Filarmonisë së Tiranës, ndonjë shfaqje teatrore e Prishtinës, apo është ftuar ndonjë shkrimtar shqiptar i kalibrit të Kadaresë, ndonjë artist i formatit të Belushit. Ne sikur jemi bërë pjesëmarrës të një histerie kolektive për të përtypur jovlerat që na i servon çarshia maqedonase dhe injoranca shqiptare (e injektuar në politikë).
Sikur të kishim prurje më të shumta të vlerave krijuese shqiptare në Shkup, me siguri do të zbeheshin edhe stereotipet për shqiptarët që janë të ngulitura te një pjesë e opinionit maqedonas dhe te shumë diplomatë të huaj. Këta të fundit madje nuk do të kishin nevojë të shkojnë në Ohër “ta shuajnë etjen” për të dëgjuar a shikuar një trupë të shkëlqyeshme artistike shqiptare.
Një shërbim të keqafirmimit dhe bashkëpunimit kulturor ndërshqiptar po i bëjnë edhe disa kasnecë të bajraktarizmit nga Maqedonia, të cilët vetëprezantimin e tyre në Tiranë a Prishtinë e vendosin mbi do farë linjash monopolizuese, duke i mëshuar telit të përjashtimit të gjithçkaje që nuk është e rrethit a lobit të tyre krijues.
Tashmë është bërë e modës që kasnecët e tillë t’i kenë “mediat e tyre”, “kritikët e tyre” dhe “lavdëruesit e tyre” që prodhojnë “yje të vegjël” në orbitën e madhe, rreth së cilës rrotullohet vetëm ylli i tyre i prereferuar. Mediokriteti i tillë që paketohet si vlerë përfaqësuese është një ushqim i përkohshëm që mund të shuajë urinë e rastit, por kulturës shqiptare në përgjithësi i krijojnë tejngopje me pompozitete që janë shumë larg të qenit realiste e të paanshme.
Shqiptarët në Ballkan nuk kanë vetëm politikanë dhe krijues mediokër. Për t’i ofruar ata të tjerët që kanë pak më shumë vlera, nevojitet një qasje tjetër, një menaxhim tjetër kulturor, i cili në asnjë mënyrë nuk do të duhej të ishte në duart e aparatçikëve partiakë.
Është mirë që CV-të e aparatçikëve t’i lëmë pa këtë pjesë të punëve shqiptare.
(Autori është kryeredaktor i gazetës “Fakti” të Shkupit)
Imuniteti i Berluskonit përball ligjit
Stefan Troendle
Kryeministrit italian Silvio Berlusconi mund t`i bëhet proces gjyqësor për korrupsion dhe mashtrim. Ditën e enjte Gjykata Kushtetuese në Romë shfuqizoi pjesërisht ligjin e Berluskonit për imunitetin. Para ligjit janë të gjithë të barabartë. Kjo fjali është shkruar në të gjitha sallat italiane të gjyqeve. Dhe Gjykata e Lartë italiane i tregoi edhe një herë Silvio Berluskonit se kjo vlen edhe për të.
Berluskoni: Gjykata Kushtetuese e tepron
Si i vlerëson Berluskoni gjykatësit në përgjithësi dhe ata kushtetues në veçanti, e tregoi gjatë vizitës së tij në Berlin: gjatë konferencës së shtypit me kancelaren gjermane, Angela Merkel më 12 janar, ai tha se gjykata në Itali është kthyer në instrument pushteti juridik dhe e tepron me rolin kushtetues. Për më tepër, e gjithë kjo është qesharake dhe se atij aq i bën nëse zhvillohet apo jo proces kundër tij. Shprehja e fytyrës së kancelares gjatë sharjes së padenjë të gjykatësve nga një kryeministër, ia vlente të shihej.
Mënyra si e kupton Berluskoni drejtësinë dhe demokracinë është e thurrur shumë thjeshtë. Kush e kritikon atë personalisht nuk kritikon personin e Berluskonit, por kryeministrin në post, duke dëmtuar kështu imazhin e vendit. Të gjithë ata që janë kundër tij, i bie të jenë komunistë, sepse në fund të fundit është ai që ka gjithnjë të drejtë dhe që vepron gjithnjë si duhet. Pas shpalljes së gjykimit, që ishte shumë dërmues për të, me siguri do t'ia ketë vlejtur ta shihje edhe shprehjen e tij të fytyrës.
Duke patur parasysh tri proceset kundër tij, Berluskonit do t`i duhet në të ardhmen që ta përshtasë kalendarin e takimeve me gjykatën. Sepse vendimin, nëse një arsye është e mjaftueshme për ta shtyrë një seancë gjyqësore nuk do ta marrë më ai, por gjykatësit. Kështu që vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte absolutisht i denjë për një demokraci dhe ligji për "pengimi në përputhje me ligjin" e mban tani me të drejtë emrin e kësaj Gjykate.
Pritet zvarritje e proceseve gjyqësore
Gjykatësit pranuan se ka punë qeveritare, të cilant kanë fillimisht kanë prioritet. Por ata hodhën poshtë me të drejtë justifikimin automatik të vazhdueshëm të Berluskonit se ka gjithnjë punë për të bërë.
Nëse Berluskoni do të dalë vërtet para gjyqit është e diskutueshme. Fillimisht zgjat një muaj deri sa vendimi të hyjë në fuqi. Numri i takimeve prej të cilave Berluskoni nuk mund të heqë dorë do të shtohet në mënyrë masive. Avokatët e tij nuk do të lënë gur pa lëvizur për t'i zvarritur proceset. Një prej rasteve ka mundësi të mos ndiqet juridikisht, për arsye të kalimit të afatit kohor.
Përveç kësaj, bashkëpunëtorët e kryeministrit italian, me siguri po planifikojnë të nxjerrin një version të ri të ligjit të imunitetit. Edhe nëse nuk do të jetë shumë e lehtë që ai të kalohet në parlament, për shkak të shumicës me diferencë të vogël të votave. Po ashtu ka edhe gjëra të tjera të paparashikueshme. Gjykata Kushtetuese ka lejuar zhvillimin e një referendumi për ligjin e imunitetit të Berluskonit. Nëse mblidhen votat e duhura, atëherë mund të hidhet poshtë edhe pjesa e mbetur e ligjit.
Qeveria Berluskoni nuk do të ketë me sa duket kohë që të merret me reformat e premtuara që prej 16 vjetësh, sepse do t`i duhet sërish të merret me veten. Megjithatë dita e djeshme (13 janari) ishte një ditë e mirë për Italinë.
Marrë nga Dojçe Vele
15 Janar 2011