E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthehen maskat, brenda javës konfirmohen 8 raste të reja me AH1N1



Lizeta Duro
Autoritetet e shëndetësisë konfirmojnë 8 raste të reja të prekur nga virusi AH1N1. Aktualisht disa nga këta pacientë të prekur vazhdojnë të trajtohen pranë spitalit infektiv në Tiranë. Mjekët thonë se fatmirësisht ata janë jashtë rrezikut për jetën ndërkohë që personat vuajnë dhe nga sëmundje të tjera. “Rastet po vinë duke u shtuar në Spitalin e Infektivit në QSUT. Një pjesë e tyre mjekohen ambulatorisht edhe me preparate antivirale siç është Tamiflu-ja. Raste të cilat kanë nevojë për ndjekje të kujdesshme shëndetësore i nënshtrohen trajtimit në spital. Rastet janë nga Tirana, nga mosha 15-70 vjeç. Me problematike është për personat që kanë sëmundje të tjera siç është diabeti, sëmundjet kronike të zemrës, të mushkërive” shprehet Klodi Shkurti, mjeke infeksioniste në QSUT.
Apeli
Frika nga virusi AH1N1 bën që pacientët të drejtohen direkt në Urgjencat Spitalore duke anashkaluar kështu ambulancat e lagjes apo qendrat shëndetësore të specializuara. Pacientët sapo preken nga simtomat e para të gripit sezonal dynden në QSUT, duke shkaktuar në qendrën spitalore më të madhe në vend “Nënë Tereza” fluks të papërballueshëm për mjekët atje si dhe duke mos zbatuar sistemin e referimit i cili parashikon fillimisht vizitë nga mjeku i familjes. “Çdo ditë ne përballemi me 50-70 raste që paraqiten në ugjencë, nga të cilët, më shumë se gjysma paraqesin sindromë gripale. Jo të gjithë kanë indikacione për të ardhur në spital. Duhet të kontaktojnë me mjekun e familjes. Ai do vlerësojë gjendjen dhe në rastet që ai e gjykon që është urgjencë për të ardhur në spital ne jemi të gatshëm t’i shërbejmë në çdo orë të ditës” thekson Shkurti. Mjekët thonë se qytetarët duhet të sensibilizohen dhe të kërkojnë ndihmë në qendrat shëndetësore pasi edhe në këto qendra Ministria e Shëndetësisë ka marrë të gjitha masat për të trajtuar pacientët. Në çdo qendër shëndetësore janë ngritur dhomat e rehidrimit, mjekët kanë informacionin e duhur për trajtimin e të prekurve nga gripi dhe ekzistojnë të gjitha barnat e urgjencës.

Rreziku
Sipas specialistëve, personat që rrezikojnë më shumë për t’u prekur janë fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë duke qenë se trupi i tyre ka imunitet shumë të dobët. Për këtë kategori vaksina kundër gripit është e domosdoshme sepse komplikacionet dhe pasojat mund të jenë më të rënda se tek personat e tjerë më të shëndetshëm. Aktualisht të sëmurët kronikë, të moshuarit dhe fëmijët e vegjël janë prekur nga infeksionet e sipërme në rrugët e frymëmarrjes ose siç e quajnë mjekët rinoviroza. Por nuk përjashtohen as sëmundjet e tjera me origjinë virale, apo bronkopneumonitë me origjinë bakteriale. Sipas specialistëve, gripi është shumë më i rëndë se virozat e stinës, pasi nëse ai nuk parandalohet duke u vaksinuar apo duke marrë medikamentet e këshillueshme, mund të ketë efekte të parikuperueshme në shëndetin e njeriut.
Virusi AH1N1
Rastin e parë me virusin AH1N1, këtë vit, specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të ISHP-së e zbuluan në javën e parë të janarit ndërkohë që në vendet e rajonit ishte shfaqur që në fillim të muajit dhjetor. Gripi i derrave shoqërohet me një problem frymëmarrjeje tipike që shfaqet tek derrat dhe që shkaktohet nga një virus i veçantë gripit të tipit A. Mundësia për t’u infektuar është më e madhe tek njerëzit që janë në kontakt direkt me këto kafshë, por pas të prekurit të parë kjo sëmundje fillon të përhapet me shpejtësi nga një person tek tjetri. Simptomat e këtij gripi tek njerëzit janë të ngjashme me simptomat e një gripi normal, temperaturë, kollë, dhembje koke, marrje mendsh dhe këputje.
Mbrojtja nga gripi
Mjekët thonë se mjafton një dozë e vaksinës së gripit të inaktivuar, e cila është imunogjenike për individët e të gjitha moshave përveç fëmijëve të vegjël. Fëmijët e vegjël që nuk kanë qenë vaksinuar, për të pasur një efikasitet të lartë të vaksinimit rekomandohet të marrin 2 doza të vaksinës (sipas dozimit për fëmijët) në një interval kohor të paktën 4 jave midis dozave. Përveç rëndësisë së marrjes dhe aplikimit të vaksinës mjekët epidemiologë këshillojnë gjithashtu: Të evitoni kontaktet me njerëzit e sëmurë me gjendje gripale, edhe individët e sëmurë me grip të evitojnë kontaktet me personat e tjerë. Të merren masat bazë higjienike në veçanti, të mbajmë shami kur kollitemi dhe teshtijmë, të eliminojmë pështyrjen në tokë dhe larja e duarve është e efektshme në parandalimin e gripit. Efekti i mbrojtjes imunitare tek personat që aplikojnë vaksinën fillon të shfaqet një javë deri në dy javë pas aplikimit të vaksinës. Vaksinimi rekomandohet të kryhet pranë institucioneve shëndetësore. Vaksina mund të aplikohet nga çdo person, përfshi gratë shtatzëna, por këshillohet veçanërisht te disa grupe të popullatës, për arsye të riskut më të lartë për komplikacione nga gripi si: Fëmijët mbi 6 muajsh, të sëmurët kronikë, personat mbi 60 vjeç, personeli i shkollave, kopshteve, çerdheve etj.

Rekomandimet

Të mos konsumohet ujë i ftohtë;

Të konsumohen sa më shumë lëngje, në temperaturë ambienti dhe çaj jo shumë të nxehtë;

Veshjet të jenë në bazë të temperaturës së ajrit;

Të konsumohen lëngje pa gaz, dhe ushqime të freskëta e të kontrolluara;

Këshillohet sidomos lëngu i portokalltit;

Përdorimi i frutave me vitaminë C;

I domosdoshëm vaksinimi anti-grip sidomos për të sëmurët kronikë, fëmijët dhe të moshuarit;

Këshillohet higjienë maksimale vetjake, në ambientet e shtëpisë dhe punës;

15 Janar 2011

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›