E Diel, 1 Nëntor 2026

Vejusha e zezë rikthehet e rrezikshme, 2 persona rrezikojnë jetën në Fier

Një 44 vjeçar dhe një 16 vjeçare përfundojnë në spital pas pickimit nga merimanga helmuese
Stina e nxehtë, që në fillim të saj ka shënuar dy viktima të insekteve helmuese. Vetëm ditën e djeshme Vejusha e zezë ka debutuar fuqishëm duke pickuar dy persona, banorë të rrethit të Fierit, të cilët kanë përfunduar në spital. Rasti i parë është Marin Plaku, 44 vjeç nga fshati Belishovë, i rrethit të Mallakastrës, ndërsa rasti tjetër ka qenë një nxënëse e vitit të dytë, 16 vjeçarja me inicialet M. G., nga qyteza e Roskovecit. Të dy të prekurit nga fenomeni merimangë kanë rrezikuar seriozisht jetën. Ndërkohë mësohet se 44 vjeçari ka qenë duke punuar tokën në largësi të shtëpisë kur ka ndier pickimin. Sipas familjarëve të tij, Plaku kishte ndier një pickim therës në pjesën e parakrahut teksa ishte duke punuar rreth orës 10:00 të paradites së djeshme. Sapo e ka pikasur këtë ndjesi, Marini ka kontrolluar aty përreth duke menduar se e kafshoi gjarpri. E vetmja gjë, që kishte parë, kishte qenë një merimangë helmuese. I trembur nga ky fakt, fermeri i është drejtuar me urgjencë spitalit, ku është marrë në patronazh nga mjekët. Fatmirësisht, aktualisht ai është jashtë rreziku për jetën. Por, me vdekjen duket se ka luftuar vajza 16 vjeçare nga Roskoveci, e cila  kishte më shumë se 13 orë, që ishte pickuar nga merimanga dhe e kishte neglizhuar këtë problem. Sipas të afërmve, vajza e re është pickuar gjatë kohës, që  pastronte lulet në oborrin e shtëpisë. Ishin familjarët e saj, ata që i shihnin dorën e djathtë  tek ënjtej pranë zonës së pickimit nga çast në çast, duke bërë që të alarmohen të gjithë. Të afërmit kanë treguar se vetëm pasi panë këto shenja, kishin pyetur vajzën se çfarë kishte pësuar. Ajo u shoqërua me të vjella dhe djersë të ftohta dhe në fillim, ne menduam se ishte ndonjë helmim nga ushqimet, por kur i pamë edhe dorën që  po ndryshonte formën, u trembëm. Pastaj vajza na tregoi se ku e kishte ndier pickimin. E sollëm në spital, sepse e kuptuam që bëhej fjalë për pickim nga merimanga, ka treguar Nazmi Goga, xhaxhai i vajzës. Pas interesimit të mjekëve, vajza ka filluar të marrë veten, por, gjithsesi vazhdon të jetë nën kujdesin e mjekëve. Mjeku toksikolog, Kilo Stoja ka deklaruar se të dy pacientët me gjithë problemet janë jashtë rrezikut për jetën, por fakti i neglizhencës së vajzës, duhet bërë mësim për të gjithë të tjerët që janë në kontakt me ambientin jashtë, sidomos ata që punojnë në ara dhe vreshta. Të dyja rastet, të parat për këtë sezon të nxehtë, kanë qenë problematike. Vajza e re ishte më rëndë, vetëm se e kishte lënë veten pas dore. Ka ardhur me vonesë në spital dhe ka rrezikuar me të vërtetë  jetën. Unë dua që tu bëj thirrje edhe të tjerëve që janë në kontakt me këto insekte, të marrin menjëherë një konsultë ose të drejtohen në spital, pasi të mos harrojmë që nga helmi vdekjeprurës, shumë persona kanë humbur jetën. Madje mund tju them që për vajzën nga Roskoveci ka qenë një mrekulli që ajo shpëtoi, megjithëse edhe mjekët bënë të pamundurën, ka theksuar mjeku Stoja, ndërsa ka kërkuar me insistim rritjen e ndjeshmërisë së fermerëve. Por, një problem që ngrihet nga vetë fermerët është ai i mungesës së vëmendjes nga Drejtoria e Bujqësisë lidhur me dezinfektimin e zonave që konsiderohen si më të rrezikshmet në verë. Banorët, thonë se para viteve 90, të gjitha tokat spërkateshin, duke luftuar kështu mbijetesën e insekteve apo edhe zvarranikëve. Ndërsa në ditët e sotme, banorët theksojnë që prej 18 vjetësh gjithçka është lënë në harresë. Ndërkohë nga ana e Drejtorisë së Bujqësisë deklarohet se fermeri e ka pronën e vetë dhe duhet të jetë ai, që duhet të kujdeset për dezinfektimin apo shërbime të kësaj natyre. Gjithsesi, duhet thënë se banorët e zonëve rurale ndihen të kërcënuar nga merimanga, sidomos tani që edhe punët në arë janë më të shumta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›