E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, nxënësit angazhohen në pastrimin e mjedisit

Nxënësit e shkollave janë shndërruar në nismëtarë të një lëvizjeje për të mbajtur pastër mjedisin. Ata kanë nisur të nxisin eksperiencën e riciklimit të mbetjeve, veçanërisht atyre plastike që janë tejet të rrezikshme për shëndetin e njeriut kur digjen. Këto mbetje janë shndërruar në një problem të pazgjidhshëm edhe për shkak të faktit se shkatërrimi i tyre është i vështirë. Sipas specialistëve, ato mund të qëndrojnë në mjedis për dekada të tëra pa u shkatërruar, por vetëm duke shkaktuar ndotje. Ditëve të hëna, nxënës të shkollave të Korçës kryesisht ato 9 vjeçare do të grumbullojnë në një kontejner të posaçëm mbetje plastike si shishe, qese, apo ambalazhe me këtë material. Gjithçka ka nisur pak ditë më parë, ndërsa duket se në çdo fillimjavë kjo nismë po jep efekt pozitiv. Përmes një memorandumi të nënshkruar me Ministrinë e Arsimit dhe atë të Mjedisit, grupimi "Ekolëvizja" po vë në jetë projektin "Shqipëria ime e pastër dhe e bukur", mundësuar nga UNICEF me shtrirje edhe në qytetin e Korçës. Ky projekt është pjesë e programit të UNICEF-it "Iniciativa për edukimin mjedisor, orientuar nga fëmijët". Në këtë projekt parashikohet bashkëpunimi me fëmijët e disa shkollave për të ndikuar në familjet dhe komunitetet e tyre, me synimin për ti mobilizuar të gjenerojnë mbështetje publike për të ndryshuar sjelljen ndaj mjedisit. Synimi është që mjedisi të ruhet i pastër, duke depozituar mbetjet plastike, shishet dhe materialet e tjera për ti ricikluar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›