E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjerimi i rrugës Plepa-Golem bllokon trafikun, kaos masiv në rrugë

Zgjerimi i rrugës nacionale Plepa-Rrogozhinë ka bllokuar trafikun e mjeteve për 5 ditë me radhë. Rritja e temperaturave ditët e fundit ka bërë që pushuesit të dynden drejt plazheve në Shkëmbin e Kavajës dhe në Golem. Pushuesit ditorë, shumica e të cilëve vijnë nga Tirana, janë ndeshur që në fillim me një trafik mjaft të rënduar. Duke filluar nga Ura e Plepave dhe deri tek Përroi i Agait, kufiri ndarës midis Durrësit dhe Kavajës, qindra automjete kanë qëndruar të bllokuara për më shumë se dy orë. Dhjetëra efektiva të policisë rrugore të Durrësit kanë qëndruar në një distancë prej 500 metrash njëri pas tjetrit, por zhbllokimi i trafikut ka qenë i pamundur. Tre firmat ndërtuese që kanë fituar tenderin në tre lotet e parë të objektit Ndërtimi i baipasit Plepa-Kavajë-Rrogozhinë vazhdojnë njëkohësisht punën në të gjithë gjatësinë e aksit rrugor prej 3,5 km nga Plepat deri tek stacioni i trenit në Golem. Për shkak të punimeve që kryhen në të dyja anët e rrugës, firma ndërtuese kanë ngushtuar mjaft rrugën ekzistuese, ndërkohë që pompat e betonit dhe betonierët përgjatë gjithë aksit e kanë bërë të pamundur kalimin e mjeteve të tjera. Përfaqësues të firmave ndërtuese janë shprehur të indinjuar në lidhje me këtë situatë që është krijuar, pasi reagime ka nga biznesi vendas i restoranteve dhe hotelerisë si dhe nga strukturat qeveritare që kërkojnë përshpejtimin e punimeve. Ndërtimi i murit mbajtës në krahun që shtrihen hotelet dhe restorantet ka shkaktuar rrëmujë të madhe tek pronarët e këtyre bizneseve, të cilët ankohen se nuk kanë klientelën që prisnin në fillim të sezonit të plazhit. Protestat e tyre kanë penguar në një farë mënyre edhe firmat ndërtuese që e kanë ndarë gjatësinë 3.5 km në tre segmente në total. Lidhur me përfundimin e punimeve, burime pranë firmave ndërtuese kanë bërë të ditur se nuk ka shanse që ato të përfundojnë pas një muaji. Kjo do të thotë se pushuesit që do të kalojnë në këtë aks do të ndeshen me një trafik më të rënduar se ai që krijohej më parë për shkak të punimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›