Serbi, qeveria e re, më e madhja në rajon
Qeveria e re serbe do të jetë më e madhja në rajon, me 24 ministri dhe tre zëvendëskryeministra. Pakti për koalicionin u firmos mes presidentit Boris Tadiç dhe socialistëve të ish-diktatorit Millosheviç dhe minoritetit hungarez. Parlamenti më pas u mblodh në një sesion maratone, duke miratuar dy ligje për ti hapur rrugë qeverisë. Qeveria e Mirko Cvetkoviç do ketë një maxhorancë shumë të brishtë në Parlament, përballë një opozite të fortë të Tomisllav Nikoliçit dhe Vojisllav Koshtunicës të cilët u angazhuan seriozisht me partinë socialiste për formimin e koalicionit qeverisës. Ndërkohë faktorët perëndimorë kanë mirëpritur krijimin e një qeverie të udhëhequr nga forcat që mbështesin presidentin serb dhe frymën proeuropiane. Qeveria e re serbe është mirëpritur edhe nga autoritet më të larta të Kosovës edhe pse pritet që asnjë gjë të mos ndryshojë në lidhje me çështjen e Kosovës pasi presidenti Boris Tadiç ashtu si edhe kundërshtarët e tij politikë mbrojnë me fanatizëm Kosovën si një pjesë të pandashme të territorit të Serbisë së madhe.
7 Korrik 2008