E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kjo lajthitje të shëron

Kur shkrimtarit i duket sikur në libër nuk ka shprehur të vërtetën që e kishte menduar, atëherë e pushton një dëshpërim i madh dhe ai i drejtohet vdekjes. Kam bindjen se të paktë janë ata shkrimtarë, që e kanë arritur atë që kanë dashur. Në librin e

Pa këngë, fjalët janë të thata. Kjo ndihet tek unë dhe kështu dalin fjalët prej meje, sepse vazhdimisht këndoj. Lajthitja në librat e mi nuk është ajo e vërteta, siç shihet dhe konceptohet sot, ajo nuk është një lajthitje klinike. Lajthitja e personazheve të mia është mistike dhe ajo më mundon. Por kjo është lajthitje që i afron njerëzit, në vend që t’i largojë, prandaj mund të thuhet që është lajthitje që të shëron. Kjo është një mënyrë të jetuari. Po, në një mënyrë të tillë transmetohet mesazhi, që nuk do të mund të transmetohej ndryshe. I lajthitur është ai që arrin të shprehë atë, që është e pamundur ta shprehim ne.

Eli VIZEL (Nobel)

Unë nuk kam shkruar për t’u çliruar, përkundrazi, kam shkruar për të mos u çliruar, kam shkruar për të mbetur pikërisht “brenda”. Me fjalë të tjera, kjo gjë duhet të mbetet brenda meje, sepse ka shumë për të rrëfyer, ka gjëra që nuk i kam shprehur dhe ka mjaft dëshmi për t’u zbardhur nga dëshmitarët. Gjithashtu, ka kaq njerëz për të cilët ende nuk kam shkruar, më saktë, për të cilët ende nuk kam folur. Sikur tërë jetën të bëja vetëm këtë gjë, nuk do të arrija t’i rrëfeja të gjitha. Dos Pasos ka përshkruar Luftën e Parë Botërore, por përvoja jonë është plotësisht e ndryshme, sepse e kemi kaluar pragun e historisë dhe kemi qenë të pranishëm në gjëra, që asnjëherë më parë nuk janë kryer. Ne jemi ndeshur me tmerre e vdekje të panumërta, jemi ndeshur edhe me dinjitet njerëzor dhe me shumë gjëra të tjera, të cilat na kanë nxjerrë në pah.
Si shkrimtar, patjetër që do ta dëshiroja atë për letërsinë, por si hebre më shumë kam dashur ta fitoja çmimin për paqe. Unë jam i mendimit se letërsia ka qenë e detyruar dhe ka pasur mundësi që të kontribuonte për paqen, ndonëse për fat të keq, disa letërsi e kanë ndihmuar luftën. Por, meqenëse komiteti i çmimit “Nobel” më ka nderuar, duke marrë parasysh edhe romanet e mia dhe gjithçka që kam shkruar, do të thotë se nuk kam shkruar kot. Ashtu siç jam shprehur në fjalën time, çmimin “Nobel” ua kam kushtuar atyre që kanë mbetur gjallë nga kampet, dhe e rëndësishme është që njerëzit të bëhen të ndërgjegjshëm se nuk ishte gjë e vogël të mbijetoje në atë kohë. Në këtë kuptim, çmimi për paqen është nderimi më i madh para të cilit përulem.

* * *
Letërsia në përgjithësi është e pasur me situata, ku babai dhe i biri fyejnë njëri-tjetrin, madje edhe vriten midis tyre. Tek unë këto marrëdhënie janë ndryshe, plotësisht të kundërta, sepse ekziston një e fshehtë, e fshehta e marrëdhënieve të babait me të birin, në kuptimin e së ardhmes, në kuptimin e Trinisë së Shenjtë. Për mua nuk ka gjë më të bukur e më prekëse, sesa të shoh se si babai me të birin mbahen për dore dhe ecin bashkë, ose kur së bashku lexojnë një libër, gazetë apo bëjnë komente. Mua më pëlqen të përfytyroj se si babai dhe djali ndajnë një javë kohë për vete dhe të dy së bashku, po nisen drejt një aventure. Këtë gjë e dëshmoj para së gjithash, sepse vij nga një familje patriarkale.
Në ditët e sotme djemtë tanë janë shndërruar në baballarët tanë dhe kjo është tragjike. Por, në të njëjtën kohë, fëmijët tanë janë edhe bartësit e fjalës sonë. Sa e rëndë është për fëmijën kur, sapo rritet pakëz, në një moment e kupton se sa shpejt preken prindërit e tij. Zakonisht, në sytë e fëmijës prindërit janë simbol i fuqisë, i krijimit; për fëmijën ata janë të plotëfuqishëm nga të gjitha aspektet. Por, rastësisht, fëmija e mëson se ata ishin poshtëruar nga ana e esesëve, e idiotëve të plotëfuqishëm, se nëna apo babai ishte shndërruar në skllav, në një hiç dhe se ata e vuajnë këtë poshtërim. Si do ta perceptojë këtë gjë fëmija? Prandaj, në fazën e dytë apo të tretë, kryhet transfuzioni dhe fëmija bëhet baba dhe, sidoqoftë, ai do t’i mbrojë nënën e babanë. Tashmë ky fëmijë nuk është i zakonshëm, sepse nga një baba apo nënë e tillë, ai bart një kujtesë që përmban edhe pasuri, edhe trishtim, edhe përzemërsi.
Nëse përsëri mund t’i kthehet kujtesa, atë e bën libri, i cili na përket të gjithëve, sepse është shkruar nga breza të tërë. Fjala është për librin e lutjeve që quhet “Talmud”. Siç e dini, ai nuk është një libër i zakonshëm. Unë mbështetem shumë te lutjet: e para, sepse kur isha fëmijë, tërë kohën isha në vendin e lutjeve dhe e dyta, sepse duke qenë hebre, për mua të lutesh do të thotë të mësosh, të studiosh. Pasioni im i madh është të mësuarit, ku hyjnë edhe lutjet. Babai, që ka humbur kujtesën, është pushtuar nga një frikë e madhe. Por edhe mua vazhdimisht më tremb dobësimi i kujtesës, prandaj përfytyroj figurën e babait që e ka humbur atë.
Te Kafka gjejmë një personazh nga më tragjikët, i cili nuk është në gjendje të shpjerë një mesazh, se nuk e mban dot mend. Si një student i mirë e di se gjithmonë duhet shkruar përmbajtja. Pasi e lexova atë që kisha shkruar, mendova se ekziston diçka më e keqe, dhe ky është rasti kur lajmësi kishte harruar se nga e kishte marrë mesazhin. Prandaj nëpërmjet librit tim, rrëfimeve të mësimdhënies, jam përpjekur që të kujtoj se nga kush e kemi marrë mesazhin.
Çdo vdekje është një tragjedi, kurse çdo tragjedi është një skandal. Holokausti, asgjësimi masiv i hebrejve në Europë nuk mund të krahasohet me asnjë rast tjetër, sepse asnjëherë nuk ka ndodhur diçka e ngjashme. Thjesht, ai është diçka tjetër, ndryshe. Madje, edhe në kuptimin etik, e kam mësuar se është diçka ndryshe. Gjithmonë i ndjek ngjarjet nëpër botë dhe në çdo rast, kur ndodh ndonjë tragjedi, përpiqem të jem dëshmitar. Kam shkuar në vendin e ngjarjes edhe kur jeta ime ka qenë në rrezik, si për shembull, në konfliktin e Hondurasit me Nikaraguan. Atje u gjenda në xhungël, ku njeriu është në rrezik nga vetë natyra, për më tepër që jam edhe i ngathët, sepse duhej të udhëtoja me varka druri, ndërkohë që nuk dija as të notoja... Në Argjentinë shkova për të takuar nënat e djemve të humbur, kurse në Afrikën e Jugut për të protestuar kundër aparteidit. Për këtë popull kam qenë ndër të parët që kam shtypur butonin e alarmit, sepse pas lufte kam qenë edhe vetë refugjat dhe e kam provuar ndjesinë e pafuqishmërisë së refugjatit, të shkulur nga rrënjët e veta. Kam shkuar edhe në Kamboxhia, ndërsa askush nuk erdhi te ne hebrenjtë, kur kishim nevojën e miqve e dëshmitarëve.
Hebrenjtë nuk janë heronj, por njerëz të zakonshëm, ashtu si të tjerët, që përpiqen të dalin sa më mirë nga çdo situatë. Nga të gjithë popujt e përzënë prej trojeve të tyre, hebrenjtë janë të vetmit që kanë marrë me vete një libër fare të vogël, që është Torahu, pra Ligji. Ky libër i vogël e ka mbajtur atë në jetë dhe në të gjendet kyçi i kësaj mbijetese. Në mendjen time ekziston frika e madhe se mos kujtesa dobësohet dhe e mbulon realiteti i tmerrshëm.

* * *
Pjetër Rabiqi ishte një shkrimtar i madh, njeri i mrekullueshëm, që e kuptonte lumturinë, jetën. Rabiqi i mbijetoi kampit të përqendrimit, por përfundoi në vetëvrasje. Unë kam filluar një hetim nëpërmjet një ankete, jo midis atyre që në përgjithësi kanë mbetur të gjallë, por në radhët e shkrimtarëve që shpëtuan nga kampi i përqendrimit. Por kam ardhur në një përfundim të tmerrshëm: një numër i madh shkrimtarësh që i kanë mbijetuar holokaustit ka përfunduar në vetëvrasje, si në Francë, në Izrael e Poloni. Gjithashtu, kam njohur një grua me mbiemrin Kuber, të cilën e thërrisnin “nëna e fëmijëve”. Të dy fëmijët e saj u vranë për pavarësinë e Izraelit më 1948. Që nga ajo kohë ajo iu përkushtua kryesisht fëmijëve të të tjerëve, prandaj mori edhe atë emër. Ishte një grua e jashtëzakonshme, e zotëruar nga ideja që fëmijët të mos vuanin. Një ditë zbuloi një fshat ku jetonin njerëz nga krahina ime, të cilët i kishin mbijetuar kampit të përqendrimit. Fshati mbante emrin e bijve të saj, “Fshati i vëllezërve”. Kjo grua filloi të shkrujë për fëmijët, më saktë historinë e tyre, sepse u ishte përkushtuar atyre. Ajo m’u lut që t’i shkruaja parathënien e librit dhe unë ia plotësova dëshirën. Kjo grua shkroi me dhjetëra libra, por pas kësaj shkoi në vetëvrasje. Pjetër Babiqi përfundoi po kështu.
Më kujtohet kur një ditë, pasi kishte përfunduar një libër, Pjetër Babiqi më tha: “Po e ndiej në gojë shijen e disfatës!” Ndonëse ishte një libër i mrekullueshëm, ai pati një ndjesi të tillë. Por edhe unë provoj diçka të tillë, kur përfundoj së shkruari një libër, sepse më duket se nuk kam thënë atë që duhet. Prandaj jam i mendimit se kjo është arsyeja që shkohet në vetëvrasje. Kur shkrimtarit i duket sikur në libër nuk ka shprehur të vërtetën që e kishte menduar, atëherë e pushton një dëshpërim i madh dhe ai i drejtohet vdekjes. Kam bindjen se të paktë janë ata shkrimtarë, që e kanë arritur atë që kanë dashur. Në librin e lutjeve, “Talmud”, gjendet një figurë ku një mësues thotë për mësuesin e vet: “Sikur pergamena të ishte qielli, druri – pena dhe oqeani – boja e shkrimit, përsëri nuk do të isha në gjendje të shprehja të gjitha ato, që kam përvetësuar nga mësuesi im.” Diçka të tillë të ngjashme do të thoja për ne që shkruajmë për hebrenjtë, për “shkrimtarët hebrenj”, siç na quajnë: “Sikur ta kalonim tërë jetën tonë duke shkruar, nuk do të arrinim të shkruanim ato që na kanë ndodhur.”
E dua shumë muzikën, por edhe një fjalë e urtë duhet të këndojë. Kur fjalët nuk këndojnë, nuk është mirë, atëherë nuk shkruaj dot. Para se të filloj të shkruaj, unë këndoj dhe, kur kënga shndërrohet në fjalë, marr penën për të shkruar. Pa këngë, fjalët janë të thata. Kjo ndihet tek unë dhe kështu dalin fjalët prej meje, sepse vazhdimisht këndoj.
Lajthitja në librat e mi nuk është ajo e vërteta, siç shihet dhe konceptohet sot, ajo nuk është një lajthitje klinike. Lajthitja e personazheve të mia është mistike dhe ajo më mundon. Por kjo është lajthitje që i afron njerëzit, në vend që t’i largojë, prandaj mund të thuhet që është lajthitje që të shëron. Kjo është një mënyrë të jetuari.
Po, në një mënyrë të tillë transmetohet mesazhi, që nuk do të mund të transmetohej ndryshe. I lajthitur është ai që arrin të shprehë atë, që është e pamundur ta shprehim ne.

* * *
Roli i Moriakut ka qenë shumë i madh në karrierën time letrare. Me të jam takuar në vitin 1954, që t’i merrja një intervistë për një gazetë izraelite. Ai u zgjat duke më folur për Krishtin e kristianizmin. Pas një heshtjeje të gjatë, nuk u përmbajta dhe e pyeta nëse e dinte që para dhjetë vjetësh kisha parë me sytë e mi me qindra fëmijë hebrenj (autori ka qenë vetë qysh fëmijë në kampin e Aushvicit – shën. i red.), që kishin vuajtur më tepër se Krishti, por që askush nuk i kishte përmendur. Pas rrëfimit tim, ai nuk u përmbajt dot nga lotët për një kohë të gjatë. Në përfundim, m’u drejtua: “Duhet të flisni për të tëra këto.” Kështu fillova të shkruaj librin “Nata”, e më pas të tjerë. Atë e kisha mbrojtës e mik. Ai më ka kushtuar një libër, në krye të të cilit ka shkruar: “Eli Vizelit, fëmijës hebre të gozhduar në kryq.”

Përktheu Nikolla Sudar

Dy ese
Bukuria e thyer
Kur vë re kujdesin prekës me të cilin trajtohet një femër në vendet e zhvilluara, adhurimin për të bukurën, dallon hendekun që ende na ndan me botën e qytetëruar. Atëherë kupton shenjtërinë me të cilën e vesh femrën poezia e madhe, kupton se sa e paemancipuar është shoqëria jonë, kupton se nuk ka emancipim të gruas (kujtoni marrëzinë e dikurshme të luftës për emancipimin e gruas.) në një shoqëri të paemancipuar. Kupton se ky truall nuk mund të bëhet pjesë e Europës, derisa gruaja të konsiderohet si malli më fitimprurës nga një pjesë e shqiptarëve dhe pjesa tjetër ose nuk reagon, ose regon dobët, kurse punonjës të institucioneve ka raste që bëhen pjesë e së keqes.

Yzedin HIMA

Kur individi shqiptar u ndje i lirë, domethënë shpëtoi nga puna e detyruar në ferma, fabrika primitive, taraca e aksione, ku punonte falas për ndërtimin e ferrit kolektiv, pa rreth e rrotull tij se mos gjente punën e tij të re. Kuptohet, nuk ishte e lehtë. Tani e tutje seicili do të punonte për vete.
Në atë mjerim të përgjithshëm, ky fakt ishte mjaft grishës. Individi shqiptar, në përgjithësi, nuk pa mundësitë që ekzistonin në vendin e tij, ndaj u derdh drejt Perëndimit me të gjitha mjetet, me çdo çmim. Tragjedia e shqiptarëve në malet e Jugut, në malet e Lindjes dhe sidomos tragjedia në Adriatik e Jon, do të jetë një mallkim që do ta ndjekë gjatë politikën shqiptare..
Ndërsa një pjesë e shqiptarëve, duke parë rreth e rrotull, nga të gjitha burimet e këtij vendi, si punimi i tokës, mbjellja e vreshtave, kopshtaria, mekanika, peshkimi , ndërtimi, dalloi më të brishtën, më delikaten, atë që në fakt bën një kontrast të thellë me vrazhdësinë e jetës së këtushme, me terrenin, me psikologjinë e krijuar në shekuj, femrën. Delikatesa, bukuria, brishtësia u kthyen për një pjesë jo të vogël të femrave shqiptare në fatkeqësi. Nisi shfrytëzimi barbar i tyre nëpër rrugët e Perëndimit. Endrra sidoqoftë qe e bukur: Do iknin larg këtij vendi të ashpër, ku butësia, delikatesa, bukuria ose nuk viheshin gjithmonë re, ose shiheshin si një peizazh mahnitës, ku mund të vije për piknik kur të doje dhe të lije pas ambalazhet e një dite të grisur, hedhur ashtu pa kujdes. Endërronin për një botë, ku bukuria dhe butësia të mos qenë një kontrast i thellë, një lëkurë e vlefshme kunadheje, nën shënjestra gjahtarësh vulgarë. Endërronin një botë ku të kishin mundësi të punonin, ndoshta edhe shumë, por të merrnin një pagë të denjë, me të cilën të jetonin si njerëz. A mund të gjykohet njeriu pse ëndërron? A mund të dënohet njeriu pse mendon bukur për jetën e vet?
Herë-herë, në familjet shqiptare varfëria e mjedisi i mjeruar përreth ishte i tillë, sa që vajzat kanë pranuar ta ndërrojnë atë me çdo çmim, qoftë edhe me humbjen e lirisë, trajtimin kriminal dhe daljen te sheshi “Loreto” në Milano, i njohur sot si vendi ku u var Musolini dhe sheshi ku “varen” çdo ditë prostitutat shqiptare, për t’u zgjedhur nga pleqtë maniakë italianë. Kalimi nga zhveshja prej çdo lloj feminiteti gjatë viteve të diktaturës (përfytyroni femrën e turneve të treta , kominoshet, aksionet, zboret), në ekstremin “gjithçka është mall në këtë vend dhe mund të shitet e të blihet”, rezultoi traumatik për femrën shqiptare, respektivisht për shoqërinë shqiptare.
Në vitet e shkollës së mesme më ra në dorë një poezi e Eugjen Jevtushenkos për gruan. E lexonim fshehur e mahniteshim me bukurinë e vargjeve dhe shenjtërimin që i bënte poeti i njohur femrës dhe gruas në përgjithësi. Ende i ruaj në kujtesë si një perlë vargjet: “Kudo mund të gjendet një sup i lakuriqtë gruaje/ ku të mbështetësh kokën tënde mëndjelehtë.” Këtë shenjtërim e quanim si një magji thjesht artistike, ose shprehje e një bote të largët, matanë yjeve që nuk kishte lidhje me mjedisin tonë.

* * *
Është i shpjegueshëm trajtimi i ashpër i femrës në Shqipërinë e diktaturës, brenda trajtimit të të gjitha vlerave në një diktaturë, por është i pafalshëm trajtimi i femrës shqiptare në postdiktaturë. Goditja e figurës së saj është goditje që i jepet shoqërisë shqiptare. Trajtimi kriminal i vajzave në trotuaret e Europës, i dha imazhit të shqiptarit formën e përbindëshit dhe një status aspak të lakmueshëm për qytetarin normal.
Europa ka kohë që jeton e përpiqet të jetojë estetikisht. Në themel të punës tek europiani i sotëm është krijimi i së bukurës e përjetimi intensiv i saj. Në fakt, mesazhin e parë të të jetuarit estetik e ka dhënë gjeniu anglez, Shekspiri. Ai krijoi figurën e famshme të Hamletit, që u përpoq të jetonte estetikisht në mug të qytetërimit, në një botë që gëlonte nga e keqja e krimi. Këndvështrimi estetik i botës nga Hamleti (etja për pushtet, tradhtitë, pabesitë ,vrasjet, para së gjithash për princin e famshëm qenë të shëmtuara), qe revolta dhe tragjedia e tij.
Dhe Europa u bë duke menduar bukur, duke punuar bukur.
Përfytyroni njeriun e dëshpëruar shqiptar tek sillet në këtë mjedis. Po nga erdhi deformimi në shoqërinë shqiptare? Natyrisht, u krijua gjatë shekujve. Vetëm mungesa e lirisë krijon deformime të tilla të genit. Mungesa e gjatë e institucioneve, e gjuhës së shkruar, e librave, e letërsisë, e artit, e filozofisë, e besimit gjithashtu.
Kur vë re kujdesin prekës me të cilin trajtohet një femër në vendet e zhvilluara, adhurimin për të bukurën, dallon hendekun që ende na ndan me botën e qytetëruar. Atëherë kupton shenjtërinë me të cilën e vesh femrën poezia e madhe, kupton se sa e paemancipuar është shoqëria jonë, kupton se nuk ka emancipim të gruas (kujtoni marrëzinë e dikurshme të luftës për emancipimin e gruas.) në një shoqëri të paemancipuar. Kupton se ky truall nuk mund të bëhet pjesë e Europës, derisa gruaja të konsiderohet si malli më fitimprurës nga një pjesë e shqiptarëve dhe pjesa tjetër ose nuk reagon, ose regon mjaft dobët, kurse pun onjës të institucioneve ka raste që bëhen pjesë e së keqes. Kupton se ne jetojmë në një shoqëri të dhunshme, ku e bukura dhe delikatja nuk mund të ekzistojnë normalisht, por në forma traumatike, kur adhurimi për të bukurën, të brishtën, konsiderohen si dobësi.

Kujtesa e thyer
Komandanti gjerman, në komunikimin me prefektin e asaj kohe, nuk e duroi dot marrëzinë e atij zyrtari të mjerë shqiptar, që nisi t’i jepte urdhëra në një shqipe jo letrare ushtarakut të lartë. Koloneli i tha përkthyesit: “Ky zotëria është gomar i zgjedhur apo gomar i emëruar?!” Pas ikjes së gjermanëve, pllaka u thye. Kush e theu? Komunistët e Beratit, të cilët nuk durojnë asnjë pllakë tjetër, veç atyre që flasin se ku ka fjetur e me kë ka fjetur komandanti legjendar?! Keqbërësit ordinerë?! Nuk dihet. Një gjë dihet me siguri: pllakën e kanë thyer ca shqiptarë të shpifur, të cilët, pasi kanë urinuar në natyrë si stërgjyshërit e tyre, e bënë copa...

Kur bora nis të shkrijë maleve, lumenjtë fryhen. Edhe Osumi është në ditët e tij më të mira, plot e përplot. Anës shëtitores në qendër të qytetit, ndonëse higjiena është mizerabël, nuk ndihet e fortë era e urinës, sepse rrjedha e lumit merr me vete gjithçka. Është kanali i hapur përgjatë gjithë shëtitores nga forcat gjermane, të ardhura në ndihmë të qytetit para disa viteve, që e shpëtoi qytetin edhe nga përmbytja, edhe nga ndotja e madhe. Gjermanët lanë si shenjë një pllakë të thjeshtë, të cilën e mbërthyen në një masiv guri. Këshilli i bashkisë i asaj kohe e nderoi komandantin gjerman për ndihmesën, duke i dhënë titullin “Qytetar Nderi i Beratit”, titull honorifik , të cilin e ka marrë çdo kryetar bashkie i Beratit që ka vizituar kalimthi një qytet amerikan me disa milionë banorë.
Sot qytetarët e Beratit u janë mirënjohës ushtarakëve gjermanë për punën e shkëlqyer që bënë. Ata individë, që ende kanë kujtesë, sjellin ndërmend pamjen e shëmtuar të atyre ditëve në qytetin e Beratit. Dhjetra e dhjetra qytetarë bënin sehir oficerët dhe ushtarët gjermanë hipur në skrepa, makina vetshkarkuese e buldozerë, teksa hapnin kanalin e madh. Ushtarakët bjondë, ndërsa punonin, u buzëqeshnin pa të keq ca krijesave, në shumicë esmere, që rrinin duarkryq e vështronin të ardhurit nga Veriu i Europës. Ushtarët e fuqisë më të madhe ekonomike të këtij kontinenti, po u pastronin qytetin krijesave më të varfëra të kontinentit, anëtarë të një kombi të shpërndarë në pesë shtete ballkanike, të cilët një Zot e di se kur do bëhen bashkë.
Komandanti gjerman, në komunikimin me prefektin e asaj kohe, nuk e duroi dot marrëzinë e atij zyrtari të mjerë shqiptar, që nisi t’i jepte urdhëra në një shqipe jo letrare ushtarakut të lartë gjerman. Koloneli i tha përkthyesit: “Ky zotëria është gomar i zgjedhur apo gomar i emëruar?!”
Pas ikjes së gjermanëve, pllaka u thye. Kush e theu? Komunistët e Beratit, të cilët nuk durojnë asnjë pllakë tjetër , veç atyre që flasin se ku ka fjetur e me kë ka fjetur komandanti legjendar?! Keqbërësit ordinerë?! Nuk dihet. Një gjë dihet me siguri: pllakën e kanë thyer ca shqiptarë të shpifur, të cilët, pasi kanë urinuar në natyrë si stërgjyshërit e tyre, e bënë copa...
Megjithatë, pllaka u rivu nga bashkia, por përsëri u thye. Tani qytetarët e lashtë të Beratit vazhdojnë të dhjesin buzë lumit dhe, ndërkohë, pëshpërisin fjalët e filmit të famshëm: “Po me lumin (urën) ç’patën, xhanëm ?!”

Kryqe të tjera, të rënda...

Kjo përzgjedhje e poezive të Agron Tufës mbërriti nga rileximi. Rileximet kanë mbetur ndër të paktat gjëra që, njëlloj si baladat, na bëjnë t’i rinjohim nga shenjat vëllezërit poetikë. Drojën nga rileximi e njeh mirë edhe lexuesi. Por atij s’i volit fare ta prishë imazhin konvencional të poetit, që me aq mund e ka krijuar në vite. Ndaj dhe lexuesi vetëm lexon dhe i shmang rileximet. Po këtë drojë ka edhe poeti, që s’do ta rrezikojë kuotën e fituar. Përfytyrimi i gabuar i poetit si një lloj zhongleri, që mund të bëjë me Fjalën ç’të dojë, kur të dojë e si të dojë, e humb rëndësinë pikërisht nga rileximi. Ky akt, tek e mbramja, ngjason me mbytjen e anijes jo në det, por në port. Shëmbëlltyra e poezisë zëvendësohet nga gjithë çka mundi të shpëtojë e të rrijë përmbi, si Fryma mbi ujëra. Peizazhi s’mbetet bosh, gjithsesi. Mbushet nga trupa që mund të pluskojnë, por që nuk janë Anija. Poezia e Agron Tufës ia del edhe rileximit. Të duket se rikthehesh në vise ku ke qenë një herë, po s’ke mundur të cilësosh çdo gjë, emër për emër. Është dejà vu, ku një lexues si unë, hyri me një cilësi tjetër, të re: ndjesinë e rishfaqjes dhe jo të një koncerti që shkon dëm, vetëm e vetëm se luhet përpara një turme të shurdhër, që herë ka sy, por jo gojë dhe herë ka vetëm gojë e pretekst, por jo tekst.
Kjo përzgjedhje, ardhur si capriccio vetjake, më shtyu t’i shmangem asaj që shpesh na duket antologjike, asaj që gënjen veshin me tupana e jo rrallë rren mendjen e shumëkujt për ‘kontributet’ që i blatokemi Poezisë. Maximum in minimis. Zgjodha enkas disa krijesa të vogla, aluzione, thurima që jemi gati t’ia njohim gjuhës, veç jo poetit - atij që nuk mashtron veten, edhe kur vjen ngarkuar rëndë, me tarogzë e patërshanë formash të moçme poetike, edhe kur sjell përfytyrime të brishta. Na thotë se nuk është krijuesi, por i krijuari i tyre, poeti, i cili duhet të shpikë jo thjesht një histori, për të mbajtur fort veten nën kontroll. Ajo që të dhurohet, duhet dhënë dhuratë. Dhe ky ishte rasti për të rinjohur pas kaq kohësh poetin, i cili ka marrë këshillë të mos bëjë çfarë t’i teket me ritmet, rimat dhe fjalën, por të sillet me to me të njëjtën kujdes, që koha sillet me krijesën e vet.
Falë kësaj vetëdijeje dhe dhuntie, poezia e Agron Tufës më ofroi sërish një fluturim të hapur, që nuk dëgjon të zbresë nën lartësinë e syrit.

Arian LEKA

Agron TUFA
Fryma mbi ujëra

Vegulli të ketë qenë
Turjela që shpoi
Tejetej tallashin e ekzistencës sime?

O trapàn i vockël, ti helikë me flatra –
mizë që bren hekur,
pse e hape këtë frëngji në kurmin tim?

Një instrument vertebror me njëmijë gryka
zgjatet e zgjatet e humb në ujëra
Unë e kundroj pas kësaj rrjete të mishtë
si monadë me dritare.

Njëmijë grykat këndojnë
metrikën e revolucionit:
Përtej ekzistencës ka ujë,
përtej ekzistencës ka ujë..!

Kur të shterrë ligjërimi,
në Zanafillë do jem kthyer
memec dhe i verbër,
monadë pa dritare –
i lirë me Frymën mbi ujëra...

Shurdhimë

Këto shira të gushtit shkojnë kot, padyshim.
Të vish në daça dhe ja, çfarë pushimesh...Periudha
e tyre tani... Po e kanë dhe shirat një çmim: -
shkojmë në pyll për kërpudha!
Ajo u ngrit, solli shportat, mushamatë me kapuç...
Përfytyro, tha: pylli shtrihet tejendanë, si rrëfenjë;
ti çan barërat ndanë trungjesh pilirakë, cungjesh palmuç...
Ah! Të mbledhësh kërpudha nuk është thjesht ndjenjë!
Është ritual... me dialogje, përsiatje -
është, si ta them, inicim... Dhe heshti.
-E kthejmë këtë fletë... këtë përmbajtje...
Hidhemi te tjetra, tha, dhe e zhveshi.
Mandej (epshnginjur): - Ku s'të çon kjo udha
e dalldisë së nxehtë për kërpudha!

* * *
Elvanës

Kur të biem në fashë, së mbrami, pa bzâ,
ti do jesh bërë Lumë, unë do jem bërë Tra
dhe memzi do mundesh, me buzë duke prekur,
në drithma e ashkla ta ndash trupin tim...
Po ti nuk do derdhesh askund asnjë grimë,
dhe unë s'do lakmoj as të gjallë, as të vdekur.

Pa do na pagëzojnë... Kurse ti pa prâ
në rrjedhë... do jesh Lumi që bart atë Tra:
njëheri premtuar në pesë oqeane -
bajrak do të jem për fiset e atjeshme,
dhe në s'u gjetshin emra të hareshëm,
ndofta do mund të të quaj Anna.

Si të marra hua - vitet që nuk kthehen,
nga dimri në dimër në fat rrëkëllehen.
E lehtë dhe e gjatë rruga jonë e filluar,
ashtu si çdo mjet që qëllimin përhumb
do të na duket sinori në fund
kinse veç gjysmën kemi përshkuar.

Do jem lakuriq, do jesh ti cullake,
të dy duke ndërruar lugina e shpate
nën ligjet e rrjedhës do lëmë pa u mërzitë,
atë vis ku nuk patëm armiq asnjëherë,
dhe duar të forta brigjesh të tjerë -
do puqen në shtratin e tharë një ditë.

Menca e ushtarëve

Si nga buzët e fanitura të një kafshe absurde
dalin nga oxhaku vrunduj të athët tymi
me kundërmim mbytës qymyri.
Survejuar përulshëm mushkëritë tona
asfiksuar përdhunshëm hapen e mbyllen pas
rreshtores përçudshëm.
Shkronja të përgjakura të përrallave gjithkund
janë flijuar dhimbshëm sfondesh të bardha.
Me shirit vishnje, sy e shpirt çeliku
komandanti kërcet takat
mbi rërën e dërrmuar të durimit tonë.
Instinkti i gjallimit –
mizorisht të përul para kutizës bojë tulle
me dritaret e hapura e hutaqe që
tërë ditën shohin
derrkucët që theken në diell. Në fund,
një silazh i gjelbër për stomakun tonë të vdekur –
djallëzuar me kursim rropullish të mpakura –
mjafton për ta mbajtur gjallë
atë që s’duhet të shtypet nën uniformë –
sa ç‘i mjafton një llampë vajguri
gdhirja gjer nesër
e mbrëmjes bajate...

Stinë keqardhjeje

Keqardhja erdhi me varkë dhe lundër pirate...
rrodhi vjeshtë e përgjakur ijeve
e papërcaktuar në shifra romake –
gjithë lëngata për borën e re.

Hëna shkrin kujtesë në pika gjaku të ndryshkur
pyjeve
nuk dëgjohet më briri,
as skërmitja që zvetënon
zemrën e pjekur të bishtave bojëhiri.

Angullima vjen e largët
e stërvitur në parandjenjë.

Kapërcej hijen dhe shkund këpucët me borë
mbi një prag të huaj.
Dreqi më çon të shtyj dashuri si fantazmë
me nusen e tjetrit gjinxehtë në të errët...

Natë dhe gjinj dhe stinë keqardhjeje.
N’at fshat të trishtuar, borë dhe vetmi...
Pendimi godet pingul herë-herë
misterin e verbër dhe aerobinë.

Keqardhja vjen si shtjellë,
si pjalm i hidhur që era e çon
me lundër të zjarrtë në lukthin e tharë:
taksën do ta marrë
taksën do ta marrë –
dhe s’do të na e kthejë më kurrë
kurmin prej drite të ngjirur.
Ashtu të shpërndarë sallatë nëpër dhera...

* * *

Toka e ardhur e marsit
me vjollca të kaltra,
m'i suall dherat ndën këmbë
tek qaja.

Aviten keqardhjet fqinje...
sa mijëra vjeç jam bërë?
Kujtesash - konvulset e pengjeve -
peshq të flakur në rërë.

Ky trup dhe më tej duhet bartur
përmes po këtij pikëllimi...
Ç't’i ruaj, ç't’i humbas më tjetër
këtij mjerimi prej mishi?

1991

Orfeu

Jeta jote – burgosur aq mirë,
mbështjellë puthitur e pa drojë
me fletët rrotullame të një qepe
e flijoi, ah, thelbin e vet
me të mshehtat e mbrame –
kur tehu i thikës feksi
ngulmueshëm, duke grirë
zemrën tënde të njomë -
topitur erudicionesh fiktive.

Lotët e Euridikës në kuzhinë
s'kanë tjetër shkak
pos faktit
që ti je i vetmi ingredient lotsjellës
në sallatën e rëndomtë familjare.

Introspektivë

Zemra ime ka qenë dikur
në po kaq trupa të përsëritur
si shelgje vajtues mbi të fshehtat e lumit.
Zemra ime
është njomur me një dashuri të bjerrur
si ciklet e hequra të hënës –
banorë të dylltë supersticioni.
Sa mirë ishte kur hëna e ëndrrave të mia
kish një dashuri që mpakej
dhe një zemër të papërsosur.
Lulet dhe çuditë pa lidhje
ekzistonin në sajë të paaftësisë që s’e kanë.
Porse është e lënë pas dore amësia e natyrës
që i vyshk ndjenjat me dhurata të kalbura.
Nëse tani xheloz unë jam
do të thotë e tradhtoj veten time dikur
dhe se nesër do të jetë momenti
i shpagimit të pasigurtë.

Engjëll nikotine

Të dua ty, engjëll nikotine -
farë e zeshkët e veshur si laps.
Pëshpëri me buzët e zbehta,
pëshpëri me buzë të dredhura
ligjërata të largëta që kujtesa t'i zmbraps.

Ti lëshohesh me parashutë në mbrëmjen e butë
terrin njolla-njolla duke lëpirë:
flatrat të shushurijnë - lule akaceje n’erë -
engjëll nikotine, ti je brengë e arrirë!

Ti lëshohesh si shifër e trashë fatidike -
si gështenjë e plasur në zjarr që flatron si ferrak.
Të dua, o engjëll nikotine -
klloun bojërash uji
me ngjyrën e premtimit të shpërbërjes sime në ag.

Moskë, mars 1998

Reshje

Dhe një tjetër vijëz në shkallëzimin e mbramë:
rrugica e vizatuar në terr si konop.
O, hidheni, hidheni vallen e djallit të larmë
nën këto rreshje sheqeri të djegur në gotë!

Kur ndjenjat e tua i ke më të forta se veten,
dihet: ke hyrë me fill të këputur në lojë.
Një nga një nën dorë të tëra të mbeten:
hierarkia e djallit të larmë është plojë.

Vetvetiu truri priret në gjakimin e fundit.
Një përmasë e re zë ndërkallet në ty:
fryt i kalbur në zgrip të triumfit -

divorci yt me spirancë në agoni.
Të ka mbetur veçse vetvetja e ftohtë
me këto rreshje sheqeri të djegur në gotë.

1998

Elegjia e gjashtë

Kjo botë që dot nuk i kthen
dijet dhe diejt e kapërdirë,
hap buzët ndanë detit Tirren,
si molusku me perlë të ngrirë.
Vetëtin ftohtësi mbi mermer...
por duhen kaluar përskej
hamendjet, ndërgjegjja e brerë
dhe llumi përplot farisej,
dhe fara që mbolli mënxyrë...

U kthehemi rrënojave më mirë:
thesari vezullor drithëron
me rrathë vetëdijeje të mpirë;
përjetimin tonë e shkagon
prore në mahni. Dhe aty,
pa kufi, pa ndërruar cilësi,
zgjanohet sarkofagu ynë -
anonim, si Koha kur hyn
dhe shplahet në Përjetësi.

Me fantazma kuptimesh të vjetra
përpëlitet mendimi – ulok,
rrëmon si fajkua me kthetra
të sqepojë atë që s'e rrok -
atë gosti njerëzish e hyjsh
me thelbet që patën për zemër,
dhe fjala, xheloze, sërish
e mundur tërhiqet si shemër.

...Se është vullnet Demiurgu -
mister i vulosur me dyllë...
ndaj buzët që hapi, molusku
nxiton mbi rrënoja t'i mbyllë.

Paracaktimi

Shitohen ditët lik përbri
dhe mineral’ i territ rëndet.
Unë rrah të shpik një histori
që shap’ i shpirtit të mos çmendet.

Më kanë lëshuar pa më pyetur:
“Ji dhe mbroje këtë trajtë!
Dhe kur ky mish të jetë venitur,
do çojmë një engjëll të të mbartë.

Po që kjo trajtë të mbijetojë,
ky shap i mish-e-shpirtit tënd,
është parathënë që të durojë
gjithësa vdektarëve iu rënd.

Ia bëmë bimës rrënjët zorrë –
dhe ty – idesh të ngjizëm Frymë.
Krijimit tonë i vumë kurorë:
Ti mos e lër ta përkasë brymë!”

Me këtë kumt – ogur të zi
dënuar jam të kalamendem,
të shpik, ëndërroj një histori
që shap’ i shpirtit të mos çmendet.

Erëmimi

Kqyri këta plepa ndanë udhe...!
Rol tjetër s’kanë në histori:
të ndryjnë rrathësh si tru Bude
kohësinë që shket përbri.

E kur në mish të bardhë plepash
sakica, sharra do ngjërojë,
er’mim i njomësht të vërtetash
do të bredh’ rrugës i pagojë.

Diç do të thotë e s’mundet prore
ky erëmim që shket në rrugë,
se plepi zbrazi për çdo pore
atë që kish si plep, si Budë.

Materia

E errët materia hedh shtat,
me rrathë pikëllimesh përbrenda:
shungullimën e zisë ma shugat
ky kurm kur kridhet në ëndrra.

Dhe mjaltin e gjumit shkullon
me buzët e agut të etur:
ky kurm, si hojet pikon
nektarin e huaj, të vjedhur.

Skarpati i ditës mësyn
me kryqe të tjera, të rënda:
drejt natës – i vetmi shpëtim
dhe gjumë... si në legjenda!

Udhëtarët e trenit rrangall
Joseph ROTH

Pasagjerët me bagazhe të rënda zënë vend në vagonat e fundit të trenave tanë pambarim, përkrah mbishkrimeve “Pasagjerë me qen” dhe “Invalidë lufte”.
Vagoni i fundit është ai që zhurmon më shumë, dyert e të cilit mbyllen keqas, dritaret e të cilit nuk puthiten dhe janë nganjëherë të thyera e të zëna me letër ngjyrë kafe.
Nuk është shansi, por fati që e kthen njeriun në një pasagjer me bagazhe të rënda.
Invalidët e luftës u bënë të tillë nga predhat që shpërthenin, efekti shkatërrues i të cilave nuk ishte përllogaritje, por një rastësi e pafund e sigurt për të qenë shkatërruese.
Ta marrësh ose jo një qen me vete, është shprehje e lirisë personale.
Por të jesh pasagjer me bagazhe të rënda, është një punë me orar rë plotë. Madje, edhe pa ngarkesë, ai përsëri do të ishte një pasagjer me bagazhe të rënda.
Ai i përket një lloji të veçantë të qenies njerëzore dhe mbishkrimi në dritaren e vagonit është më tepër një përkufizim filozofik, sesa një pjesëz nga terminologjia e hekurudhave.
Vagonat e bagazheve janë të mbuluara me një lloj atmosfere aq të rëndë, sa ndoshta mund ta presësh me sharrë, një lajthitje e natyrës, një lloj gazi i përqendruar. Ai kutërbon era duhan i ftohtë çibuku, dru të lagur, gjethe të kalbura e humus pyjesh në vjeshtë. Ata që e bëjnë këtë erë, janë grumbujt e druve që u përkasin pasagjerëve, të cilët kanë ardhur drejt e nga pylli, duke iu shmangur çifteve të gjahtarëve entuziastë, me të therurën e lagësht të tokës nëpër kocka dhe shputat e këpucëve. Ata janë mbuluar me myshk të gjelbër, si të ishin pjesë e një themeli të vjetër.
Duart e tyre janë të plasaritura, gishtërinjtë e vjetër janë të enjtur e të paformë e u ngjajnë rrënjëve gungaçe dhe të çuditshme. Ca gjethe, kapur pas flokëve të rrallë të një plake, ngjajnë me një kurorë mortore të llojit më të lirë. Dallëndyshet mund të ngrenë fole në mjekrat e ngatërruara të pleqve. Pasagjerët me bagazhe të rënda nuk i ulin poshtë pyjet, kur ata vetë pushojnë. Dhe kur u duhet të ngrenë bagazhet përsëri, pas gjysmë ore, kur shpina e tyre është ndier e lirë sa për gjithë përjetësinë, atëherë kjo u duket se peshon më shumë sesa gjithë pylli i pishave.
Unë e di se kur neve, ushtarëve, na jepej pak kohë pushim pas orësh të tëra marshimi, ne nuk hapnim plaçkat, por vazhdonim t’i mbartnim ato si një fatkeqësi të frikshme e besnike, apo si një armik me të cilin qemë të lidhur në një aleancë të përjetshme.
Dhe kështu ulen këta transportues të vjetër, jo si pasagjerë me bagazhe të rënda, por si bagazhe të rënda me pasagjerë. Kjo gjithashtu tregon fatin e keq kur transporton ngarkesa, që është më së shumti rang shoqëror sesa aktivitet.

* * *
Dhe përse bisedojnë këta njerëz të pyllit? Ata flasin me gjysma fjalish dhe tinguj të mbytur. Ata qëndrojnë të heshtur jo nga mençuria, por nga varfëria. Kthejnë përgjigje me hezitim, sepse truri i tyre punon ngadalë, duke i formuar mendimet veçse pak nga pak, dhe pastaj i varrosin në thellësitë e heshtura jo më shpejt, sesa kur lindin.
Në pyje, aty ku është puna e tyre, ka një qetësi të madhe, e paprishur nga llomotitjet e papuna. Atje i vetmi tingull është ai i qukapikut që çukit degën. Në pyje ata kanë mësuar se fjalët janë të pavlera e janë të mira veç për budallenjtë, që kalojnë kohën me to.
Por në cepëzat e trurit njerëzit thonë se shprehet keqardhja e gjithë botës. U duhet veç të thonë “gjalpë” e menjëherë ti kupton se gjalpi është diçka shumë e largët dhe e paarritshme, dhe jo diçka që ti e hap me thikë mbi një copë bukë; por një dhuratë nga perëndia ku gjërat e mira të kësaj bote mblidhen aq të paprekshme, sa në një vitrinë dyqani. Ata thonë “vera erdhi herët këtë vit”, dhe kjo do të thotë se do të dalin nëpër pyje të kërkojnë manushaqe, që fëmijët do të lejohen të dalin nga krevatet për të luajtur në rrugë dhe se soba e tyre mund të lihet pa u ndezur deri në vjeshtë.
Aktorët, ata të cilët lidhin trishtimin e tyre me fjali të mençura, me valvitje duarsh e rrotullime sysh, ata duhen çuar për të udhëtuar në vagonat për pasagjerë me bagazhe të rënda, për të mësuar se një dorë paksa e përkulur mund të mbajë mjerimin e gjithë kohës dhe se drithërima e kapakut të syrit mund të jetë më prekëse se një mbrëmje plot me lot krokodili.
Ndoshta nuk duhen stërvitur në shkollë drame, por të dërgohen të punojnë në pyje për të kuptuar se puna e tyre nuk është fjala, por heshtja, jo shprehja, por shprehja e heshtur.

* * *
Vjen mbrëmja, mbi kokë ndizet një dritë. Ndriçimi i saj është lajkatar e i lyrosur; ndriçon në një turbullirë të tillë, si ajo e pyllit në një det me mjegull. Ne lëmë pas reklamat e ndriçuara, lëmë pas një botë pa pengesa, himnet tregtare për sapunët larës, purot, bojërat dhe lidhësat e këpucëve e papritmas, ato shkëlqejnë më tej kundrejt qiellit të errësuar. Është ajo orë e ditës kur bota shkon në teatër për të përjetuar fatin njerëzor nëpër skena të shtrenjta, por ata që udhëtojnë në këtë tren, pasagjerët me bagazhe të rënda, janë tragjeditë më fisnike dhe farsat tragjike.
Nga të gjitha tabelat dhe copëzat e zhargonit, në urdhëresat e sakta që rregullojnë rrëmujën e qytetit, që sigurojnë informacione dhe udhëzime, që ofrojnë këshilla dhe zbatojnë ligje, nga të gjitha mbishkrimet formale në stacione, në dhomat e pritjes dhe qendrat e banuara, ky mbishkrim është human, artistik, i saktë, duke fshehur dhe zbuluar përmbajtjen e tij të madhe.
Ai njeri i ndershëm, që për qëllime praktike formuloi mbishkrimin “Pasagjerë me bagazhe të rënda”, nuk mund ta kishte ditur se, në të njëjtën kohë, kishte gjetur një titull për një dramë të madhe.
Kësisoj është bërë poezia.

Përktheu Odeta Shameti

KOHA Faqe 18
Një alfabet për ditë të mira
Alfabetin me 36 shkronja të gjithë e njohin. Por ç’ndodhi me alfabetin me 25 shkronja, at që u miratua në ongresin e Manastirit për komunikimin me jashtë? Veçanërisht sot, kur shqiptarët janë më të hapur se kurrë me botën e jashtme, e ndjejnë veten në mëdyshje, sa herë që përballen me shkrimin e emrave të huaj të përveçëm në shqip, apo sa herë shkronja "ë" transformohet në "ë" dhe "ç" në "ç", duke u dhënë fjalëve një çuditshmëri të dukshme, ngaqë nuk ngjajnë aspak me shqipen.

Në këtë epokë të internetit e të komunikimit global, mos vallë ka ardhur koha të thirret në ndihmë alfabeti 25 shkronjësh latin? Ndoshta, kjo do ta bënte shqipen dhe kulturën e saj të ecte në një hap me kohën, por do të vlente që edhe ndonjë shqipfolës të nxitej të lexonte dhe jo të anashkalonte shkrime me vlerë, që fatkeqësisht ndeshen në internet në gjendje të tillë: "Thonë Shqipëria Natyrale ose Shqipëria Etnike... që është dhe që të jetë. Në fund të fundit Shqipëri e Madhe, apo siç kanë thënë". A mundet shqipja të përballojë humbjen, qoftë edhe të një lexuesi të vetëm?

Astrit LULUSHI (SHBA)

Vështirë të përcaktohet nëse gjuha vdes pasi nuk ndryshon, apo nuk ndryshon prandaj vdes. Sidoqoftë, në të dyja rastet ajo kthehet në një relik. Ajo gjithashtu ndrydhet, varfërohet e shuhet nëse mbyllet në vetvete, dhe jo vetëm kaq, por kur hapet pas një izolimi e bie në kontakt të drejtpërdrejtë me gjuhët e tjera, ajo, si njeriu në kushte të ngjashme, është e prirur të shpërfytyrohet, të marrë një pamje krejt tjetër, të ndryshojë, por edhe mund të humbasë, ose të asimilohet.

Shqiptarët gjithmonë janë mburrur me gjuhën e tyre, jo se ajo eshtë më e zhvilluar, më e rrjedhëshme a më e pasur sesa gjuhët e tjera, por thjesht sepse është gjuha e tyre, gjuhë e veçantë; të rrallë janë popujt që e kanë.

Shumë gjuhë kanë provuar ndikime, si pasojë e vërshimit të kulturave apo pushtimeve të huaja. Gjurmët fizike të këtyre pushtimeve janë të dukshme dhe, kur kalon shume kohë, ato bëhen pjesë e trashëgimisë kulturore të një kombi, siç janë rrugët e kështjellat e kohës romake, kishat e periudhës bizantine, xhamitë e vendbanime e kohës osmane.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për gjuhët, qofshin greke, latine, sllave, turko-arabe. Fjalët e këtyre gjuhëve mbetën edhe pasi pushtuesit ikën. Disa u harruan, si rrugët e lashta, ose pak dallohen si muret gjysmë të rrënuara të kështjellave romake, dhe të tjerat u ringritën apo u restauruan, si kishat bizantine e minaretë e xhamive osmane.

Si këto monumente, shumë prej fjalëve që lanë të huajt, sot janë pjesë e gjuhës, aq sa edhe studiuesit e gjuhëtarët ndonjëherë e kanë të vështirë t’i dallojnë si të huaja. Në fakt, ato tingëllojnë aq shqip e natyrshëm tashmë, sa pa to sot vështirë të shprehesh. Dhe kështu ka ndodhur jo vetëm me shqipen, por me çdo gjuhë të botës.

* * *
Gjuha, çdo gjuhë, është si shtëpia e sapolyer, që fillon të pastrohet vetëm atëherë kur bojaxhinjtë kanë mbaruar punë. Ajo mund të përmbajë fjalë të huaja dhe të vazhdojë të quhet vendase, por nuk pranon fjalë të tepërta. Nga këto duhet pastruar.

Ndeshja midis kulturave, për të përdorur një figurë, i ngjan përplasjes mes ushtrive. Kur beteja përfundon, të dy palët mbledhin të vrarët e të plagosurit, llogarisin dëmët dhe tërhiqen për të rimarrë veten.

Pas ndikimit grek, romak, bizantin e sllav, shqipja thuajse menjëherë ra nën ndikimin otoman, kësa radhe pa patur kohë të rimarrë veten. Kështu, ndërsa huazimet gjuhësore latine, greke e sllave u rralluan, si gjuhë relativisht e pashkruar, shqipja u ndesh drejtpërdrejt me turqishten, që përmbante në vetvete shumë huaizime arabe të imponuara kryesisht nga gjuha e Kuranit.

Fjalët e huazuara më herët kishin zënë tashmë vend, ishin bërë pjesë e shqipes e nuk mund të çrrënjoseshin; rrezik përbënin ndikimet e reja. Për të shpëtuar çka mundej, një nga detyrat që Rilindësit i vunë vetes ishte pastrimi i gjuhës nga huazimet e reja, “turqizmat”, për të mos i lënë ato të “mbysnin” shqipen.

Shqiptarët, megjithëse prej shekujsh pjesë e një perandorie aziatike, kishin një gjuhë të rrallë, të moçme e të veçantë, vendin e kishin në Europë e të rrethuar nga fqinjë europianë, të cilët gjuhën e fenë e kishin ruajtur ndoshta më mirë, dhe kjo ishte një prej arsyeve që shqiptarët trajtoheshin prej tyre me përbuzje dhe shpesh herë u referoheshin si “turq”.

Për ta ndryshuar rrënjësisht këtë imazh, që shqiptarët e kishin marrë nën hijen osmane, hapi i parë i Rilindësve u hodh drejt gjuhës, duke filluar me alfabetin, për t’i dhënë atij një pamje europiane. Në përpjekje për një gjuhë të shkruar dhe alfabet, ndër projektet që qarkullonin nuk mungonin as ato me shkronja arabe, greke e ndoshta sllave. Këto prirje do të përplaseshin në kongresin e Manastirit (1908), që u zhvillua me debate të ashpra e mosmarrëveshjeve të thella mes rreth 300 delegatëve, çka do të pasqyroheshin më së miri edhe në thirrjen e F. Nolit të zemëruar: “Mjaft më se na lodhët, na jepni një alfabet, si do që te jetë.”

Dhe mes shumë alfabetëve, u përzgjodhën tre me të perdorurit deri në atë kohë nga tri shoqëritë, ajo e Stambollit, Bashkimit dhe Agimit.

Në fund, Mid'hat Frashëri, kryetar i Kongresit, shpalli vendimin, që u vërtetua nga At Gjergj Fishta, si president i komisionit të Alfabetit. Në fjalën e tij në Kuvend, Frashëri tha se alfabeti i propozuar nga Shqoqëria e Stambollit (36 shkronja) ishte i mjaftueshëm për t’iu përgjigjur nevojave të kombit shqiptar, por për shtypjen e librave jashtë dhe për telegrame (për komunikim më të gjërë, global) ishte i nevojshëm një alfabet krejtësisht latin (25 shkronja).
Në përfundim, Fishta iu referua gjermanëve, të cilët perdornin (përdorin edhe sot) dy alfabete; alfabetin gotik për brenda vendit dhe alfabetin latin për komunikime me jashtë. Ky vendim i komisionit u pranua nga Kongresi i Manastirit.

* * *
Alfabetin me 36 shkronja të gjithë e njohin. Por ç’ndodhi me alfabetin me 25 shkronja, që do të ndihmonte komunikimin më të gjërë?
Veçanërisht sot, kur shqiptarët janë më të hapur se kurrë me botën e jashtme, e ndjejnë veten në mëdyshje, sa herë që përballen me shkrimin e emrave të huaj të përveçëm në shqip, apo sa herë shkronja "ë" transformohet në "ë" dhe "ç" në "ç", duke u dhënë fjalëve një çuditshmëri të dukshme, ngaqë nuk ngjajnë aspak me shqipen.
Në këtë epokë të internetit e të komunikimit global, mos vallë ka ardhur koha të thirret në ndihmë alfabeti 25 shkronjësh latin, ai që u miratua nga Kongresi i Manastirit?
Ndoshta kjo do ta bënte shqipen dhe kulturën e saj të ecte në një hap me kohën, por do të vlente që edhe ndonjë shqipfolës të nxitej të lexonte dhe jo të anashkalonte shkrime me vlerë, që fatkeqësisht ndeshen në internet në gjendje të tillë: "Thonë Shqipëria Natyrale ose Shqipëria Etnike... që është dhe që të jetë. Në fund të fundit Shqipëri e Madhe, apo siç kanë thënë"
A mundet shqipja të përballojë humbjen, qoftë edhe të një lexuesi të vetëm?

-------------------------------------
Ka gjasa që ndokush ta keqkuptojë këtë tekst. Nuk është provokim, ndoshta as tamam propozim, por thjesht një peng. Kush mund ta kundërshtojë faktin që pengjet dhe mëkatet kanë diçka të përbashkët, prandaj jo më kot të dy rrëfehen. Kurdoherë, për nivelin e rishqyrtimeve, vlen më tepër një ndërgjegje aktive, sesa një ndërgjegje e fjetur. (Shën. i red.)

Kukulla të ngrira
Robert MARTIKO

Zoti Olaf Swedberg, pronar i një kombinati të madh druri, është një burrë shtatlartë me një pamje përherë të gëzuar. Sëbashku me të shoqen, zonjën Xhein, një suedeze edhe ajo shtatlartë, gjejnë kënaqësi tepër të madhe sidomos në të papriturat, që u shkaktojnë të tjerëve. Janë disa lloje surprizash që i bëjnë jo vetëm për të dëfryer çupat e tyre të vogla, Keti, Mari, Helen dhe Greis, por edhe për njerëzit e tyre të afërm apo të ftuarit e shumtë, që disa herë në vit mbushin sallonin e madh të shtëpisë së tyre të bukur diku në periferinë e qytetit të Goteborgut. Të mos harroj se zoti Swedberg është personi që, rishtar, më vuri të punoja në ndërmarrjen e tij të shitjes së drurit, ku qendrova disa vjet, derisa u sëmura. Më pas provoi të më bënte kopshtar, derisa u sëmura përsëri. Ndërkohë, nuk harronte të më ftonte në çdo festë që bënte familja e tij. Aq sa tani unë ndihem në gjirin e saj si njeri i tyre…
Por këtë vit, ndryshe nga herët e tjera, qysh në vigjiljen e festës u duk se sekreti i çiftit Swedberg do të merrej vesh qysh më parë. Në rrethin e tyre, nën zë, bëhej fjalë për kukulla të ngrira. Thuhej se do të vinin prej vendesh të largëta. Dëgjoja të përmendej Tahiti, Hawai, Japonia, mbasi për europianët joshja prej këtyre femrave ekzotike ka qenë përherë e madhe. Jo më kot ato kanë përbërë gjithnjë një simbol të veçantë. Por çuditërisht, këtyre emrave dëgjoja t’u shtoheshin edhe ato të disa vendeve, që dikur gjendeshin pas Perdes së Hekurt: Kaukazi, Ukraina, Hungaria, Çeçenia, Mali i Zi… Për femrat e këtyre vendeve, disa gazeta e revista europiane, sidomos me rënien e Murit, kishin shkruar se e kishin humbur prej kohësh atë joshjen e magjinë e dikurëshme. Për ketë mund të kishte luajtur rol edhe mungesa për një kohë mjaft të gjatë e kozmetikës, e qumështit apo e vitaminave, që ndihmojnë aq shumë në bilancin e lëngjeve të fytyrës. Sa për produktet e stilit Camay, Garnier, Maybelline, Gemey, L’Oreal, Reckit & Colman apo Fresh Line, nuk mund të bëhej fjalë në Lindje.
E megjithatë, rreth këtij trilli të ri të zotit dhe zonjës Swedberg, të cilët gjatë gjithë kësaj kohe, ndaj çdo thashethemi që dëgjonin, nuk bënin tjetër veçse e përcillnin me një buzëqeshje të thellë, askush nuk mund të dinte gjë me saktësi. Në vigjiljen e festës, një mëngjes të ftohtë plot brymë, kukullat mbërritën nëpërmjet një kamioni frigorifer të vogël. Bashkë me shoferin, i shkarkuam në hyrjen e ndërtesës trekatshe. Më pas më ndihmoi që arkat të futeshin në një nga dhomat e banesës, pranë sallonit në katin e dytë. Ndërkaq Lusi, një qen i vogël i racës New York, me leshin që i zinte sytë, me një këmbë të thyer gjatë lindjes, nuk pushonte së lehuri në drejtim të mallrave të porsaardhura. Ishin katër kuti të mëdha prej druri të lustruar, me ngjyrë të kuqërreme, në të cilat disa etiketa prej letre të plastifikuar ngjyrë rozë thoshnin se në secilën prej tyre gjendej e mbyllur një vajzë e re. Duhej të ndodheshin aty në një gjendje të veçantë letargjie ose ngrirje…Të pakën, ky ishte mendimi qe më vinte atypëraty. Një tjetër etiketë porosiste të ndiqeshin rigorozisht udhëzimet e riprurjes në jetë. Kjo gjendej e ngjitur në anën e djathtë të kutisë. Në njerën nga faqet nuk mungonte as shënja e thyeshmërisë, nëpërmjet skicimit të një gote elegante brandy, shenja e të moskthyerit përmbys të kutisë, nëpërmjet një shigjetë të trashë me kahun lart, shenja e mbrojtjes nga shiu e lagështia, etj.
Dhe kur, më në fund, erdhi çasti i shumëpritur prej të gjithëve, magjia e asaj nate që bëhej hapja e kutive të rralla, unë së bashku me kukullat e ngrira u ndodha pranë bredhit të madh të Krishtlindjes. Vezullonte i ndriçuar prej dritash, pranë një oxhaku të bukur me mermer të kuqërremtë të skalitur, ku flakët e një zjarri ardent, Ave Maria e Shubertit apo Gunosë, zëri i Diana Ross, që delnin prej një sistemi të harmonizuar altoparlantësh, nuk mund të mos të të preknin thellësisht. Pianoja në sallën tjetër kishte pushuar së lojturi prej disa minutash, kur zoti dhe zonja Swedberg u gjendën mes të pranishmëve, ulur të gjithë mbi disa kolltuqe, poltrona apo karrige antike të zbukuruara me relieve amorësh, harqesh, shigjetash me majën të lyer me ar. Ishte një motiv që e vëreje edhe në pjesën e sipërme të mureve apo në tavanin e sallonit. Të mbërthyer nga padurimi, fëmijtë e vegjël të të ftuarve ndodheshin më këmbë pranë meje. Atë çast të gjithë i mbanin sytë ngulur tek unë, ngaqë prej çiftit Swedberg pikërisht mua më ishte ngarkuar të merresha me riprurjen në jetë të atyre vajzave të ngrira. Falë mirësjelljes dhe edukatës së veçantë të njerëzve të asaj shtëpie, e thuajse gjithë suedezëve, prej kohësh kisha filluar të ndihesha diçka më i shpenguar. Vetëm prania e ftohtë dhe e ngrirë e një inxhinieri arkitekt, disi të pakomunikueshëm e snob, më turbullonte lehtë. U ngroha diçka në vijim vetëm kur mendova se, në fund të fundit, qëndrimi i tij ishte diçka që i bezdiste edhe të tjerët.

* * *
Gjithë atë paradite kisha lexuar e stërlexuar me kujdes udhëzimet që gjëndeshin nëpër arka. Këto ishin shkruar pothuajse në të gjitha gjuhët kryesore europiane, përfshirë edhe turqishten. Dhe ja, nuk më mbetej tjetër veç të kryeja përfundimisht ringjalljen e kukullave. Habitesha dhe njëkohësisht i admiroja pa masë të pasurit - termin klasë borgjeze prej kohësh e kisha fshirë nga fjalori - për atë fantazi e shije të hollë në të zgjedhurit e gjërave. Ishin në gjendje të gjenin e të shkulnin edhe prej fundit të botës objekte të tilla kaq të rralla! Vajza të ngrira! Kukulla të ngrira! Bukuri të rralla! Të ngrira!.. Ishte diçka që më bënte të ndihesha i emocionuar. Me pak fjalë, të mos ndjehesha tepër i sigurt nëse do t’ia dilja mbanë kësaj pune të vështirë që po filloja. Isha pikërisht unë personi që i binte barra për të ringjallur patjetër kukullat e jashtzakonshme.
Në fillim prej ankthit, nisa të veproj diçka i nxituar. Nëpërmjet një çelsi të verdhë, të lyer në ar, hapa arkën e parë, ku pashë, para meje, shtrirë në mëndafsh të kuq një figurë të bukur vajze koreane, vietnameze, ndoshta kineze, mbasi dallimet e pakta ndërmjet tyre më ngatërrojnë. Ndërkohë që udhëzimet e përcaktonin qartë se kukullave duhej t’u fryje lehtas në fytyrë, njëlloj siç bëjmë kur duam të provokojmë të qeshurit te një foshnje Pastaj të prisje disa çaste, në mënyrë që më pas të mund të vëreje tek to shenjat e para të jetës. Pikërisht në këtë mënyrë veprova me të parën…
Në vijim, duke hapur arkën e dytë, gjeta aty një pamje edhe më të bukur. Asaj çupe i lëshova një frymë të lehtë mbi qerpikë, si për të mos e bezdisur. Pastaj, duke iu rikthyer arkës së parë, vura re se kukulla e saj ndodhej nën shenjat e para të ringjalljes. Kështu, i gëzuar, vijova me kutinë e tretë, duke kryer të njëjtin veprim, atë të frymës së lehtë mbi fytyrë.
Por sapo iu kthyeva arkës së dytë, kukulla çuditërisht m’u duk tepër e zbehtë. I alarmuar vura re se shenjat e jetës në fytyrën e saj engjëllore mungonin. Duhet ta pranoj se qysh në fillim më pati lenë një përshtypje të çuditshme. Nën një lloj bukurie me tipare klasike, dallohej diçka fëminore, tretur në një pamje serioze, diçka si një vel trishtimi, shkaktuar si prej një gabimi që edhe në gjumë shpërndan qetësisht helmin e tij. Por, ngaqë nuk dija se ç’të bëja, iu afrova edhe më tepër se herën e parë, duke i fryrë fort në buzë, flokë e qerpikë. Si i dehur, fillova të tërhiqesha thellësisht prej pamjes së saj aq të veçantë. Ishte një bukuri delikate, prekëse e njëkohësisht tragjike. Ndjeva fatalitetin, gjithnjë në formën e një dore të pamëshirshme të shkëputur nga pjesët e tjera të trupit, të më shtrëngonte mizorisht në fyt. Ndonëse udhëzimi në raste të tilla e përcaktonte qartë: reanimatorit të kukullave i duhej të priste… Prandaj, me zëmër të dridhur, iu afrova kukullës së tretë. Vura re se atë çast, nën një palë qerpikë të gjatë, ajo ishte duke lëvizur ca sy të bukur bojëqielli. Po më dukej se të tillë i kisha imagjinuar edhe para hapjes së arkës - kushedi nëse thjesht për hir të faktit se përmbajtjen e arkës me gërmat e saj cirilike e njihja qysh më parë. Tregonin se vinte prej një Rusie apo Ukraine të largët, të cilën gjithmonë e përfytyroja të kredhur midis stepash pa fund, arinjsh, balalajkash, kozakësh, kuajsh, shpatash, komitash, trenash me tym të bardhë, gulagësh, pyjesh të mjegulluar, mështeknash, akujsh e brymash. Por edhe më çuditshëm po më rrënjosej mendimi se këtë kukull e njihja qysh më parë. Edhe pse në femini, kur kishim marrëdhënie të mira me sovjetikët, mbaj mend se, fare për pak çaste, kisha luajtur vjedhurazi vetëm me një matrioshkë të vogël prej druri, si dhe me derivatet e saj të dala nga barku i njëra-tjetrës, të zvogëluara në mënyrë të njëpasnjshme, të gjitha me sy bojëqielli e shami lloj-lloj ngjyrash në kokë…

* * *
Fillova të hap kutinë e katërt. Te vajza e saj dërgova vetëm një regëtimë. Dhe këtë e bëra thjesht nga padurimi për të marrë vesh ç’ndodhte me kukullën e dytë. Ndërkaq, e para dhe e treta kishin nisur të çoheshin më këmbë, nën mrekullimin e të pranishmëve, që duartrokisnin e duartrokisnin. Por, për fatin tim të keq, kur vajta tek arka e dytë dallova se vajza e saj përsëri vijonte të mbetej e zbehtë. Kështu, një dyshim ogurzi më bëri të mendoja se ndoshta kjo kukull nuk do të arrinte të zgjohej… Në atë çast, edhe vajza e katërt kishte arritur të ngrihej më këmbë, pasi duartrokitjet e njerëzve që mbushnin sallonin vijuan të forcoheshin. Por si të veproja me kukullën e dytë? Nuk ndieja në zemër të njëjtin ankth të fillimit, në ato çaste të jashtëzakonshme për mua e ndieja ankthin të shumëfishuar. Vendosa të bëja me kukullën një hap më tepër, matanë udhëzimeve të parashikuara nëpër arka. Pa dashur, në mënyrë krejt poetike, fillova të mendoja se fryma që dërgohej në fytyrën e kukullave duhej të përbënte patjetër një veprim dashurie, sepse kjo, nëpërmjet forcës së saj të mbinatyrshme, i bënte ato të riktheheshin në jetë. Përse të mos e përforcoja më tej atë lidhje të brishtë të kukullës me jetën? Përveç kësaj, a nuk parakuptonte kjo se në eterin e një nate të magjishme, si ajo e Krishtlindjes, vetë njeriu sikur provon një lloj ringjallje shpirtërore? Ai sikur arrin të ndiejë notat më sublime të vetë misterit të amëshuar. Kjo natë rrezaton në shpirtrat e njerëzve gjithë atë qetësi, paqe, mirëkuptim. Pavarësisht se të nesërmen gjithçka, pa e kuptuar, përsëri tërhiqet verbërisht drejt monotonisë, rutinës, banalitetit, thashethemeve, nxjerrjes së syve.. Ε njerëzit me njëri-tjetrin mbeten përjetësisht të huaj. Me pak fjalë, gjithçka vezulluese prej kësaj nate të magjishme zbehet, tretet, harrohet... M’u desh pothuajse një jetë e tërë për ta kuptuar këtë. E megjithatë, përsëri nuk mund të mos besoj se njerëzit nuk arrijnë të zbuten diçka në natën e kësaj magjie misterioze që quhet Krishtlindje.
Më duhej veç ta puthja në buzë kukullën e bukur. Në vijim u binda, kisha pasur të drejtë. Ajo filloi të gjallërohej disi. Dhe dukej sheshit se ato vajza të reja, së bashku me ëndrrat e largëta që sillnin, kishin nevojë për dashuri, veç për një dashuri të pastër, të vërtetë dhe jo të endeshin e lëngonin të plagosura në errësirën e dyshimtë të rrugës. Çuditërisht, po ndjeja se ndaj tyre kisha marrë një qëndrim brojtës! Prandaj, duke marrë guximin të shtrihesha përbri kukullës së dytë, fillova të dërgoj drejt fytyrës së saj edhe më tepër frymë. Atë çast, unë duhej ta kisha harruar krejtësisht inxhinierin arkitekt me natyrë meskine. Kukulla filloi të gjallërohej më tepër, duke më hedhur më pas duart mbi flokë dhe fytyrë, sikur të thoshje se ne të dyve na lidhte e njësonte një fatkeqësi e përbashkët. Por e vërteta është se, me ta hapur kutinë, nëpërmjet asaj vajze të re kisha ndier të më përforcohej era misterioze e një fëmjërie të largët, kënga e mistershme e bulkthit netëve të vakta të verës, apo muzika e shqetësuar e Gustav Malerit, bashkë me kujtime të turbullta njerëzish pothuaj të harruar, dashuri të vjetra të mjegulluara, më tepër platonike, të parealizuara kurrë. Çudi! Ndiej të mos më ndahet nga thellësitë e shpirtit edhe ajo pjesa e bukur, e ëmbël e ca njerëzve të ndershëm, të brishtë, të lëne pas dore, që kam patur fatin të njoh në Shqipëri. Dikur, kur isha pesë vjeç, isha dashuruar me një çupë të vogël, e cila më pas vdiq në internim. E quanin Arieta. Kur u rrita, pothuajse nuk u dashurova më kurrë. Me përjashtim të një rasti, kur m’u duk se pashë të kalonte në rrugë një vajzë që i përngjante asaj... Ishte një dashuri e çmendur në vetmi! Në krye të dy-tri javëve, kuptova se Arjeta apo ajo dashuria e madhe që lidhej me dritëhijen e saj, nuk mund të më shfaqej më kurrë.

* * *
Sidoqoftë, këtu, në spitalin Sahlgrenska të Goteborgut, unë shpesh herë ndihem mjaft i mallëngjyer. Patjetër, për hir të ëndrrave të bukura që shikoj. Mbi të gjitha, më duhet të falënderoj barnat, më përjashtim të rastit kur m’u shkaktua epilepsi me shkumë nga goja. Ndërkohë, e kam kuptuar: kjo mund të më jetë shkaktuar nga mërzitja e madhe. Më bie për herë të dytë në jetën time. E para më ka rënë rreth moshës gjashtë vjeç.
E vërteta ështe se këtë natë Krishtlindjesh unë nuk ndodhem aspak në shtëpinë e bukur të çiftit Swedberg dhe vajzave të tij të vogla, Keti, Mari, Helen dhe Greis. Me ata unë jam ndarë para disa orësh. Erdhën të gjithë familjarisht të më vizitojnë.
Sa për kukullat e ngrira apo për festën që bëhet sonte në shtëpinë e tyre, atë thjesht e ëndërroj... Me interesimin e zotit Olaf, tani ndodhem i shtruar këtu në Sahlgrenska, ku mjekët përpiqen të më shërojnë prej një sëmundje të vjetër në mëlçi. Do të më mbajnë edhe nja dy-tri ditë. Për shërimin tim thuhet se nuk kanë më shpresë.

MOZAIK Faqe 20 Janë dy materiale
Të dilja sonte me ty
Shkrimtar francez (1885-1967). Pas një paradoktorature në filozofi, Maurois drejtoi një uzinë familjare në Normandi, pastaj gjatë Luftës së Parë Botërore shërbeu në ushtrinë britanike. Për kujtimet e luftës, shkroi librin "Heshtjet e kolonelit Bramble". Tregimet e Maurois-së janë si romane të vogla, tradicionale, tepër të matura dhe herë-herë paraqiten si kronika të m

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›