PD të zgjidhe krizën. Populli mund të reagojë

Servet Pëllumbi vlerësoi ndihmën që po japin ndërkombëtarët, pasi sipas tij, jepet në të mirë dhe interes të gjithë shqiptarëve.
TIRANË- Pasi ka vizituar grevistët, një prej politikanëve më të vjetër të Partisë Socialiste Servet Pëllumbi ka kërkuar nga klasa politike shqiptare që të bëjë lëshime, pasi situata aktuale nuk premton asgjë pozitive.
"Duhen bërë lëshime. Palët të gjejnë mundësitë të zgjidhin problemet dhe të mos lejojnë rëndim të situatës politike në Shqipëri",- u shpreh Pëllumbi pas vizitës që zhvilloi tek çadrat e grevistëve. Servet Pëllumbi ka kërkuar që të vlerësohet ndihma që po jepet nga ndërkombëtarët, pasi sipas tij, "është një ndihmë që jepet në emër të interesit të gjithë shqiptarëve".
Pas më shumë se dy jave greve urie, politikani i vjetër Servet Pëllumbi ka deklaruar se kjo situatë pa zgjidhje është e pafalshme për të gjitha palët. "Unë e quaj të pafalshme që është dita e 16-të e grevës dhe forcat nuk janë ulur ende në tavolinën e bisedimeve.
Nuk mendoj se çështja ka ngecur në detaje, por në mentalitet, në kulturën demokratike. Në demokraci duhet të lëshojnë të dyja palët, pra duhet gjetur një zgjidhje e mesme.
Duhet të tërhiqen nga pozicionet fillestare dhe në rastin konkret PS-ja më duket se është tërhequr, pasi kërkon hapjen e materialeve zgjedhore",- tha Pëllumbi, duke kërkuar që i takon PD-së tashme që të bëjë lëshime.
Pëllumbi bëri apel për zgjidhjen urgjente të krizës në vend, pasi sipas tij, durimi ka një kufi dhe populli mund të reagojë. "Ka një limit gjithçka, ka një limit greva, ka një limit durimi, ka një limit demokracia dhe vjen një moment që e merr në dorë populli.
Po u shndërrua populli në turmë, destabilizohet vendi", - tha ai. Kjo ishte vizita e parë e Pëllumbit tek çadrat e grevistëve, ndërkohe që prej ditësh vetë grevistët po vizitohen edhe nga intelektualë, përfaqësues të medias, shoqërisë civile etj.
Pak ditë më parë grevistët u vizituan edhe nga shkrimtari i njohur Dritëro Agolli i cili dha mbështetjen e tij të plotë për lëvizjen e ndërmarrë dhe sakrificën sublime që po ndjekin prej më shumë se dy javësh rreth 200 grevistë.