E Martë, 3 Nëntor 2026

Veliaj: Impianti i ujit në Bovillë drejt trefishimit të kapacitetit të prodhimit

Impianti i përpunimit të ujit në Bovillë, furnizuesi kryesor me ujë i Tiranës, shumë shpejt do të japi maksimumin e prodhimit të tij, në 3600 l/s.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ishte të premten në këtë impiant për të ndjekur nga afër transformimin e tij. Zoti Veliaj tha se kjo është vepra që ka pësuar transformimin më të madh, pasi Tirana, e cila po rritet çdo ditë, e ka pasur të nevojshme një investim të tillë prej vitesh.

“Qytetarët po shohin me sytë e tyre se çfarë po ndodh në impiantin më të madh dhe me veprën që ka pësuar transformimin më të madh në historinë 103 vjeçare të Tiranës kryeqytet” tha zoti Veliaj. Kryetari i bashkisë tha se nga një situatë humbjesh të mëdha në rrjet e vjedhjesh të ujit, sasia e ujit që shkon në çezmat e familjeve në kryeqytet po trefishohet.

“Sa për të dhënë një ide të atyre që kuptojnë pak nga volumetria, e gjetëm me 1200 m3 ujë/sekondë para shumë vitesh, kaluam në 1800, në 2400 dhe do të mbarojmë me 3600 m3 ujë/sekondë. Pra, praktikisht kemi trefishuar sasinë e ujit që vjen në Tiranë,” u shpreh kreu i bashkisë.

Në impiantin e përpunimit të ujit në Bovillë po punohet paralelisht edhe me ndërtimin e depos së ujit, e cila ka një volum prej 30,000 m3.

Kreu i bashkisë tha se “Tirana edhe pse e ka sot ujin më të lirë se sa Kamza, Pogradeci e Korça, jo vetëm është menaxhuar siç duhet nga kompania, por po përfundojnë edhe investime të rëndësishme, që nuk ndodhnin në 103 vjet të Tiranës kryeqytet.

/ rtsh.al /

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›