E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veliaj: Rama, kandidat në Tiranë, fushata e PS-së, protesta e denoncime

“Fushata elektorale e gjithë opozitës do të jetë mbushur me takime proteste dhe jo takime elektorale të mirëfillta. Nuk duhet vetëm të fitojmë, por duhet të fitojmë thellë”

Fushata elektorale e zgjedhjeve të ardhshme vendore nuk do jetë si çdo fushatë tjetër e zhvilluar deri më tani në vendin tonë. Kjo jo vetëm sepse klima politike është tepër e ngarkuar me mosmarrëveshje mes palëve, por edhe sepse Partia Socialiste, si forca që drejton koalicionin opozitar, ka vendosur që si pjesë të fushatës së saj të mos ketë mitingjet e zakonshme festive elektorale, por protestat për të denoncuar kundërshtarin dhe momentet negative të qeverisjes së tij. Këtë fakt e ka bërë të ditur dje anëtari i Asamblesë Kombëtare të PS-së dhe njëkohësisht koordinatori i kësaj force, Erion Veliaj, i cili ka konfirmuar edhe kandidimin e Edi Ramës për një mandat të katërt për kreun e Bashkisë së Tiranës.

Fushata

Ish-kreu i G99, sot koordinator në selinë rozë, Erion Veliaj, ka zbardhur disa aspekte të fushatës së ardhshme elektorale që do të zhvillojë PS-ja dhe i gjithë koalicioni opozitar që ajo drejton. Sipas tij, fushata për zgjedhjet vendore për shkak të situatës që po i paraprin atyre dhe qëndrimit të mazhorancës për shumë çështje që kanë mbajtur në ngërç gjithë jetën politike të vendit prej më shumë se një viti e gjysmë, nuk mund të jetë një proces normal paraelektoral. Ndaj, ai ka bërë të ditur se për këtë qëllim fushata elektorale e gjithë opozitës do të jetë mbushur me takime proteste dhe jo takime elektorale të mirëfillta, ku njëra forcë apo një kandidat të mund të parashtrojë alternativën e tij për qeverisjen e një njësie të veçantë vendore. “Fushata e Partisë Socialiste dhe e gjithë opozitës do të jetë një fushatë protestë, ndaj unë them se do të ishte e pafalshme që ne të ndërronim imazh dhe të futeshim në një rrjedhë normale me mitingje festive elektorale. Jo, ky nuk është stili ynë”, - tha Veliaj. Ai ka theksuar se për fatin e keq të shqiptarëve mazhoranca e sotme i ka siguruar opozitës mundësinë që në çdo datë të mund të organizojë një protestë për të kujtuar një ngjarje të dhimbshme që shqiptarët kanë vuajtur, sipas tij, gjatë kësaj qeverisjeje. Në vijim të këtij, plani Veliaj ka bërë të ditur se i gjithë muaj mars dhe ai elektoral që i bie të jetë muaji prill, do të jetë i mbushur me protesta. “Berisha ka siguruar që çdo javë të ketë një fatkeqësi për t’u kujtuar dhe që shqiptarët t’i bëjnë një rikujtim memories së fatkeqësive që kanë ndodhur sa herë që ky njeri ka qenë në pushtet. Kjo është arsyeja pse marsi do jetë një muaj protestash të mëdha në kryeqytet dhe po ashtu dhe muaji elektoral”, - tha Veliaj.

Kandidimi

Duke i konsideruar këto zgjedhje si jo thjesht politike, por një referendum për konfirmimin ose jo të qeverisjes aktuale, socialistët duket se kanë vendosur që të rikandidojnë në këto zgjedhje me figurat më potenciale të mundshme, të cilat do të mund të përcjellin me personalitetin e tyre dhe një sfidë politike. Në përputhje të kësaj filozofie, duket se është bërë i domosdoshëm dhe rikandidimi i Ramës për kreun e Bashkisë së Tiranës. Këtë nevojë e ka konfirmuar edhe Veliaj, i cili thekson se zgjedhjet jo vetëm duhen fituar për të administruar pushtetin vendor, por ato duhen fituar me një rezultat të thellë për të fituar edhe sfidën politike ndaj mazhorancës. “Ajo që neve na intereson më shumë sesa emrat e përveçëm, janë argumentet. Duke qenë se për opozitën është një beteje edhe politike përveçse administrative, ne na intereson jo vetëm një fitore, por një fitore e thellë. Ndaj për një fitore opozita duhet të ofrojë kandidatin më të fortë, që është kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Unë besoj se ata kritikë që i kërkojnë Edi Ramës të largohet nga bashkia, menjëherë pas një moskandidimi të njëjtët njerëz do ta akuzojnë Ramën se u largua nga beteja për Tiranën për shkak të frikës”, - u shpreh më tej Veliaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›