E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshja PD-PDIU, çamët marrin institutin e pensioneve

Pas përfitimit të drejtimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor dhe Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit, PDIU pritet që të marrë edhe drejtimin e një instituti jo pak të rëndësishëm

TIRANË- Marrëveshja mes Partisë Demokratike dhe Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, është drejt fundit. Gjithçka pritet të zyrtarizohet vetëm brenda pak ditësh, ndërkohë që bisedat mes negociatorëve të dy partive kanë shkuar paq. Pas përfitimit të drejtimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor dhe Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit, PDIU pritet që të marrë edhe drejtimin e një Instituti jo pak të rëndësishëm. Bëhet fjalë për Institutin e Sigurimeve Shoqërore ,që aktualisht drejtohet nga Evelina Koldashi. Burime nga dyja partitë deklaruan dje për gazetën “Mapo” se është rënë dakord, që ky institut, në një datë jo shumë të largët, të drejtohet nga një përfaqësues i PDIU-së. Drejtimi i këtij instituti është pika e fundit e marrëveshjes mes dy partive në nivel qeverisës, ndërkohë që një tjetër marrëveshje do të nënshkruhet për zgjedhjet lokale. Bisedat për këtë proces janë ende në negociata e sipër, ndërkohë që një gjë sigurohet nga partitë respektive, se PDIU-ja së shpejti do të dalë në zgjedhjet lokale në koalicion me PD-në. Pak ditë më parë, Kryeministri Sali Berisha deklaroi në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së se po punohet për koalicionin më të gjerë të mundshëm në zgjedhjet e ardhshme lokale, ndërkohë që kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, në një takim të zhvilluar në Elbasan, deklaroi se marrëveshja me PD-në ishte drejt fundit. "Jemi në diskutimet e fundit për të konkretizuar një marrëveshje edhe për pushtetin lokal. Sigurisht, që në mënyrë reciproke ne do të mbështesim kandidatët reciprokë", - tha pak ditë më parë, Shpëtim Idrizi, kreu i PDIU-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›