Kandidatët e PS-së, Fino: Ja si po zgjidhen
“Me strukturat e partisë poshtë dhe në drejtimin e deputetit të ZAZ-së, po punohet të arrihet një konsensus sa më i gjerë dhe sa më i plotë për të gjetur kandidaturat e njerëzve që tërheqin më shumë vota”
Rikonfirmimi i krerëve aktualë socialistë të bashkive të mëdha në vend si kandidatë për një mandat tjetër në krye të këtyre njësive vendore, megjithëse duket si i padiskutueshëm, të paktën në mënyrë formale do të kalojë nëpër filtrat që përcakton statuti i partisë. Sekretari për çështjet e pushtetit vendor në Asamblenë Kombëtare të PS-së, Bashkim Fino, i cili është angazhuar drejtpërdrejt në ndjekjen e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve, tha dje për “Vizion Plus” se për përzgjedhjen finale të emrave që do përfaqësojnë PS-në në këto zgjedhje do të mblidhen strukturat më të larta vendimmarrëse, siç është Asambleja Kombëtare dhe në fund Kryesia.
Asambleja
Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për kryetarë komunash dhe bashkish, që ka nisur prej kohësh në bazën e socialistëve, do të finalizohet me miratimin e kandidaturave zyrtare nga kryesia e Partisë Socialiste. Megjithatë, në shumicën e rasteve kjo etapë vendimmarrëse do të jetë thuajse formale, pasi në shumicën e bashkive kryesore, por edhe në shumicën dërrmuese të komunave, propozimet që do t’i shkojnë këtij forumi të lartë vendimmarrës do të jenë pa alternativa të tjera. Kjo duket se ka qenë dhe dëshira e strukturave drejtuese të PS-së, të cilat kanë udhëzuar më parë deputetët dhe drejtuesit vendorë të partisë që mundësisht të dalin me kandidatë konsensual, pra të vetëm. Këtë e ka konfirmuar dje edhe sekretari socialist Bashkim Fino, i cili ka bërë të ditur se po punohet me strukturat për të gjetur sa më shumë kandidatë të vetëm dhe konsensual. “Natyrisht ne luftojmë fort që me strukturat e partisë poshtë dhe në drejtimin e deputetit të ZAZ-së të arrihet një konsensus sa më i gjerë dhe sa më i plotë, për të gjetur kandidaturat e njerëzve që tërheqin më shumë vota nga qytetarët”, - tha Fino. Por kjo praktikë duket se bie në kundërshtim me hapat e tjerë që duhet të ndjekë procesi, pasi në ditët në vijim PS-ja ka vendosur të mbledhë dhe Asamblenë Kombëtare, për të përcaktuar kriteret mbi të cilat do të përzgjidhen kandidaturat. “Para se të shpallet fushata elektorale, do të mblidhet me siguri Asambleja Kombëtare e PS-së, e cila do të pasqyrojë padyshim elementët kryesorë dhe do të shpallë hapjen e fushatës, do të miratojë kriteret e përzgjedhjes së kandidaturave në komuna dhe në bashki dhe natyrisht miratimin përfundimtar të listave të këshilltarëve dhe bashkive”, - u shpreh më tej Bashkim Fino. Pra, nga sa mund të kuptohet, bëhet fjalë për kritere formale që kanë të bëjnë kryesisht me arsimimin dhe moralin e emrave që do të kandidojnë dhe jo me ndonjë kriter përjashtues, çka mund të nxirrte të kotë gjithë punën e bërë deri më tani për përzgjedhjen e emrave konkretë.
Kryesia
Megjithatë, kriteret që do të miratohen nga Asambleja do të kenë efekt për vendimmarrjen që do të kryejë kryesia e Partisë, e cila pritet të mblidhen në fund të këtij muaj, për të miratuar nga një kandidaturë për çdo njësi, gjithmonë atje ku ka emra alternativë. Ende nuk ka një datë për mbledhjen e këtyre dy forumeve të larta, megjithëse strukturave dhe deputetëve të qarqeve u është lënë afat për të përfunduar procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për kandidat deri më 10 mars. “Ne do të respektojmë të gjithë statutin e partisë, do mbledhim strukturat e partisë, do marrim mendime dhe sipas statutit të partisë mendimet, qofshin këto konsensuale apo qofshin me dy apo tre emra, do të miratohen më pas nga kryesia e PS-së. Nga fundi i muajit kryesia e PS-së vendos përfundimisht për emrat konkretë të kandidaturave për komuna dhe bashki”, - tha Fino. Vendimmarrja e Kryesisë mësohet se do të marrë parasysh dhe marrëveshjet e bashkëpunimit zgjedhor me partitë e tjera aleate, për të cilat po punohet për të evidentuar pretendimet e tyre.