E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Veliaj: Të djathtët e Kamzës dhe Paskuqanit po fyehen rëndë, u kërkohet të votojnë listën e Ilir Metës

Gjatë prezantimit të listës së këshilltarëve bashkiakë në Kamëz, kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës dhe drejtuesi politik i Qarkut, Erion Veliaj ka deklaruar sot se demokratëve po u kërkohet të votojnë listën e Ilir Metës.

Sipas Veliajt, kjo është një fyerje e rëndë për ta. Ndërsa shpjegoi se atyre që kanë kohë që janë identifikuar me të djathtën këtu në Kamëz, po u thuhet “shkoni si qengjat në thertore për Ilir Metën”.

“Nga i pari tek i fundit, lista e Këshillit Bashkiak të Kamzës është me emra të Partisë Socialiste, janë të Edi Ramës, janë të Rakip Sulit, janë të Linditës, të Erionit, janë anëtarë të kësaj familjeje, janë çuna dhe goca të kësaj shtëpie, janë burra dhe gra të këtij komuniteti. Po shikoja listën që kisha përballë, ishte e gjithë lista e Ilir Metës. Partisë Demokratike, të djathtëve të Kamzës dhe të Paskuqanit po u kërkohet të votojnë listën e Ilir Metës. Demokratëve të Paskuqanit dhe të Kamzës po u thuhet shkoni si ‘cjapi te kasapi’, kokën në tabaka të djathtës me ia çuar Ilir Metës. Atyre që kanë vite që militojnë në forcat e djathta, ata që kanë kohë që janë identifikuar me të djathtën këtu në Kamëz, po u thuhet shkoni si qengjat në thertore për Ilir Metën. Çfarë fyerje që krerët e këtyre forcave u bëjnë militantëve të tyre! Çfarë fyerje t’i thuash dikujt shko voto listën e njeriut që në të gjitha sondazhet del më i urryeri në Shqipëri,” u shpreh Veliaj.

Veliaj shtoi se opozita po kërkon të votohet për të rrëzuar qeverinë, ndërsa theksoi se kjo prodhon vetëm sherr e përçarje.

“Kur dëgjon palën tjetër, ata thonë: ‘Na jepni votën që të rrëzojmë qeverinë’. Pra, i thonë pjesës këtej të lumit: ‘Na jep votën që të hapim sherr në anën tjetër të lumit’. Ndërkohë, ne i themi jo, ne nuk duam sherr në anën tjetër të lumit, as me Edi Ramën, as me Lali Erin.

Ne nuk duam ndarje, ne duam më shumë bashkim. Ne nuk duam përçarje, ne duam më shumë ura.

Ne nuk duam dhunë, ne duam më shumë punë. Kamza nuk mund të jetë serbator për sherr, por është serbator për talent, për punë dhe për vepra të mira. Ata i thonë Kamzës dhe Paskuqanit: ‘Na jepni votat, se jo vetëm që me këto vota do i hapim sherr Edi Ramës, por me këto vota ne do rrëzojmë edhe Ambasadën Amerikane’.

Në Kamëz, në Paskuqan, e gjithë Shqipëria, është ndoshta hapësira më pro amerikane në botë. Qarku i Tiranës është ndoshta hapësira më pro amerikane në Shqipëri. Por, Kamza dhe Paskuqani janë hapësirat më pro amerikane në Qarkun dhe vendin më pro amerikan,” deklaroi Veliaj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›