Velipojë, sezoni turistik nis më një maj
Për plazhin më të madh verior janë dhënë 1.2 milionë euro. Premtohet pastërti dhe sezon i pasur
SHKODËR-Sezoni i ri turistik në plazhin e Velipojës, plazhi më i madh në veri të vendit, këtë vit do të fillojë më herët se vitet e tjera. Sipas drejtuesve të komunës së Velipojës, sezoni turistik këtë vit do të çelet me 1 maj dhe përgatitjet për të tashmë kanë nisur. Qeveria shqiptare duket se e ka zgjidhur qesen për këtë plazh pasi janë 1.2 milionë euro të dhëna për rehabilitimin e shëtitores së plazhit, e cila tashmë ka filluar të marrë një tjetër pamje, për asfaltimin dhe pajisjen me ndriçim të rrugës nga kthesa e plazhit e deri tek Viluni, për ndërtimin e dy urave të reja në rrugën Shkodër–Velipojë, të cilat do bëhen me dy kalime, ujësjellësin etj. Sipas kryetarit të komunës Velipojë, Nikollë Marku, disa nga këto investime si ai i ujësjellësit dhe shëtitores do përfundojnë vitin e ardhshëm, ndërsa ka përfunduar rruga e Vilunit, dhe deri në fillim të sezonit veror dhe dy urat. Marku garanton përmirësim të kushteve të pushimit në këtë plazh me energji elektrike 24 orë, përmirësime në infrastrukturë, moslejim të ndërtimeve pa leje dhe pastrim cilësor. Sipas Markut, duke nisur nga 15 prilli dy kompani pastrimi do të fillojnë këtë proces që do zgjasë deri më 15 shtator kohë kur dhe mbyllet sezoni veror. Për pastrimin e plazhit janë planifikuar 50 000 euro. Lidhur me prishjen e ndërtimeve pa leje, që në këtë plazh janë mbi 90% të të gjithë ndërtimeve të bëra, kryekomunari Marku shprehet se është ndërhyrë në prishjen e atyre objekteve që pengonin investimet e bëra, në përputhje me studimet pjesore dhe masterplanin e vitit 2003, mbi bazën e të cilëve po bëhen dhe ndërtime të reja. Lidhur me procesin e legalizimit, që për zonat turistike, përfshirë dhe Velipojën është një proces i pa nisur pasi pritet që shteti të miratojë ligje të veçanta për këtë, Marku shprehet se kanë aplikuar që të fillojë urbanizimi i zonës së plazhit dhe studimi i çdo ndërtimi mbi bazën e masterplanit. "Më pas do t'i kërkojmë qeverisë shqiptare hapjen e procesit të legalizimit",- tha ai.