Shqipëri, hiqen fletë-hyrjet për automjetet me targë "KS"
Rajonet në kufi me Kosovën mbushen me makina me targa kosove, duke shmangur detyrimet doganore
Kukës-Automjetet me targa "KS"nuk do të pajisen me fletë-hyrje kur hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Drejtoria ePërgjithshme e Doganave ka dërguar në të gjitha vendkalimet kufitare të Shqipërisë me Kosovën udhëzimin me anën e të cilit urdhërohen të gjitha pikat doganore që të mos pajisin me fletë hyrje automjetet me targa "KS" që hyjnë në territorin e Shqipërisë. Ky vendim ndodh pas më shumë se dy vitesh kur Shqipëria hoqi përfundimisht taksën e automjeteve për ditë qëndrimi në Shqipëri. Por edhe pas vendimit për heqjen e taksës për ditë qëndrimi, automjetet me targa "KS" kanë vazhduar të pajisen me fletë-hyrje në pikat doganore me Shqipërinë pa asnjë lloj pagese. Kjo shkaktonte gjithsesi vonesë në lëvizjen e automjeteve dhe udhëtarëve. Sipas zyrtarëve të doganave në Kukës, pajisja me fletë-hyrje bëhej për të pasur nën kontroll automjetet dhe për të shmangur abuzimet, pasi shumë prej automjeteve nuk ktheheshin, por mbeteshin në Shqipëri dhe qarkullonin pa paguar detyrimet doganore. Heqja e saj tashmë ka lënë shteg për abuzime. Shumë automjete me këto targa të blera në Kosovë qarkullojnë në Shqipëri me pronarë shtetas shqiptarë, por pa paguar detyrimet doganore.
Zyrtarë të Zyrës antitrafik në drejtorinë e Policisë së Qarkut të Kukësit bëjnë të ditur se shumica e automjeteve me targë"KS" që qarkullojnë në Shqipëri, sidomos në zonat e Kukesit, Hasit e Tropojës i kanë targat false. Kalimi i tyre është bërë me dokumentacion të falsifikuar nga shtetas të Kosovës. Kjo mësohet se ka vënë në vështirësi edhe kompanitë e sigurimeve në raste aksidentesh, ku shkaktarë të këtyre aksidenteve janë automjetet me targa false të Kosovës. Drejtuesit e këtyre kompanive në Kukës bëjnë të ditur se rreth 50-60 % e numrit të automjeteve që dalin në qarkullin në Kukës janë pa dokumentacionin e nevojshëm. "Është detyrë e organeve të qarkullimit rrugor dhe të Shërbimit tëTransportit Rrugor të identifikojë abuzimet"- theksojnë në vijim zyrtarët e doganës. Në bazë të udhëzimeve, automjetet me targë"KS" dhe me drejtues shtetas të Shqipërisë lejohen të qarkullojnë në këtë vend, vetëm në rastet kur automjeti është pronë e ndonjë subjekti juridik apo fizik rezident në Kosovë, që kryen aktivitet biznesi në Shqipëri.