E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëllazëria myslimane bën sërish thirrje për protesta

Mbështetësit e presidentit të rrëzuar egjiptian, Mohamed Morsi bënë sot thirrje për manifestime të reja në Egjipt, ndërkohë që po skadon ultimatumi i autoriteteve të përkohshme për shpërndarjen me forcë nga dy zonat ku protestuesit mblidhen në Kajro.

Mbështetësit e Morsit kërkojnë që prej një muaji rikthimin në pushtet të presidentit të parë egjiptian të zgjedhur në mënyrë demokratike, e më pas të rrëzuar dhe të arrestuar nga ushtria më 3 korrik, pas protestave që kërkonin largimin e tij.

Qeveria e re e përkohshme e krijuar nga autoritetet ushtarake premtoi zhvillimin e zgjedhjeve të reja në fillim të vitit 2014, por kërcënoi largimin me forcë të mbështetësve të Morsit nga zona pranë xhamisë Rabaa al-Adawiya dhe universitetit Nahda të Kajros.

Komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht BE dhe SHBA, shtuan përpjekjet për ndërmjetësim këto 10 ditët e fundit, por pa rezultat.

“Aleanca Kundër Grushtit të Shtetit dhe për Demokracinë” u bëri thirrje mbështetësve të Morsit për zhvillimin e 10 marshimeve nëpër të gjithë kryeqytetin për mbrojtjen e legjitimitetit të zgjedhjeve.

Ky grup, që organizon protestat në dy zonat e lartpërmendura të Kajros drejtohet kryesisht nga lëvizja Vëllazëria Myslimane, e cila solli në pushtet presidentin Morsi pas zgjedhjeve të vitit 2011 dhe rrëzimit të ish-presidentit Hosni Mubarak.

Vëllazëria Myslimane, që vazhdimisht ka deklaruar se protestat e saj janë paqësore, kërkon lirimin e Morsit si dhe të drejtuesve kryesorë të lëvizjes, të arrestuar që prej 3 korrikut, dhe rikthimin e presidentit dhe të kushtetutës së pezulluar nga ushtria./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›