E Diel, 1 Nëntor 2026

Vëllaznimi e do Zabërxhën

Zyrtarët e Vëllaznimit po bëjnë përpjekje të mëdha që ta transferojnë në Gjakovë golashënuesin më efikas të Superligës, sulmuesin e Hysit, Enis Zabërxhën.

Transferimi ka gjasa reale edhe të realizohet, pasi krerët e të dy klubeve veç janë pajtuar që të bëhet ky transferim i sulmuesit të shkathët.

Lajmin e kanë konfirmuar për Express kryetari i Vëllaznimit, Agim Koci dhe ai i Hysit, Hysen Sadiku.

“Kemi biseduar me pronarin e Hysit rreth transferimit të Enis Zabërxhës në Vëllaznim. Pronari i Hysit, ka shprehur gatishmërinë ta pranojë kërkesën tonë, që ta lirojnë Zabërxhën të vijë në Gjakovë. Këtë gjë, zyrtarët e Hysit dhe ne jemi duke e bërë në formë kompensimi për Fisnik Papuqin dhe Drilon Dragushën, të cilët gjatë dimrit kaluan nga Vëllaznimi në Hys”, deklaroi Koci për Express.

Ndërsa, pronari i Hysit, Hysen Sadiku tha se e ka pranuar kërkesën e zyrtarëve të Vëllaznimit për ta transferuar Zabërxhën në Gjakovë. Sipas tij, ka mbetur që vetë futbollisti të vendos se a dëshiron apo jo të vishet kuq e zi.

“Po, unë jam takuar me zyrtarët e Vëllaznimit. Ata janë treguar korrekt me ne, dhe njëjtë duam të veprojmë edhe ne me ta, për t’i mbajtur kështu raportet e mira. Ata e kanë kërkuar Zabërxhën. Unë u kam thënë vetëm arrini marrëveshje me lojtarë dhe ne do ta lirojmë”, deklaroi Sadiku për Express.

Madje, Hysen Sadiku është treguar shumë zemërgjerë me gjakovarët, duke ia ofruar Vëllaznimit edhe dy lojtarë të tjerë të Hysit. Bëhet fjalë për Agron Cacajn dhe Erdogan Brandon.

“Unë zyrtarëve të Vëllaznimit u kamë thënë ta transferojnë edhe Cacajn e Brandon nga klub im. Po ashtu, unë ju kom propozuar atyre që ta transferojnë cilin duan lojtar tonin, për të cilët aktualisht ne nuk kemi nevojë”, shtoi Sadiku.

Kontrata e Enis Zabërxhës me Hysin skadon në vitin 2015, por ajo me gjasë do të shkëputet shumë më herët. Zabërxha disa herë ka deklaruar se nuk dëshiron të luajë më me Hysin, pasi që nuk është zgjedhur edhe për stinorin pranveror kapiten i ekipit bardh e zi. Madje, ai i ka ndërprerë tash e disa ditë përgatitjet me Hysin dhe po stërvitet i vetmuar në qytetin e tij të lindjes, në Vushtrri.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›