E Diel, 1 Nëntor 2026

Njeriu i duhur

Selektori i ri i Suedisë, Enrik Hamren, të hënën ka grumbulluar 23 futbollistë nga kampionati suedez, në mesin e tyre edhe mesfushorin kosovar të Elfsborgut, Emir Bajrami.

Gjatë këtij grumbullimi, Suedia do t’i zhvillojë dy ndeshje miqësore kundër Omanit dhe Sirisë derisa Hamren do të vlerësojë nga afër se në cilët futbollistë mund të llogarisë në kualifikimet për Evropianin 2012.

Ende pa u zhvilluar këtë miqësore, ekspertët e futbollit nga mediat suedeze kanë dhënë një vlerësim: Emir Bajrami është futbollist me shumë perspektivë për Përfaqësuesen A të Suedisë

Ndërsa edhe për trajnerin e skuadrës suedeze Elfsborg, Magnus Haglund, vlerësim i ekspertëve të futbollit nga mediat suedeze për mesfushorin me prejardhje nga Kosova është real.

“Ai mund të luajë për Kombëtaren A, pasi është një futbollist shumë ngazëllues. Ai ka teknik dhe shpejtësi shumë të mirë, por jo vetëm kaq, sepse shquhet me golat dhe asistimet”, ka thënë Haglun për Fotbolldirekt.se.

Sipas trajnerit të Elfsborgut, Bajrami gjithashtu ka impresionuar gjatë fazës përgatitore, dhe 21-vjeçari është i gatshëm për ekipin kombëtar. “Ai ka pasur një fazë përgatitore shumë të mirë dhe mund të themi se është rritur si futbollist, nga viti i kaluar”, ka theksuar Haglun.

Sipas medieve suedeze, Bajrami do të debutojë me Kombëtaren A të Suedisë, në ndeshjen kundër Omanit e cila do të luhet të mërkurën.

Bajrami, ylli i ardhshëm

Ndërsa uebfaqja Fotbolldirekt.se ka bërë një anketë me ekspertët e futbollit nga mediat suedeze dhe shumica pajtohen se futbollisti që do të bëhet një yll i madh është Emir Bajrami.

“Ai është një futbollistë majtak dhe ne kemi nevojë për lojtarë që luajnë në krahun e majtë, pasi në Suedi nuk kemi shumë nga ata. Për më tepër aktualisht në ekip nuk kemi një futbollist të tillë”, ka thënë Robert Laul, nga gazeta më e madhe në Suedi, Aftonbladet.
Ndërsa Glenn Hysen nga Unibet ka thënë se Bajrami është një futbollist që të zbavitë me lojën e tij, derisa është shumë kreativ.

Kurse Mathias Luhr nga gazeta e përditshme suedeze Expressen, shpreson që Bajrami do ta bëjë një hap të madh tani. Sipas tij, sistemit të Hamrenit i duhet një futbollist si Emiri.

Pas paraqitjeve të mira në kampionatin suedez, impresionizmit në garat evropiane, por edhe shkëlqimin në Kampionatin Evropian me përfaqësuesen U-21 të Suedisë, të interesuar për shërbimet e Bajramit janë disa klube në mesin e tyre edhe Sporting i Lisbonës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›