E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëllaznimi kërkon fitoren e parë

Vëllaznimi do ta kërkojë fitoren e parë të sezonit në duel me Trepçën në Gjakovë. Kuqezinjtë llogarisin në përkrahjen e publikut dhe besojnë në forcat e tyre. Në anën tjetër, mitrovicasit synojnë t’i vazhdojnë paraqitjet e dy ndeshjeve të para për ta rrëmbyer së paku një pikë në Rrafshin e Dukagjinit.

Vëllaznimi është i vendosur ta shijojë fitoren e parë të sezonit të ri në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll, pas përballjes së vështirë që do ta ketë të dielën me Trepçën në kuadër të xhiros së tretë.

Gjakovarët e nisën sezonin me një barazim ndaj Kosovës (V), ndërsa më pas u mposhtën nga Prishtina. Prandaj, ata gjenden në pozitën e parafundit me vetëm një pikë të marrë. Ky fakt e ka shtyrë kapitenin Atdhe Gashi me shokë që t’i kërkojnë me ngulm tri pikët e para.

“Në dy ndeshjet e para realisht morëm diçka që nuk e merituam. Prandaj, tash është koha të dëshmojmë se ne mundemi edhe më shumë, pra të shënojmë fitore. Në ndeshje si vendës ndaj Trepçës tradicionalisht kemi qenë më të mirë dhe kemi fituar. Nëse është për t’i besuar kësaj, ne sigurisht se do të fitojmë. Por, për t’ia arritur këtij qëllimi, duhet të angazhohemi maksimalisht dhe besoj se në fund do t’ia arrijmë qëllimit”, tha mesfushori gjakovar.

Në anën tjetër, mitrovicasit e filluan edicionin e ri me humbje nga Prishtina, derisa u këndellën vetëm një javë më vonë ndaj Besës, të cilën e dërrmuan. Fitorja ndaj skuadrës pejane i ka motivuar ‘Xehetarët’, të cilët kërkojnë pikë në Gjakovë.

“Me gjithë respektin që kemi për Vëllaznimin, do të shkojmë të luajmë me të njëjtin ritëm të lojës sikur në dy javët e para. Me Prishtinën luajtëm mirë, por fati na ktheu shpinën, ndërsa me Besën dëshmuan lojë shumë të mirë. Si përparësi jona është se jemi shumë më të përgatitur fizikisht se ata. Nëse tregojmë lojëra sa më të mira në të ardhmen, do të arrijnë edhe rezultate gjithnjë e më të mira”, ka thënë trajneri i gjelbërezinjve, Shefqet Kurti.

“Besoj se në Gjakovë do të arrijmë rezultat të favorshëm, por edhe fati duhet të jetë në anën tonë. Jemi të kompletuar për këtë sfidë. Fitorja dhe barazimi do të jenë rezultat i mirë për ne, por duhet shtuar se Vëllaznimi është Vëllaznim dhe ekip i madh e me traditë, por që ka edhe publikun e vet”, vazhdoi trajneri mitrovicas.

Superliga - Xhiroja e tretë:

E diel

Vëllaznimi – Trepça 15:00

E hënë

Drita – Ferronikeli 16:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›