I lënë vëllain jashtë ekipit, Dos Santos kërcënon largimin
Mesfushori i Totenhemit, Xhovani Dos Santos, po mendon të largohet nga përfaqësuesja e Meksikës në prag të Botërorit 2010, pasi vëllai i tij, Xhonatan (i cili luan te Barcelona), është lënë jashtë kontingjentit prej 23 lojtarësh për në Afrikën e Jugut. 21-vjeçari Xhovani, i cili ishte pjesë e Gallatasarait në formë huazimi nga Totenhemi, u përzgjodh nga trajneri Havier Aguirre për të marrë pjesë në botëror, ndërsa vëllai i tij, i cili është një vit më i vogël në moshë, u la jashtë Kombëtares. Babai i futbollistëve, ish-lojtari Zizinjo, reagoi mjaft keq ndaj zgjedhjes teknike dhe bëri të ditur se Xhovani mund të mos jetë pjesë e skuadrës. Ai deklaroi: “Xho është shumë i prekur nga kjo që ndodhi dhe dëshiron të qëndrojë me ne në shtëpi. Ai është i grumbulluar me përfaqësuesen, por nuk ndihet aspak komod. Momentalisht nuk e di nëse do të luajë (në botëror) apo jo”. Ndër të tjera, Zizinjo nënvijëzoi se djali i tij më i vogël, Xhonatan, mund të tërhiqet nga arena ndërkombëtare, pavarësisht se është vetëm 20 vjeç.
#