E Shtunë, 31 Tetor 2026

Botërori 2010: Fabio Kapelo është trajneri më i pasur

Klasifikimi Me 8.8 milionë euro në vit, tekniku i Anglisë lë pas Lipin dhe Lëv

Nuk janë vetëm lojtarët ata që fitojnë shifra astronomike parash, por këtu përfshihen edhe trajnerët, ata që do të fluturojnë për në Afrikën e Jugut për të luftuar mes tyre për fitimin e titullit të kampionit të botës. Nëse portugezi Zhoze Murinjo te Reali i Madridit dhe Luiz Felipe Skolari te Bunyodkor (Uzbekistan) në nivele klubesh fitojnë 10 dhe 15 milionë euro në vit, edhe trajnerët e disa kombëtarëve nuk ankohen. Duke i parë të gjithë nga lart, është pikërisht Fabio Kapelo, i punësuar nga Federata Angleze e Futbollit (FA), ai që përfiton një shumë prej 8.8 milionë eurosh, gjë që duket se e ka bindur të refuzojë një ofertë të majme të Interit. Vetëm vendi i dytë është për Marçelo Lipin. Me këtë superkontratë trajnerit të Kombëtares së "Three Lions" (“Tre Luanëve”) është padiskutim më i pasuri sipas një investigimi të zhvilluar nga e përditshmja sportive spanjolle “Sport” në lidhje me rrogat e trajnerëve të botërorit. Në këtë klasifikim mësohet se trajneri italian i Anglisë është edhe trajneri i tretë më i paguar në botë. Menjëherë pas shpatullave të Kapelos është edhe një tjetër italian, Marçelo Lipi. Trajneri i Kombëtares “azzurre” me të mbaruar botërori do të duhet t’i lërë vendin e tij çezare Prandelit, duke hequr kështu dorë edhe nga rroga prej 3 milionë eurosh, më pak se gjysma e bashkëkombësit të tij që drejton Anglinë. Në shkallën më të ulët të podit pozicionohet trajneri gjerman Joakim Lëv me 2.5 milionët e tij në vit, duke lënë pas Van Marvijk të Holandës dhe gjermanin tjetër të Zvicrës Hitzfeld, i cili, bashkë me Aguirre të Meksikës dhe Del Boske të Spanjës, do të fitojnë pak më pak se dy milionë euro. Ndërsa rroga më normale për trajnerët e dy kombëtareve favorite për të fituar këtë botëror është 800 mijë euro neto: në fakt Dunga e Maradona nuk përfitojnë më tepër se kjo shifër, ashtu si veteranët e tjerë, Erikson, Domenek e Bredlli. Por në këtë mjedis prej ari, ka edhe nga ata që do të fitojnë në nivele ende më “normale”, duke veshur, jo rastësisht, bluzën e zezë në klasifikimin special të “Sport”. Po flasim për Kim Jong, trajnerin e Koresë së Veriut, i cili “do të kënaqet” me një rrogë prej 170 mijë eurosh.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›