E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëllaznimi, më afër finales

Vëllaznimi e ka bërë një hap të rëndësishëm drejt finales së Kupës së Kosovës pasi të mërkurën, si mysafir e mposhti Gjilanin me rezultat 3:2, në ndeshjen e parë gjysmëfinale. Gjakovarët prinë të parët me anë të Myrtës që në minutën e 10-të, ndërsa e shtuan avantazhin vetëm dy minuta më vonë, 0:2.

Pasi goditën tërthorësen e portierit Mushica dy herë, vendësit arritën ta ngushtonin rezultatin në minutën e 20-të përmes Liridon Hasanit, nga penalltia. Sulmuesi i udhëtuesve, Rugova e ngriti avantazhin e skuadrës së tij në 3:1, 8 minuta pa përfunduar pjesa e parë. Gjilanasit u munduan që të bënin diç në pjesën e dytë, por arritën ta shënonin vetëm një gol.

Këtë e bënë në fillim të 45 minutëshit të dytë, kur realizuan sërish nga penalltia, me realizator Hasanin, 2:3. Në vazhdim, sërish shpëtoi Vëllaznimi, pasi Xhevdet Muji i vendësve goditi tërthorësen. Ndeshja e kthimit do të zhvillohet pas dy javësh në Gjakovë.

Besa barazon me Lirinë

Besa nuk ka arritur ta mposht Lirinë në shtëpi, në ndeshjen e parë gjysmëfinale, duke barazuar me rezultat 3:3. Prizrenasit kanë kaluar në avantazh të parët në minutën e 45-të me anë të Rafet Mullallarit. Më pas janë kundërpërgjigjur pejanët me dy gola: Granit Çekaj (55’) e Blerim Hysenlekaj (65’).

Në 15 minutat e fundit janë shënuar edhe tre gola. Fillimisht, në minutën e 75-të prizrenasit i barazuan shifrat me anë të Fatih Karahodës, ndërsa vendësit kaluan sërish përpara pesë minuta pa u kryer loja, me shënues Fitim Kasapin.

Mirëpo, mikpritësit u befasuan një minutë pa përfunduar takimi kur pas një kundërsulmi të shpejtë, Ermir Gjananoviq e vulosi rezultatin e këtij takimi. Në ndeshjen e kthimit, pas dy jave, Liria e ka një përparësi të lehtë për të kaluar në finale pasi do të luajë në shtëpi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›