E Diel, 1 Nëntor 2026

Veller: Në GJND, argumentet në favor të Kosovës

Prishtinë -Profesori i njohur i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Kembrixhit, Mark Veller (Marc Weller), i cili ishte këshilltar i delegacionit të Kosovës në Rambuje dhe në negociatat e Vjenës për statusin, beson se në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) argumentet do të jenë në favor të Kosovës.

“Dy të tretat e argumenteve në gjykatë mund të jenë në favor të pavarësisë së Kosovës, ndoshta një e treta kundër saj dhe do të përfshijë shtetet që kanë problemet e veta”, ka thënë Veller, i cituar sot nga shtypi kosovar.

Ai ka folur në konferencën “Mbrojtja e Ligjmërisë së Kosovës në GJND”, të mbajtur dje në Prishtinë, organizuar nga Klubi për Politikë të Jashtme, rreth një javë para dorëzimit të argumenteve të pavarësisë në gjykatë.

Sipas VellerIT, mund të pritet që rreth 40 shtete të dërgojnë deklaratat e tyre në GJND, shumica do të përkrahin Kosovën, ndërsa numri i atyre që mund të jenë kundër mund të jetë deri në 12.

Parimi i së drejtës për vetëvendosjen e popujve, Kosova si rast sui generis, konteksti i shpërbërjes së ish-federatës jugosllave ku Kosova ishte element konstituiv me Kushtetutën e vitit 1974, humbja e së drejtës morale dhe ligjore të Serbisë për shkak të dhunës sistematike shtetërore, shpallja e pavarësisë në mënyrë të koordinuar dhe përfshirja e vetë Kombeve të Bashkuara në procesin e zgjidhjes së statusit, ishin disa nga argumentet e shumta që kanë dhënë në mbrojtje të pavarësisë penalistët në konferencë.

Më 17 prill, Kosova dhe të gjitha shtetet e interesuara duhet të dorëzojnë në GJND në Hagë argumentet e tyre me shkrim rreth legalitetit të pavarësisë së Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›