E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëllezërit beratas, 12 mijë euro në ditë nga shitja e femrave

22/07/2009  Gjykata bllokon llogaritë bankare të vëllezërve Shehu nga Berati që pastronin para

TIRANË-Gjykata bllokon pasuritë e dy vëllezërve nga Berati që trafikonin femra të ndryshme në Greqi. Fitimi nga trafiku i nxjerr nga organizata kriminale arrinte shifrën e 12.000 eurove në ditë. Të gjitha fitimet e ardhura nga ky trafik i paligjshëm janë depozituar në disa banka në vendin tonë. Ndërkohë në shtetin helen kanë nisur hetimet mbi dy vëllezërit Shehu nga Berati. Menjëherë pas nisjes së hetimeve dhe arrestimit të tyre është kërkuar vendosja e sekuestros preventive mbi të gjitha pasuritë dhe llogaritë bankare. Organizmat kriminale me qëllim trafikun e femrave për prostitucion. Pastrim parash dhe hapje llogarish bankare në emra të ndryshëm në vendin tonë. Prokuroria për Krime të Rënda pasi ka marrë dosjen penale nga shteti fqinj ka arritur të bllokojë në gjykatë të gjitha llogaritë bankare, të cilat janë hapur në vitin 2008 nga dy vëllezër nga Berati. Sokol Asllan Shehu dhe Aleksandër Asllan Shehu janë vëllezërit nga Berati, të cilët akuzohen nga shteti helen për kryerjen e veprës penale të “ trafikut të qenieve njerëzore” “shfrytëzim prostitucioni”. Ka qenë gjyqtari Gjin Gjoni ai që ka bllokuar llogaritë bankare të këtyre personave. Por nuk është vetëm kjo. Shetasi Can Murataj është kunati i vëllezërve nga Berati. Edhe ky shtetas ka hapur llogari bankare, të cilat tashmë janë bllokuar. Është e vërtetuar, sipas akuzës, se Can Murataj ka bërë transaksione parash nga Shqipëria drejt Greqisë në emra të ndryshëm kryesisht femra. Ardian Braho, Gentjan Osmani, janë prokurorët që kanë kërkuar vënien e sekuestros mbi këtë pasuri bankare.

Llogaritë e bllokuara

Është bllokuar llogaria në euro me nr. 45995835101, (me mbajtjes të dytë shtetasin Fatos Zeka) e hapur në datë 09.01.2008. Po kështu është vendosur sekuestro preventive edhe mbi llogarinë bankare të shtetasit Can Azem Murataj në Bankën “Alfa Bank” e më konkretisht llogarinë në euro me nr. 029425300000455, e hapur në dt. 30.04.2008. Aleksander Shehu dhe Sokol Shehu janë akuzuar për veprën penale të “Pastrimit të parave” të parashikuar nga neni 287 të Kodit Penal. Në 22.05.2009 me shkresën nr. 3648/1 protokoll Drejtoria Kundër Krimit Financiar në Departamentin për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë e përgjithshme të Policisë të Shtetit ka dërguar një material për fillimin e ndjekjes penale regjistruar në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Tiranë me numër nr. 2662, datë 22.05.2009. Interesimi për të bllokuar llogaritë e dy vëllezërve ka ardhur nga autoritetet greke. Sipas tyre, shtetasi shqiptar Aleksandër Shehu, i biri i Asllanit dhe i Resmies, i datëlindjes 20.02.1975 lindur në Drenovicë, komuna Kutalli të rrethit Berat dhe banues në rr: “Sami Frashëri”, Tiranë po hetohet në shtetin grek për veprat penale të trafikut të qenieve njerëzore dhe të pastrimit të parave. Ky shtetas së bashku me vëllain e tij Sokol Shehut akuzohen për krijim të organizatës kriminale me qëllim shfrytëzimin e prostitucionit. Organizata kishte një fitim prej 12,000 euro në ditë dhe fitimet e përllogaritura që janë dërguar në Shqipëri janë afërsisht 1,500.000 euro. Kjo veprimtari kriminale ka filluar para tre vjetësh dhe kryesisht paratë e fituara brenda ditës i kalonin vëllezërve Shehu ku këto para mblidheshin nga shtetasi Sokol Shehu, i cili së bashku me shtetasin Fatos Zeka i biri i Shqirit dhe i Hyrijes, i datëlindjes 25.05.1973, lindur dhe banues në Drenovicë, komuna Kutalli të rrethit Berat më datë 09.01.2008 kanë çelur një llogari bankare me nr. 45995835101 në euro në bankën “Intesa Sanpaolo” në shumën prej 500,000 euro. Nuk është vetëm kjo. Vëllezërit Shehu shfrytëzonin edhe kunatin e tij. Ky i fundit paratë e marra prej tyre pasi i depozitonte i niste drejt Greqisë në emra të shtetasve grekë me kombësi ruse. Rrjeti i trafikut, sipas hetimeve paraprake, ishte tepër i madh. Ky rrjet organizohej nga dy vëllezërit nga Drenovica e Beratit. Ndërkohë që është vërtetuar se vëllezërit nuk kanë pasur asnjë aktivitet të ligjshëm. Ata kanë bërë pastrim parash gjatë gjithë kohës. E gjithë veprimtaria e paligjshme kryhej në Athinë. Për tre vjet rresht, vëllezërit Shehu kanë vënë një pasuri të madhe, e cila nuk kishte si pikënisje ndonjë aktivitet të ligjshëm të tyre. Vëllezërit Shehu kanë blerë edhe një tokë në Tiranë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›