Vëmendja kah mbijetesa
Të dielën do të zhvillohen të gjitha ndeshjet e xhiros së 31-të të Superligës së Kosovës në futboll, disa prej të cilave pritet të jenë mjaft interesante.
Meqenëse lideri aktual i tabelës, Hysi është shkëputur me 4 pikë dallim prej ekipit të dytë, Prishtinës, tashmë vëmendja e futbolldashësve kosovarë është përqendruar te lufta për mbijetesë e shumë skuadrave, e cila secilën herë po bëhet më interesante, sidomos tani kur kanë mbetur edhe tri xhiro deri në fund të këtij kampionati.
Pa dyshim se ndeshje e tillë interesante do të zhvillohet në Rahovec, ku fitorja do të jetë synimi kryesor në duelin mes Ballkanit e Ferizajt.
Ekipi nga Theranda nuk guxon të gabojë në këtë takim, sepse, në të kundërtën, mund të rrezikohet shumë seriozisht. Ndërsa, me fitore eventuale ‘portokallinjtë’ do ta bënin një hap shumë të madh drejt arritjes së qëllimit, mbetjes në elitë.
“Synojmë të fitojmë ndaj Ferizajt. Atmosfera është e mirë në ekip dhe jemi të mobilizuar që t’i fitojmë tri pikë të reja në mënyrë që ta bëjmë një hap të madh për të mbetur në Superligë”, ka thënë sulmuesi i Ballkanit, Fillim Guraziu.
Mirëpo, vendasit nuk do ta kenë aspak të lehtë ta arrijnë këtë objektiv në duel me Ferizajn, skuadër kjo e cila secilën herë po luan më mirë, edhe pse aktualisht gjendet në vendin e fundit të tabelës, por që ende ka shanse për të mbijetuar.
Por, këto shpresa mund t’u marrin fund badhekaltërve nëse humbasin në Rahovec. Andaj, Ferizaj vetëm me fitore mund të shpresojë akoma se do t’ia dalë ta ruajë statusin e anëtarit të elitës.
“Jemi të vetëdijshëm se do ta kemi shumë vështirë, por neve na duhet fitorja për të shpresuar për pozitën e dhjetë, që çon në ndeshje barazhi. Nëse duam ta sigurojmë barazhin, ne duhet t’i fitojmë të tri ndeshjet e radhës”, thotë portieri i ferizajasve, Labinot Shabani.
Kjo xhiro është shumë e rëndësishme edhe për Flamurtarin, i cili po lufton me të gjitha forcat për të mbijetuar në Superligë. Kuqezinjtë gjenden në vendin e parafundit të tabelës dhe nëse duan t’i mbajnë gjallë shpresat për ndonjë pozitë më të lartë, patjetër duhet të fitojnë ndaj KEK-ut.
Kurse, Vëllaznimi, i cili gjendet në vendin e dhjetë që çon në ndeshje barazhi, nuk guxon të gabojë në Mitrovicë, në ballafaqim me Trepçën ’89, sepse pastaj mund të rrëshqasë në pozita të mëposhtme të tabelës, të cilat çojnë direkt në Ligën e Parë.
Ndërsa, lufta për titull të kampionit mes Hysit dhe Prishtinës tashmë është zbehur, pasi bardhezinjtë kanë shtuar në 4 pikë avantazhin ndaj badhekaltërve. Hysi luan në shtëpi ndaj Besës, derisa Prishtina e pret Lirinë.
Humbja eventuale e bardhezinjve të dielën dhe fitorja eventuale e prishtinasve do ta ‘nxehte’ sërish luftën për titull.
Superliga – xhiroja e 31-të
E diel
Drenica – Trepça
Trepça ’89 – Vëllaznimi
Ballkani – Ferizaj
Hysi – Besa
Flamurtari – KEK-u
Prishtina – Liria
Të gjitha ndeshjet nisin në ora 17:00