Reforma zgjedhore, tryezë e partive më 27 korrik
Puna për Kodin e ri Zgjedhor do të ketë një stacion të ri në fundin e këtij muaji. 27 korriku pritet të jetë një datë takimi mes partive politike, në një tryezë që është thirrur nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe ku mesa duket është konfirmuar pjesëmarrja edhe e Partisë Demokratike. “Më 27 korrik është lënë mbledhja e një tryeze të partive politike, për të diskutuar rreth ndryshimeve në Kodin e ri Zgjedhor. Sa i përket pjesëmarrjes ka një konfirmim edhe nga PD, përfaqësues të së cilës janë shprehur se “do ta respektojmë tryezën”, tha për gazetën “Shqip”, Spartak Braho, kryetar i Komisionit të Ligjeve dhe Reformës Zgjedhore në LSI. Ky është hapi i parë politik që zyrtarizon vullnetin që ekziston për përmirësimin e Kodit Zgjedhor dhe për të cilin parimisht janë shprehur “pro” të gjitha partitë politike. Nisma e LSI është një moment konsultimi për variantet e ndërhyrjeve, të cilat janë edhe pjesa më delikate e procesit, sidomos për sa i përket ndryshimit të sistemit zgjedhor. Edhe pse ende pa asnjë prononcim zyrtar, dy partitë e mëdha, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike, duket se nuk preferojnë thellime të kësaj natyre në procesin reformues. Më shumë e kuptueshme është bërë kjo nga selia rozë, e cila, edhe pse ka një problem politik të hapur me zgjedhjet e shkuara, kryesisht e ka referuar atë me keqadministrimin e procesit dhe moszbatimin drejt të ligjit ekzistues. Sistemi është një pikë që mban të hapur debatin politik, pasi ai është përcaktues për mbijetesën e partive të vogla, ku bën pjesë edhe LSI. Si forcë thelbësore për koalicionin e tanishëm qeverisës, zëri i kësaj të fundit ka rëndësi për PD, ashtu sikurse zëri i aleatëve të PS fiton peshë, pasi administrimi i votave të marra prej tyre nuk solli një rritje të rezultatit për të majtët në vitin 2009. Si e tillë, kërkesa për ndërhyrje në sistemin zgjedhor dhe propozimi për kalimin drejt proporcionalit kombëtar apo korrektimit kombëtar të proporcionalit rajonal që është në fuqi, edhe pse vjen nga të vegjlit ka arsye politike për t’u dëgjuar kësaj radhe nga dy forcat kryesore në vend. Mbi këtë realitet që lidhet me perspektivën e zgjedhjeve të ardhshme, vjen edhe takimi i nisur nga LSI, që gjithsesi synon shmangien e praktikës së komisioneve bipartizane. Ai është një hap që do të testojë ndërkohë të gjitha aleancat aktuale politike, duke diktuar mandej edhe taktikat elektorale që do të adaptohen. Kjo mund të kuptohet edhe nga qëndrimi i deritanishëm i PD, e cila përmes kryetarit të saj, Sali Berisha, bëri të ditur se “ne do të miratojmë propozimet e ardhura nga opozita”. Një marrëveshje e heshtur kjo mes dy forcave kryesore, që mund të bëhet sërish përcaktuese si për sistemin zgjedhor, ashtu edhe për administrimin e procesit. Lidhur me këtë të fundit, është me interes të shihen propozimet e partive politike mes të cilave nuk ka munguar edhe ideja e zhveshjes politike të komisioneve të nivelit të dytë dhe të tretë. Në këtë kuadër zhvillimesh politike, kodi ka si kufi maksimal për t’u ripunuar deri në muajin tetor, pra 6 muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve lokale. Nëse përtej kësaj kohe asgjë nuk do të ndodhë, atëherë kodi ekzistues do të mbetet në fuqi, për të zgjidhur edhe një herë konkurrencën mes partive kryesore politike, pavarësisht se ndaj tij ka pretendime prej të gjitha palëve. Për sa i përket partive të vogla, ruajtja e kuadrit aktual mund të bëhet përcaktues në fatin e përfaqësimit të tyre politik.
#