E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendi ku është ndërtuar Katedralja jo krejt e sqaruar

 Zyrtarë të Kishës pretendojnë se një pjesë e qendrës tregtare, ku do të vendosen lokalet e mëparshme, do të shtrihet brenda tokës së saj. Ndërkaq zyrtarë komunalë thonë që ngastra e cila ka 1 hektarë e 30 ari brenda saj vetëm 68 ari e 11 metra i takojnë Katedralës.

Derisa zyrtarë të Kishës pretendojnë që ngastra përfshin 1 hektar e 30 ari, parcela e cila i është ndarë dhe i është dhënë leja për ndërtim dhe urbanizëm është vetëm 68.11 ari.

Drejtori për Urbanizëm Planifikim dhe Ambient në Komunën e Prishtinës, Behxhet Musliu thotë se ngastra amë përbehet prej 1 hektarë e 30 ari por në këtë hapsirë bënë pjesë ndërtesa e ATK-së, KEK-ut dhe Rruga ”Bill Kllinton”. Ndërkaq në rrugën ”Perandori Justinian” gjenden lokalet që i takojnë Ndërmarrjes Publike Banesore. Ai thotë se ka mospëroputhje të gjendjës juridike me atë faktike.

Ndërkaq Don Fatmir Koliqi, përfaqësues i Ipeshkvisë thotë se kisha ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim dhe zgjidhjen e kësaj çështjeje. Ai tha se sipas dokumenteve që posedon Katedralja, kjo parcelë është e Kishës Katolike.

Por Musliu thotë se fillimisht më 19 shtator të vitit 2002 Komuna e Prishtinës me vendim numër 01-353-1773 i cakton Kishës Katolike ngastrën kadastrave me numër 6198 me sipërfaqe prej 1 hektar e 20 ari, parcelë kjo që gjendet mbrapa ”Pallatit të Shtypit”. Kisha nuk ka qenë e kënaqur me këtë lokacion dhe ka kërkuar ndërrimin e tij. Si lokacion i mundshëm i preferuar prej tyre ka qenë oborri i shkollës “Xhevdet Doda”.

Në këtë ngastër ka qenë i ndërtuar Gjimnazi “Xhevdet Doda”, prandaj kuvendi në të njëjtin vendim kishte paraparë që “Shfrytëzuesi i lokacionit për ndërtimin e objektit sipas këtij vendimi është i obliguar që, para fillimit të punimeve për ndërtimin e objektit, për të cilin është dhënë në shfrytëzim ky lokacion, të bëjë ndërtimin e objektit të ri shkollor për gjimnazin ‘Xhevdet Doda’ në lokacionin e caktuar nga Komuna”, thotë ai.

Musliu bëri të ditur se më 1 shkurt 2007, në mes Ipeshkvisë së Kosovës, Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Arsimit dhe Teknologjisë u caktua vlera e ndërtimit të gjimnazit “Xhevdet Doda” në shumën prej 1. 250.000 eurosh, prej të cilave 850.000 euro do të siguroheshin nga Ipeshkvia, kurse 400.000 euro Ministria e Arsimit dhe Teknologjisë.

Me vendim të komunës, më 7 korrik është bërë rrënimi i 84 lokaleve në rrugën “Perandori Justinian”, në kuadër të planifikimeve të reja të Planit Urbanistik të qytetit të Prishtinës, sipas të cilit është paraparë që këtu të ngrihet një qendër e re tregtare, ndërsa sipas Musliut të gjithë shfrytëzuesit dhe pronarët do të marrin përsëri lokalet e tyre.

Për këtë rrënim Komuna e Prishtinës i kishte paralajmëruar pronarët dhe shfrytëzuesit e këtyre lokaleve rreth dy muaj përpara. Ata nuk kanë kundërshtuar këtë rrënim, megjithëse komuna i ka njoftuar që nuk do të kompensohen për 120 ditët sa do të zgjasë ndërtimi i lokaleve të reja./rtk/Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›