Vendimi- Ligjet me 84 vota, do të kthehen në Komisione
Tiranë- Ligjet që kërkojnë 84 vota, do të kthehen sërish në komisione. Në Konferencën e Kryetarëve kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli bëri propozimin që ligjet të cilat kërkojnë shumicë të cilësuar të kalojnë në komisione parlamentare. Propozim i cili u miratua sot. Ligjet me 3/5 kanë qenë gjithnjë në axhendën e parlamentit dhe unë si Kryetare e Kuvendit kam gjithë vullnetin pozitiv për të bërë çdo gjë për ta çuar këtë proces përpara. Axhenda integruese është axhenda jonë parlamentare, është axhenda jonë kombëtare- shpjegoi Topalli. Ajo madje tha se ky kthim do ti japë mundësi opozitës që të sjellë propozime lidhur me këto ligje. Kryetari i Grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi propozoi që nga tre kandidatura që propozohen dhe miratohen nga Kuvendi për Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, një nga ato të propozohet nga PD-ja, një nga PS-ja dhe një nga LSI-ja. Nga ana e tyre Kryetari i Grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi dhe Nënkryetari i Kuvendit, Namik Dokle kërkuan që në kalendarin 3 javor të punimeve të parashikohet rishikimi i Rregullores së Kuvendit. Kryetarja Topalli tha se rishikimi i Rregullores është tashmë i përfshirë në kalendarin e punës. Do mbetet i njejti që është votuar në datë 13 tetor 2011gjatë seancës plenare. Sipas pjesëmarrësve këto propozime vijnë në kuadër të zbatimit të 12 rekomandimeve të Bashkimit Europian.
Shkrime të tjera me interes: