E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Reforma në Drejtësi - Edi Rama duhet të kërkonte falje për bllokimin e ligjeve”

31-10-2011 / Gazeta 55

Reagimi i deputetëve demokratë të Komisionit parlamentar të Ligjeve, për tryezën e thirrur nga PS


Partia Demokratike vlerëson tryezën e thirrur nga opozita për reformën në drejtësi, si një veprimtari thjesht e vetëm propagandistike. Deputetët e Partisë Demokratike, anëtarë të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, shprehen se veprimtaria e socialistëve do të kishte qenë një event me të vërtetë shpresëdhënës, nëse në nisjen e kësaj tryeze, lideri i PS-së Edi Rama do u kishte kërkuar ndjesë publike shqiptarëve për bllokimin mbi tre vjeçar, që i ka bërë çdo nisme reformuese në fushën e drejtësisë. “Ditën e premte Partia Socialiste dhe grupi i saj parlamentar zhvilluan një veprimtari politike për reformën në drejtësi, e cila do të kishte qenë një event me të vërtetë shpresëdhënës, nëse stari (ylli) i eventit, lideri i PS-së zoti Rama, do t’u kishte kërkuar ndjesë publike shqiptarëve për bllokimin mbi tre vjeçar që i ka bërë çdo nisme reformuese në fushën e drejtësisë”, thuhet në reagimin e deputetëve demokratë. Në deklaratën e tyre, anëtarët e komisionit të ligjeve theksojnë se, “në fakt zoti Rama kishte përgatitur një veprimtari propagandistike, me të cilën qartazi synon të pengojë edhe më tej procesin e reformave dhe të angazhimeve integruese të Shqipërisë”. Dallimi i vetëm, sipas demokratëve, është se këtë herë bllokimin po kërkon ta realizojë nëpërmjet veglave të verbra të Partisë Socialiste në gjirin e drejtësisë. Ligjvënësit demokratë, nënvizojnë se, “jo më kot ndërhyrjet më të zëshme iu lanë në dorë një gjyqtari të Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani dhe një prokurori të Prokurorisë së Përgjithshme, Shkëlqim Hajdari. Të dy përfaqësuesit e drejtësisë, sipas deputetëve demokratë, merrnin pjesë në këtë veprimtari partiake (mesa duket me urdhër të Shefit), në kundërshtim flagrant me statusin, detyrën dhe funksionin e tyre shtetëror”. Komisionerët e Partisë Demokratike, në këtë reagim të tyre, shprehen se kryesocialistit Rama, mesa duket i intereson më fort keqpërdorimi i njerëzve të vet brenda drejtësisë, sesa respektimi qoftë dhe formalisht i pavarësisë së organeve të drejtësisë. Për deputetët demokratë, me këtë veprimtari Edi Rama ka dashur tu tregojë shqiptarëve se për të drejtësi e mirë, Prokurori e mirë apo Gjyqësor i mirë, janë vetëm drejtësia, Prokuroria apo Gjyqësori i ushtarëve dhe vasalëve kamikaze. Anëtarët demokratë, të Komisionit parlamentar të Ligjeve, thonë se nuk pajtohen me këtë vizion të mbrapshtë anti-reformë. Deputetët demokratë, thonë se janë të sigurt se rruga e reformës është e papajtueshme me shfaqe të tilla të nënshtrimit grotesk të përfaqësuesve apo organeve të drejtësisë. Sipas tyre reforma bëhet me përkushtim, idealizëm e vetëmohim. “Reforma bëhet me përkushtim, idealizëm e vetëmohim. Reforma bëhet në Kuvend, atje ku zoti Rama nuk është prezent. Atje ne presim kolegët tanë socialistë, që me të njëjtin shpirt si ne, të japin mendimin, kontributin, vizionin dhe votën e tyre në të mirë të vendit dhe të integrimit”, theksojnë deputetët demokratë. Ndërsa në orët e vona të pasdites erdhi edhe reagimi i Partisë Socialiste, sipas të cilës, reagimi brutal i deputetëve të mazhorancës është i pajustifikuar për shkak se refuzuan të jenë pjesëmarrës në atë tryezë. Në emër të kryetarit Rama, PS-ja thekson se do të politikën e saj të dorës së shtrirë për të mundësuar integrimin e vendit dhe mos përsëritjen e dështimit dramatik për të tretën herë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›