E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia italiane, e shpëtoi Lul Berishën nga atentati

Dosja e ardhur nga Antimafia Italiane zbardh edhe një atentat të dështuar ndaj kreut të bandës së Durrësit
TIRANË- Policia e Riminit në Itali i ka shpëtuar jetën Lul Berishës teksa e arrestoi për llogari të Gjermanëve në vitin 2000. Ai ishte objektivi i një atentati të organizuar nga shokët e Marsel Sotirit. Ky lajm konfirmohet nga burime të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët zbardhën për "Shekullin" disa nga përgjimet që ndodhen në dosjen e përpiluar në nëntë mijë faqe nga hetuesit e antimafias italiane. Sipas këtyre burimeve, mësohet se pas vrasjes së Marsel Sotirit dhe disa prej shokëve të tij, i pandehuri Lulëzim Berisha së bashku me të ndjerin Klodian Salihu, u larguan për në Itali duke iu shmangur ndonjë atentati të mundshëm ndaj tyre në Shqipëri nga shokët e mbetur gjallë të viktimës. Por, edhe pse dy të pandehurit Berisha dhe Salihu u larguan për në Itali, shokët e Sotirit që ndodheshin në Shqipëri dhe vendin fqinjë Itali kërkuan hakmarrje-thuhet nga burimet.
Shokët e Sotirit organizuan dhe nisën nga qyteti i Durrësit një nga anëtarët e "bandës" për të kryer atentatin ndaj Berishës. "Në maj të viti 2000 atentatori mbërrin në Ricone të provincës së Riminit ku po qëndronte i pandehuri Lul Berisha, për të gjetur momentin për të kryer vrasjen për hakmarrje. Antimafia italiane, duke parë se nën vëzhgimin e tyre do të kryhej atentati, vendosin që të mos zbulohen që po kryenin përgjime ndaj bandës së tyre dhe urdhërojnëarrestimin e Lul Berishës për llogari të Prokurorisë së Hamelmnit të Gjermanisë, të cilët kishin lëshuar një urdhër arresti që në vitin 1994, duke akuzuar për trafik të lëndëve narkotike"- thuhet në dosjen hetimore. Me arrestimin e tyre, i pandehuri Lul Berisha i shpëtoi atentatit të organizuar nga anëtarët e mbetur të bandës së Marsel Sotirit të cilët po kërkonin hak për shokun e tyre. Sipas përpiluesve të dosjes, thuhet se antimafia italiane në momentin e arrestimit të Lulëzim Berishës, ky i fundit dispononte dokumente të falsifikuara qëndrimi në Itali, për të cilën u dënua më pas me gjobë. Ndërsa, sa i përket hetimeve nga Prokuroria e Hamelmnit të Gjermanis, për trafikun e lëndëve narkotike, kundër Lulëzim Berishës nuk u vërtetuan dot kurrë dhe ato u rrëzuan në gjyqin italian.
Pas lirimit nga qelia e paraburgimit, kreu i bandës së Durrësit rikthehet në Shqipëri dhe vazhduan hakmarrjet dhe vrasjet mes bandave. Sipas dosjes së ardhur nga Italia, konflikti mes "bandës" së Lul Berishës dhe Marsel Sotirit ka filluar pas ndërhyrjeve në zonat e njëri-tjetrit të ndara për kryerjen e trafikut të drogës dhe armëve, që filloi me vrasjen e Dritan Sallakut në vitin 1998 dhe me një sërë vrasjesh më pas. Sipas përgjimeve italiane, për vite me radhë banda e Lul Berishës vazhdoi me kryerjen e trafikut të drogës e armëve, trafik ky që u bë shkak që Berisha të ndahet nga shoku i tij i ngushtë, Klodjan Salihu që më vonë ky i fundit dyshohet se u vra nga ish-shokët e tij, anëtarët e grupit të Lul Berishës. Burimet pohuan se në dosjen e ardhur nga antimafia italiane ndodhen emrat dhe pseudonimet e një numri jo të vogël personash nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, që janë përgjuar nga viti 1998 deri në vitin 2002 nga autoritete italiane. Sipas tyre, prokuroria shqiptare ka nisur hetimet për trafikun e lëndëve narkotike dhe atë të armëve e municioneve luftarake të kryer nga anëtarët e bandës. Sipas dyshimeve të grupit hetimor, rrjeti i trafikut të drogës dhe armëve është ngritur në vitin 1994 dhe funksiononte deri në kohën e arrestimit të drejtuesve të dy bandave rivale, Dokle e Berisha, në vitin 2005.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›