Berisha uron shqiptarët për heqjen e vizave, akuzon opozitën për pengesa
Eljona Ballhysa
Kryeministri i vendit, Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur dje në mbledhjen e qeverisë, i ka uruar shqiptarët për hyrjen në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave, ndërsa ka akuzuar opozitën se ka bërë përpjekje për ta penguar këtë proces. “15 dhjetori do të mbetet në memorien e çdo shqiptari si një nga ditët më të rëndësishme të lirive, të drejtave dhe dinjitetit tonë”, - është shprehur Berisha gjatë fjalës së tij. Në fakt, kryeministri ia ka dedikuar pikërisht këtij vendimi të rëndësishëm të gjitha takimet dhe aktivitetet e zhvilluara gjatë ditës së djeshme. Ai shoqëroi gjatë mëngjesit të djeshëm për në aeroportin “Nënë Tereza”, një grup studentësh dhe gjimnazistësh, të cilët do të kalonin kufirin pa viza dhe vetëm me pasaportë biometrike. Ndërsa në mbrëmje kryeministri i uroi shqiptarët në fjalën e mbajtur në koncertin e organizuar për këtë ngjarje të rëndësishme në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet.
Urimi
“Gëzuar të gjithë shqiptarëve! Mbledhja përkon me ditën më të shumëpritur në këto 20 vjet. Por edhe me arritjen më të merituar të qytetarëve shqiptarë, të cilët kanë sakrifikuar, vuajtur për lëvizjen e lirë, për shkak të rrethanave të tyre, më shumë se çdo komb tjetër në Europë. Asnjë komb tjetër nuk e pret më me gëzim e kënaqësi këtë ditë, pasi vetëm 20 vite më parë ne ishim njerëzit e lëvizjes me jashtë pothuaj totalisht të ndaluar. Shumë të paktë ishin shqiptarët që kishin mundësi të udhëtonin për detyrën ose arsye tjetër. Kloni, teli me gjemba dhe bunkeri ishte simboli i asaj që ne ishim”, - është shprehur Berisha, ndërsa ndau gëzimin se personi i parë që kaloi kufirin ishte një nënë 70-vjeçare, e cila mbante emrin e nënës së tij. “Qytetari i parë shqiptar që kaloi mbrëmë, në orën 12 të natës, ishte një nënë 70-vjeçare. Por ajo që e bëri për mua dy herë më prekëse ishte se kjo zonjë e nderuar mbante emrin e nënës sime. Dhe e kuptoni, në atë moment, kur mësova edhe emrin e saj, ndjeva një gëzim të dyfishtë. Kur më thanë se ishte zonja Sheqere, nënat vetëm ëmbëlsi kanë, ishte një gëzim i papërshkruar tek unë”, - është shprehur kreu i qeverisë. “Sot në mëngjes isha në aeroport për të përshëndetur studentët dhe nxënësit që u nisën në Bruksel. Në sytë e tyre shihje vetëm Europë. Ishte një moment tjetër jashtëzakonisht prekës, një moment shumë i veçantë”, - u tregoi Berisha ministrave për udhëtimin e studentëve.
Akuzat
Por Berisha nuk ka harruar të hedhë akuza kundrejt opozitës, e cila, sipas tij, bëri çmos që të pengonte këtë proces të rëndësishëm për shqiptarët. “Nga zyrat kryesore të opozitës qarkonin fakset se eksode të reja prisni, se me këtë vendim, 800 mijë deri në 1 milion shqiptarë do të dynden në Europë, se ata, të cilët prej vitesh vuajnë dënimin në burgje, do të kthehen të vijnë te ju. Pra, përpiqeshin të bënin që njerëzia të imagjinonin skena horror nga shqiptarët, të zgjonin çdo lloj instinkti racist antishqiptar, që nuk është se nuk ekzistojnë. Nuk mund të harrohet se ata që bënë çdo gjë për të futur vizat në kuti, vendosën çadrat para Kryeministrisë dhe Parlamentit, në momentin më kulmor, kur merrej vendimi dhe filluan grevën e urisë, të ashtuquajtur grevë urie, se absolutisht, as edhe një ditë të vetme, gjithçka në patronazhin e kryeministrit, i cili largohej nga zyra në 2 të natës, gjersa bënte kontrollin e fundit Fatmir Xhafa me fener. Pasi vinin picat e me radhë, atëherë largohesha e shkoja i qetë në shtëpinë time. Por të gjitha këto bëheshin për të bllokuar vizat”, - është shprehur kreu i qeverisë. Sipas tij, të gjitha përpjekjet e opozitës dështuan dhe shqiptarët morën vendimin më të merituar. Ai tha se vendimi nuk ishte as dhuratë dhe as favor, por ishte vlerësim i reformave të ndërmarra nga qeveria që ai drejton.
Bushati: “Shqiptarët e meritonin prej kohësh liberalizimin e vizave”
Edhe selia rozë ka përshëndetur hyrjen në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave. Në emër të PS-së, deputeti Ditmir Bushati, e cilësoi ditën e djeshme një ditë të veçantë për shqiptarët, të cilëve, sipas tij, iu plotësua ëndrra për të lëvizur të lirë në Europë. Ai tha se kjo ditë vjen falë mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë. “Sot është një ditë e veçantë për shqiptarët. Ëndrra për të lëvizur të lirë në Europë u bë realitet. Sot është momenti për t’u shprehur mirënjohjen më të sinqertë të gjithë miqve dhe partnerëve tanë europianë, të cilëve u dedikohet në radhë të parë kjo fitore e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Falë mbështetjes dhe kontributit të tyre u bë i mundur përmirësimi dhe modernizimi i infrastrukturës të kufirit dhe zhvillimit të kapaciteteve administrative. Sot është momenti për të shprehur mirënjohjen dhe respektin më të thellë për të gjithë ata ekspertë shqiptarë e të huaj që kanë kontribuar ndër vite në jetësimin e kësaj ëndrre”, - është shprehur Bushati, ndërsa shtoi se shqiptarët e meritonin prej kohësh këtë vendim. “Sot është gjithashtu momenti për të kujtuar ata mijëra shqiptarë që ndër vite humbën jetën në tentativën për tu arratisur nga Shqipëria komuniste dhe për të kërkuar një të ardhme më të mirë në Europën demokratike. Ky është një moment të cilin shqiptarët e meritonin prej kohësh, por ky është gjithashtu momenti për të treguar se këtë liri lëvizjeje ne do të dimë ta shfrytëzojmë me regull, përgjegjshmëri dhe dinjitet”, - ka përfunduar deputeti socialist.
Meta: “Liberalizimi i vizave, arsyeja e aleancës me PD-në”
Zëvendëskryeministri, njëkohësisht kryetar i LSI-së, Ilir Meta, i uroi dje të gjithë shqiptarët për liberalizimin e vizave. Ai tha se liberalizimi i vizave ishte arsyeja që LSI-ja vendosi të bashkëpunonte me PD-në. Sipas Metës, edhe LSI-ja ka kontribut në marrjen e këtij vendimi. “Dua të shpreh lumturinë time dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për arritjet e kësaj dite të madhe, për të gjithë qytetarët e vendit tonë sepse heqja e vizave ka qenë një premtim dhe një angazhim madhor i kësaj lëvizjeje”, - tha Meta. Ndërsa për sa i përket rrugëtimin të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, Meta përmendi arritjet e deritanishme si dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes forcave politike. “Natyrisht, që pjekurinë politike të opozitës nuk e ka në dorë qeveria dhe natyrisht, që jam i bindur maxhoranca do të mbetet e hapur për të bashkëpunuar. Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian duhet të jetë një proces i natyrshëm, duhet të jetë sa më i shpejtë që të jetë e mundur, por kurrsesi një proces i sforcuar dhe në këtë drejtim kërkon pjekurinë e të gjithë elementëve të shoqërisë sonë”, - tha Meta.
Topalli i telefonin Fajonit: “Lëvizja e lirë, e merituar”
Me rastin e hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, zhvilloi një bisedë telefonike me eurodeputeten sllovene, Tania Fajon. Përmes kësaj bisede telefonike, Topalli shprehu mirënjohjen për kontributin e eurodeputetes Fajon në mbështetje të lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarëve. Në mënyrë të veçantë, kryetarja e Kuvendit i përcolli eurodeputetes Fajon falënderimet e saj edhe për mbështetjen e jashtëzakonshme të Parlamentit Europian për heqjen e vizave midis Shqipërisë dhe vendeve të BE-së. Topalli dhe eurodeputetja Fajon vlerësuan përpjekjet e jashtëzakonshme të qeverisë, parlamentit si dhe deputetëve në përmbushjen me sukses të të gjitha kushteve të kërkuara nga Komisioni Europian. “Ditë e madhe për Shqipërinë. Shqiptarët e meritonin lirinë e lëvizjes”, - u shprehën gjatë bisedës kryetarja e Kuvendit dhe eurodeputetja Tania Fajon.
16 Dhjetor 2010