E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Kurbani i UFO-s nuk pranohet

Berisha për Ramën: UFO-t nuk kanë shanse të pranohen. Z. UFO nuk pranohet, tentativa e tij dështoi”

TIRANË Për rreth një orë kryeministri Sali Berisha foli dje në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së për rëndësinë që ka projekt-buxheti i vitit 2012. Kryeministri Berisha premtoi se vitin që vjen do të rriten sërish pagat dhe pensionet, ndërkohë që premtoi se nuk do të ketë rritje taksash. “Nuk ka dhe nuk do të ketë as edhe një rritje të vetme të taksave. Ky model ekonomik u bëri të mundur shqiptarëve të shohin të realizohen në vendin e tyre, rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkolla, të marra së bashku, më shumë se në të gjitha kohërat”, - tha dje Berisha. Por Kryeministri nuk la pa komentuar edhe punimet e Kongresit të Partisë Socialiste. Në fund të fjalës së tij të gjatë për projekt-buxhetin, Berisha ka ironizuar punimet e Kongresit, duke komentuar edhe deklaratën e një dite më parë të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, sipas së cilës ai ishte “Kurban-Kongresi”. “Autobusi i Kongresit ecën para, drejt etërve të tyre, vetëm në atë rrugë. E cilësoi Topalli, ‘Kurban-Kongres’, por në doktrinë kurbanin duhet ta pranojë i gjithëfuqishmi, dhe kurbani quhet kur pranohet. Por kur nuk pranohet shkon kot. Atij nuk iu pranua, UFO-t nuk kanë shanse të pranohen. Z. UFO nuk pranohet, tentativa e tij dështoi”, - tha Berisha në mbledhjen e djeshme të grupit të Partisë Demokratike. Dy ditë më parë, Topalli e cilësoi “Kurban-Kongres”, ndërkohë që nuk vonoi edhe reagimi i kryetarit të PS-së, Edi Rama në faqen e tij në Twitter: “Kurban-Kongres Jozefinë? Ashtu do ta doje, po s'të doli! Të enjten, në librari. Ço dikë ta blejë jo vetë, se bllokon trafikun me eskortën-tren”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›